Lajme
BE-ja refuzon kërkesën e Kosovës për kushtëzimin e dialogut me sanksionim të Serbisë
Demokracia
15:40 | 10 Tetor 2023

Share:

Bashkimi Evropian, si ndërmjetësues i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ka refuzuar publikisht kërkesën e Kosovës për kushtëzimin e rikthimit në dialog.

“Së pari sanksione [për Serbinë], pastaj dialogu”, është formula e prezantuar më 5 tetor 2023 nga presidentja Vjosa Osmani, gjatë kohës sa mbahej Samiti i Granadas në Spanjë, por që vetëm pesë ditë më vonë ka marrë përgjigje negative nga kryeqendra evropiane.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka qenë shumë i prerë në përgjigjen e tij. Ai i është referuar pikërisht ngjarjes së Granada, kur presidentja Osmani kishte kushtëzuar mundësinë e një takimi me presidentin e Serbisë, derisa vendi i tij nuk sanksionohet për aktin agresor ndaj Kosovës, më 24 shtator 2023, shkruan Demokracia.com.

Dialogu merr kthesë tjetër | Osmani: Fillimisht sanksione ndaj Serbisë, pastaj dialogojmë

“Dhe kur bëhet fjalë për këto të ashtuquajtura kushte për t’u kthyer në dialog, BE-ja dhe partnerët ndërkombëtarë ishin shumë të qartë: dialogu duhet të vazhdojë, të dyja palët duhet të kthehen në dialog. Pikë”, ka thënë Stano.

Demokracia.com ka raportuar ditë më parë se formula “Së pari sanksione [për Serbinë], pastaj dialogu”, paraqet kushtëzim të hapur ndaj Bashkimit Evropian, si bartës i procesit dhe që ka një fuqi të tillë për të vendosur sanksione ndaj një shteti. Për aq sa është paraqitur, kjo formulë nuk parasheh ndonjë kushtëzim të drejtpërdrejtë të Republikës së Kosovës ndaj Serbisë.

“Së pari sanksione, pastaj dialogu” | Kosova kushtëzon BE-në për dialogun, jo Serbinë

Ky kushtëzim ndaj BE-së është prezantuar nga presidentja Vjosa Osmani në Samitin e Granadas në Spanjë më 5 tetor dhe vjen vetëm gati dy javë pas sulmit terrorist të një grupi serbësh të armatosur rëndë mbi institucionet e Republikës së Kosovës, të cilët vranë një polic dhe plagosën një tjetër.

Republika e Kosovës ka akuzuar Serbinë për agresionin e hapur, duke prezantuar edhe faktet e shumta e të pamohueshme për rolin e Serbisë në përgatitjen dhe armatosjen e grupit terrorist, të cilët pas përplasjes me Policinë e Kosovës u arratisën për në Serbi.

Për dallim nga presidentja Osmani, kryeministri Albin Kurti nuk ka përmendur ndonjë kushtëzim specifik për procesin e dialogut, megjithatë, ka insistuar që Serbia të ndëshkohet për sulmin ndaj Plolicisë së Kosovës. “Nëse kalon e pandëshkuar, atëherë ajo [Serbia] do ta përsërisë krimin”, ka thënë Kurti në disa raste. /Demokracia.com/

Amerika thërret palët në dialog | Çka do të bëjë Kurti me Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit ku s’ka njohje reciproke, por ka “Zajednicë”, “Vetëmenaxhim” e “Status të Kishës Serbe”?

 

Të ngjashme