Arte
Vdes artisti shqiptar
Demokracia
18:29 | 01 Janar 2022
Ilustrim

Share:

Pasditen e sotme ka ndërruar jetë në moshën 74-vjeçare muzicienti i njohur Sabah Bytyçi, duke lënë mbrapa kontributin e jashtëzakonshëm kryesisht në muzikën popullore por edhe në edukimin e brezave të rinj si profesor.

Sabah Bytyçi lindi në Gjakovë më 29 tetor 1947. Ai kreu shkollën fillore në vendlindje ndërsa të mesmen të muzikës në Prizren. Shkollën e lartë për muzikë e përfundoi me sukses në Prishtinë.

Bytyçi, përpos që ishte krijues i mbi 150 këngëve popullore dhe për fëmijë, ai ishte edhe autor i disa librave mbi traditën e muzikës në të gjitha trevat shqiptare si dhe fitues i dhjetëra çmimeve në festivaleve të ndryshme.

Kontributi i Sabah Bytyçit vlerësohet edhe në themelimin e shkollës së muzikës “Prenk Jakova” në Gjakovë, si themelues të Festivalit të Gjakovës për fëmijë, si dhe festivalit të muzikës popullore “Gjakova këndon”, që në atë kohë bashkë me “Akordet e Kosovës” konsideroheshin si një ndër festivalet më të rëndësishme në Kosovë.

Bytyçi ishe edukues dhe mësues i parë i shumë e shumë brezave që tashmë janë nga artistët më të mëdhenj shqiptarë dhe që sot performojnë nëpër skenat më të mëdha ndërkombëtare duke filluar nga violinisti i Filarmonisë së Vjenës, Shkëlzen Doli.

Kompozitori i njohur, Ruzhdi Sadiku, përmes një shkrim në rrjete sociale, kërkoi që për nder të kontributit të të ndjerit, shkolla e muzikës në Gjakovë, të cilin e themeloi vet Bytyçi, të emërohet “Sabah Bytyçi”.

“Jam me fat dhe përjetë falënderues që kam pasur rastin ta kem mësues e më vonë edhe bashkëpunëtor profesional. Jam thellë i bindur që do ti bënim nder Gjakovës që shkollën e muzikës së Gjakovës ta emërojmë Shkolla e Muzikës ‘Sabah Bytyçi’, ngase nuk e meriton askush më shumë se ai që e themeloi vet me shumë mundime e sakrifica”, shkroi Sadiku.

Të ngjashme