Lajme
“Së pari sanksione, pastaj dialogu” | Kosova kushtëzon BE-në për dialogun, jo Serbinë
Demokracia
10:15 | 07 Tetor 2023

Share:

“Së pari sanksione [për Serbinë], pastaj dialogu”.

Kjo është formula më e re e Kosovës për të vazhduar dialogun me Serbinë, e cila paraqet kushtëzim të hapur ndaj Bashkimit Evropian, si bartës i procesit dhe që ka një fuqi të tillë për të vendosur sanksione ndaj një shteti. Për aq sa është paraqitur, kjo formulë nuk parasheh ndonjë kushtëzim të drejtpërdrejtë të Republikës së Kosovës ndaj Serbisë, shkruan Demokracia.com.

Ky kushtëzim ndaj BE-së është prezantuar nga presidentja Vjosa Osmani në Samitin e Granadas në Spanjë më 5 tetor dhe vjen vetëm gati dy javë pas sulmit terrorist të një grupi serbësh të armatosur rëndë mbi institucionet e Republikës së Kosovës, të cilët vranë një polic dhe plagosën një tjetër.

Republika e Kosovës ka akuzuar Serbinë për agresionin e hapur, duke prezantuar edhe faktet e shumta e të pamohueshme për rolin e Serbisë në përgatitjen dhe armatosjen e grupit terrorist, të cilët pas përplasjes me Policinë e Kosovës u arratisën për në Serbi.

Të gjitha institucionet kosovare, përfshirë edhe Kuvendin e Kosovës, ku janë pozita dhe opozita, kanë folur me një zë.

“Kuvendi i Republikës së Kosovës e dënon me termat më të ashpër sulmin terrorist të organizuar nga Republika e Serbisë mbi Policinë e Kosovës më 24 shtator 2023, si dhe kërkon nga faktori ndërkombëtar ta ushtrojë ndikimin e tij për ta ballafaquar Serbinë në rolin e saj në raport me organizimin dhe mbështetjen e çfarë do llojshme që i ka bërë grupit terrorist për sulmin ndaj Repulikës së Kosovës”, thuhet në njërën nga pikat e kësaj rezolute, të miratuar më 29 shtator 2023.

Rezoluta e miratuar në Kuvendin e Kosovës për të dënuar sulmet terroriste në veri, kërkohet nga Qeveria të bashkëpunoj me aleatët perëndimor

Kjo Rezolutë nuk kushtëzon dialogun me Serbinë dhe as nuk i referohet askund këtij procesi.

Megjithkëtë, presidentja Osmani ka shfaqur kushtëzimin e saj që gjatë kohës sa mbahej Samiti i Granadas të takohej me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

“Nuk ka arsye për t’u takuar para sanksioneve për Vuçiqin. Së pari sanksione, pastaj takim”, ka thënë Osmani.

“Nuk ka arsye për takim, së pari sanksione pastaj dialogu”, ka insistuar Osmani, pasi sipas saj, sanksionet kundër Serbisë do të jenë garanci për sigurinë në Kosovë, rajon dhe krejt Evropën.

“Sanksionet kundër Serbisë, garancionet e sigurisë për Kosovën, sapo t’i kemi këto në vend, Serbia ta kuptojë që përdorimi i dhunës nuk është zgjidhje. Dialogu dhe paqja janë të rëndësishme”, ka thënë Osmani.

Dialogu merr kthesë tjetër | Osmani: Fillimisht sanksione ndaj Serbisë, pastaj dialogojmë

Edhe kryeministri Albin Kurti ka insistuar që Serbia të ndëshkohet për sulmin ndaj Policisë së Kosovës.

“Nëse kalon e pandëshkuar, atëherë ajo [Serbia] do ta përsërisë krimin”, ka thënë Kurti në disa raste, por nuk ka përmendur mundësinë që Kosova të vendosë ndonjë kushtëzim për procesin e dialogut me Serbinë.

Megjithkëtë, që nga e diela e 24 shtatorit, Kurti nuk ka treguar se cili do të jetë pozicioni i Kosovës në dialogun me Serbinë pas sulmit terrorist, por në përgjithësi, duke iu referuar kësaj ngjarje, ai ka thënë se asgjë më nuk është e njëjtë.

“Prej të dielës që lamë pas asgjë më nuk është e njëjtë. Faktet dolën sheshazi që Serbia po e sponsorizon terrorizmin në veri, u vërtetua e u qartësia për të gjithë”, ka thënë Kurti më 30 shtator 2023. /Demokracia.com/

Amerika thërret palët në dialog | Çka do të bëjë Kurti me Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit ku s’ka njohje reciproke, por ka “Zajednicë”, “Vetëmenaxhim” e “Status të Kishës Serbe”?

Të ngjashme