Arte
Dita Ndërkombëtare e Gruas| Simbolika e kësaj feste dhe pse ngatërrohet me festën e nënës?
Demokracia
09:37 | 08 Mars 2022

Share:

Prej disa vitesh tashmë, në Kosovë “8 Marsi” festohet si dita e nënës por në fakt kjo ditë është “Dita Ndërkombëtare e Gruas”.  

Në këndvështrim, kjo festë mund të festohet për të gjitha gratë dhe vajzat, shkruan Demokracia.com.

Mes protestash, apo momentesh festive, një gjë është e sigurt: Që në këtë ditë, asnjë grua nuk kalon pa e kujtuar si një moment dedikimi ndaj vetes e natyrisht edhe të tjerëve ndaj saj.

Dita ndërkombëtare e gruas – 8 Marsi është dita kur shënohet lufta e grave për barazi ekonomike, politike dhe sociale me burrat. 8 Marsi si ditë ndërkombëtare e gruas është shpallur nga Kombet e bashkuara me qëllim kremtimin e rolit të gruas në histori, si dhe luftën e saj për barazi, drejtësi, paqe dhe zhvillim.

Në Partinë socialiste të Gjermanisë Klara Cetkin, bashkë me shoqen e saj të ngushtë Roza Luksemburgun, ishte një nga figurat kryesore degës të ekstremistëve të majtë të partisë. Në debatin për revizionizmin  në fillim të shekullit XX, ajo bashkë me miken e saj Luksemburg i kanë kundërshtuar tezat reformiste të Edvard Bernshtajnit.

Cetkin ka qenë shumë e interesuar për politikën ndaj grave, përfshirë këtu edhe luftën për mundësi të barabarta dhe të drejtën e votës për gratë. Ajo e ka zhvilluar lëvizjen socialdemokrate për gratë në Gjermani; nga viti 1891 deri në vitin 1917ato kanë redaktuar gazetën  e grave të PSGJ Die Gleichheit (Barazi).

Në vitin 1907 ajo bëhet lidere e byrosë së sapoformuar të grave pranë PSGJ. Ajo e ka filluar Ditën e parë ndërkombëtare të gruas në 8 mars të vitit 1910, ngjizja e idesë për të cilën ka ndodhur në Kopenhagë.

Dita e parë e gruas është shënuar më 28 shkurt të vitit 1909 në SHBA me iniciativë të Partisë socialiste të Amerikës. Në vitin 1910 nën patronatin e Internacionales së dytë në Kopenhagë është mbajtur Konferenca e parë ndërkombëtare e grave dhe në të është vendosur të kremtohet Dita ndërkombëtare e gruas, por pa një datë të caktuar. Një vit më vonë në 19 mars kjo ditë për herë të parë është festuar nga më shumë se një milion njerëz në Austri, Danimarkë, Gjermani dhe Zvicër, shkruan Demokracia.com.

Në 8 mars të vitit 1913 gratë në mbarë Evropën organizojnë tubime masovike. Pas fitores së bolshevikëve në Rusi, dhe me iniciativë të Aleksandra Kolontajit, vendoset që 8 marsi të shndërrohet në festë shtetërore.

Simbolika e kësaj feste duket të jetë aktualizimi i kërkesave për përmirësimin të kushteve në punë për gratë dhe përmirësimi i statusit të tyre politiko – social në shoqëri.

8 Mars 1857 – Gratë punëtore të një fabrike tekstili dhe veshjeje të Nju Jorkut – SHBA pas shumë vuajtjesh për trajtimin dhe pagat e ulta dhe shfrytëzimit të egër nga punëdhënësi u mblodhën dhe shpallen një grevë në rrugët e kryeqytetit amerikan ku u keqtrajtuan nga policia që ndërhyri për t`i shpërndarë. Por ato nuk u dorëzuan pasi 2 vjet më vonë, në Mars të 1859-ës u mblodhën dhe krijuan sindikatën e tyre për mbrojtjen e të drejtave në punë.

22 Nëntor 1908 – 15 Shkurt 1909 – 20 mijë gra njujorkeze protestuan duke bllokuar rrugët e Nju Jorkut për 3 muaj me radhë nga ku dhe mori emrin “Dita e Gruas”. Kjo protestë shënoi dhe fillimin e mobilizimit të grave në sindikata dhe kërkim të të drejtave të tyre në punë.

26 – 27 Gusht 1910 – Kopenhagen në Folkets Hus (shtëpia e popullit) u mbajt mbledhja Socialiste Ndërkombëtare ku u vendos që ‘Dita e Gruas’ të festohej në të gjithë botën, për nder të lëvizjes së grave për të drejtat e tyre dhe për ti mbështetur gratë në njohjen e statusit të tyre në shoqëri. Në këtë konferencë morën pjesë 100 gra, nga 17 vende të botës, midis tyre dhe tre gratë e para të cilat u zgjodhën si pjesëtare në parlamentin e Finlandës.

19 Mars 1911 – Si rrjedhojë e vendimit të marrë në Kopenhagën, një vit më pas ‘Dita e Gruas’ u vendos të festohej për herë të parë në 19 mars, në Austri, Danimarkë, Gjermani dhe Zvicër, ku miliona burra dhe gra morën pjesë në organizimet kushtuar kësaj dite. Gratë kërkonin të drejtën e votimit, të qeverisjes, të punës, të edukimit si dhe ndalimin e diskriminimit në punë.

25 Mars 1911 – Shpërthen një zjarr i fuqishëm në katet e fundit të Pallatit “Asch” e ” Triangle Waist Company” ku gjendej fabrika e tekstilit, nga ku humbën jetën 146 punëtorë ku shumica ishin gra emigrante italiane dhe hebrenj evropian që kishin emigruar në SHBA për një jetë më të mirë.

Simboli i Mimozës

8 Mars 1946 – Festohet në të gjithë Italinë për herë të parë Dita e Gruas ku dhe për herë të parë shfaqet simboli i lule mimozës (mimoza e artë) e cila lulëzon pikërisht në ditët e para të Marsit. Ideatoret e kësaj simbolike kaq domethënëse ishin Teresa Noce, Rita Montagnana e di Teresa Mattei. Mimoza mbetet simboli i Ditës së Gruas vetëm në Itali dhe Rusi.

Nëntor 1977 – Kombet e bashkuara(UN) njohën botërisht 8-Marsin si ‘Ditën e Gruas’ dhe ftuan të gjithë vendet anëtare që kjo ditë të shndërrohet si kontribute për të drejtat dhe dinjitetit të gruas dhe kushteve të saj.

Që prej asaj dite “Dita Ndërkombëtare e Gruas” mori dimensione të tjera, dhe sot festohet në mbi 100 vende të botës. Në këtë dite reflektohet mbi kurajon dhe veprimet e grave të thjeshta të cilat luajtën një rol të rëndësishëm në historinë e të drejtave të grave.

Gratë kanë të drejtë ti gëzojnë të gjitha standardet më të larta të shëndetit fizik dhe atij mendor. Kjo e drejtë është qenësore për jetën dhe mirëqenien e tyre, si dhe për mundësinë për të marrë pjesë në të gjitha sferat e jetës private dhe asaj publike.

Të gjithë, bashkërisht, duhet të punojmë për ngritjen e vetëdijes për përmirësimin e të drejtave të grave, barazimin tyre me burrat dhe qasje t[ç barabartë në të gjitha sferat e jetës shoqërore./Demokracia.com/

 

 

Të ngjashme