Lajme
Amerika thërret palët në dialog | Çka do të bëjë Kurti me Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit ku s’ka njohje reciproke, por ka “Zajednicë”, “Vetëmenaxhim” e “Status të Kishës Serbe”?
Demokracia
09:55 | 27 Shtator 2023

Share:

Sulmi terrorist mbi Republikën e Kosovës nga një grup serbësh, që shumë prej tyre u lanë të ikin në Serbi, ka krijuar një momentum të ri politik e të fuqishëm për pozicionin e Kosovës në dialogun me Serbinë.

Se si do të arrijë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ta shfrytëzojë këtë situatë në përballje me kryenegociatorin serb, Aleksandër Vuçiq, do të mbetet të shihet në ditët në vazhdim.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që kanë dënuar fuqishëm këtë sulm dhe që i kanë dhënë mbështetje të madhe Republikës së Kosovës, kanë ftuar të dy palët të kthehen në dialogun që e ndërmjetëson Bashkimi Evropian, shkruan Demokracia.com.

Shumë prej pyetjeve që mund të shtrohen, aktualisht nuk kanë përgjigje.

“Çka do të ndodhë me Marrëveshjen Bazë të Brukselit (27 shkurt 2023) dhe Aneksit të Ohrit (18 mars 2023)?” dhe “Çka do të bëjë Kurti me Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit, ku s’ka njohje reciproke ndërshtetërore, por ka “Zajednicë”, “Vetëmenaxhim për serbët” dhe “status të Kishës Ortodokse Serbe”?

Kritikat janë të shumta për rezultatet e marrëveshjeve të pranuara nga Kurti më 27 shkurt dhe 18 mars. Madje, edhe kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca, është deklaruar me pasiguri të madhe në intervistën e tij të datës 15 shtator 2023. Sipas tij, përpjekja e tyre është që ta ruajnë atë që e kishte arritur kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi në vitin 2013, që të themelohet Asociacioni  dhe të fitohet njohja de-facto nga Serbia. Fjala është për Asociacion pa kompetenca ekzekutive,  në përputhje të plotë me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.

“Neni 7 i Marrëveshjes së Ohrit është – se dy pjesë janë këtu njohja de facto edhe qyky Asociacioni – me mujtë Kosova, kurgjo pa e ngarku Kosovën më shumë se që ka pranu Qeveria Thaçi 2013, kurgjo ma shumë për mos me dhanë për me arritë t’i me fitu njohjen de facto. Qekjo na është dukë neve deal (marrëveshje) e mirë”, ka thënë Konjufca.

Kurti thotë “Ka ikur koha e Thaçit dhe Ashtonit”, por Konjufca pranon që marrëveshja për Asociacionin e 2013-ës ishte e mirë dhe sillte njohjen de-facto

 

Që kryeministri Kurti ka bërë lëshim të madh në Bruksel dhe Ohër, duke hequr dorë nga domosdoshmëria që Serbia de-jure ta njohë shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës, është konfirmuar edhe nga dy zyrtarët e lartë të Qeverisë së Kosovës, Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla dhe Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.

S’ka më dilema | Edhe Donika Gërvalla e pranon publikisht se Kurti hoqi dorë nga njohja de-jure e Kosovës nga Serbia

Bislimi: Kosova bëri lëshim të madh që pranuam marrëveshjen pa njohje formale

 

Menjëherë pas ngjarjeve të së dielës së 25 shtatorit, reagimet kanë qenë të shumta.

Pas sulmit terrorist mbi Policinë e Kosovës, këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka njoftuar se ka zhvilluar bisedë me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, si dhe me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Të dyve ua ka parashtruar një kërkesë të njëjtë: Të kthehen në dialogun që e ndërmjetëson BE-ja.

“Bisedova me kryeministrin Albin Kurti pas sulmit të tmerrshëm të së dielës në Kosovë. Dënoj ashpër dhunën kundër Policisë së Kosovës; shpreh ngushëllime për humbjen e rreshterit Afrim Bunjaku. Të dyja palët duhet të kthehen në dialogun e ndërmjetësuar nga BE dhe të zbatojnë angazhimet e Ohrit”, njoftoi Chollet.

“Bidedova me presidentin Vuçiq për rëndësinë e deeskalimit të menjëhershëm në veri të Kosovës dhe shmangien e veprimeve që mund të nxisin më tej tensionet. Humbja tragjike e jetës nënvizon nevojën urgjente për të rivendosur qetësinë dhe për t’u kthyer në Dialogun e lehtësuar nga BE”, njoftoi poashtu Chollet.

Me Marrëveshjen e Brukselit, kryeministri Kurti ka pranuar që të sigurojë “një nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë”. Përmbajtja e Nenit 7 të kësaj marrëveshje ka ngjallur frikë në Kosovë se kjo mund të çojë në autonomi për serbët në Kosovë, por vetë Kurti ka thënë se nuk bëhet fjalë për vetëqeverisje.

“Të dyja palët përkushtohen për arritjen e aranzhimeve specifike, në përputhje me instrumentet relevante të Këshillit të Evropës dhe duke përdorur përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe mundësinë për provizione të shërbimeve në disa fusha specifike, përfshirë edhe mundësinë e asistencës financiare nga Serbia dhe kanale të komunikimit direkt të komunitetit serb me Qeverinë e Kosovës. Palët do të formalizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe të ofrojnë nivel të lartë të mbrojtjes së trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane”, thuhet në nenin 7.

Ndërkaq, në nenin 10 të Marrëveshjes së Brukselit, kryeministri Kurti është dakorduar për të zbatuar të gjitha marrëveshjet e dialogut, ku bënë pjesë edhe “Zajednica” shumë e kundërshtuar prej tij si opozitar.

“Neni 10 – Të dyja palët konfirmojnë detyrimin e tyre për të zbatuar të gjitha marrëveshjet e kaluara të Dialogut, të cilat mbeten të vlefshme dhe detyruese”, thuhet në përmbajtjen e këtij neni.

Sidoqoftë, pas zhvillimet të fundit në veriun e Kosovës, ende nuk dihet se kur do të mbahet takimi i radhës ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq. /Demokracia.com/

Të ngjashme
Lajme • 17 Maj 2024