Lajme
Kurti ua prezanton senatorëve amerikanë formulën kushtëzuese “që dialogu të ketë edhe një shans për sukses”
Demokracia
13:51 | 13 Tetor 2023

Share:

Gati tri javë pas sulmit terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zgjedhur dy senatorët amerikanë që të prezantojë formulën e tij kushtëzuese, që dialogu i lehtësuar nga BE-ja të ketë edhe një shans për të pasur sukses.

Në mënyrë që të arrihet kjo, Kurti u ka thënë dy amerikanëve se janë një varg hapash që duhet të ndërmerren dhe në mesin e tyre duhet të përfshihet edhe dënimi për shkeljen e planit franko-gjerman apo Marrëveshjes Bazë të Brukselit (27 shkurt 2023) dhe pjesës integrale të saj, Aneksi i Ohrit (18 mars 2023), shkruan Demokracia.com.

“Njoftova po ashtu senatorët se dialogu i lehtësuar nga BE-ja nuk mund të vazhdojë thuajse nuk ka ndodhur asgjë, nuk mund të vazhdojmë punën këtë status quo edhe më tutje. Kapitulli i dialogut për normalizim duhet të marrë parasysh edhe veprimet sulmuese e agresive të Serbisë dhe përpjekjet e saj për aneksimin e Kosovës. Duhet të ndërmerren një varg hapash që dialogu të ketë edhe një shans për të pasur sukses dhe besoj se është tepër e rëndësishme të kemi një qasje të balancuar, përfshirë që të dënohet çdo shkelje e marrëveshjes bazë dhe aneksit për zbatim ë Ohrit”, ka bërë të ditur kryeministri Kurti të premtën e 13 tetorit 2023.

Sulmi terrorist mbi Republikën e Kosovës nga një grup serbësh, që shumë prej tyre u lanë të arratiseshin në Serbi, ka krijuar një momentum të ri politik e të fuqishëm për pozicionin e Kosovës në dialogun me Serbinë.

Një ide që të kushtëzohet rikthimi në dialogun me Serbinë është prezantuar edhe nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila më 5 tetor 2023 gjatë kohës sa mbahej Samiti i Granadas në Spanjë, refuzoi një takim të mundshëm me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

“Së pari sanksione [për Serbinë], pastaj dialogu”, kishtë thënë presidentja Osmani.

“Së pari sanksione, pastaj dialogu” | Kosova kushtëzon BE-në për dialogun, jo Serbinë

Por, më 10 tetor 2023, ky kushtëzim është hedhur poshtë publikisht nga Bashkimi Evropian, si ndërmjetësues i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

“Dhe kur bëhet fjalë për këto të ashtuquajtura kushte për t’u kthyer në dialog, BE-ja dhe partnerët ndërkombëtarë ishin shumë të qartë: dialogu duhet të vazhdojë, të dyja palët duhet të kthehen në dialog. Pikë”, ka thënë me gjuhë të prerë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

BE-ja refuzon kërkesën e Kosovës për kushtëzimin e dialogut me sanksionim të Serbisë

Menjëherë pas sulmit terrorist të 24 shtatorit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që kanë dënuar fuqishëm këtë sulm dhe që i kanë dhënë mbështetje të madhe Republikës së Kosovës, kanë ftuar të dy palët të kthehen në dialogun që e ndërmjetëson Bashkimi Evropian.

“Sulmet e fundit ndaj Policisë së Kosovës në afërsi të Manastirit të Banjskës janë të papranueshme. Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës dhe Serbisë që të shmangin veprimet që të shkaktojnë tensione të mëtutjeshme dhe të rikthehen menjëherë në dialogun e ndërmjetësuar nga BE”, theksonte Sekretari Amerikan, Antony Blinken më 25 shtator 2023. / Demokracia.com /

Blinken dënon sulmet ndaj Policisë së Kosovës: Kosova dhe Serbia të rikthehen menjëherë në dialogun e ndërmjetësuar nga BE

Amerika thërret palët në dialog | Çka do të bëjë Kurti me Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit ku s’ka njohje reciproke, por ka “Zajednicë”, “Vetëmenaxhim” e “Status të Kishës Serbe”?

Të ngjashme