Lajme
Kërkesat e Kurtit që nuk po i dëgjon askush: “Të largohet Odaloviq”, “Sanksione para dialogut”, “Dua ta shkruaj Statutin e Zajednicës”, “Të ndahet Integrimi nga Dialogu”
Demokracia
09:35 | 25 Janar 2024

Share:

Që nga përfshirja e drejtpërdrejtë e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, në dialogun me Serbinë, numri i kërkesave të paraqitura prej tij ka qenë jashtëzakonisht i madh.

Por, ankesat dhe kërkesat e kryeministrit Kurti, në fund të ditës nuk po i dëgjon askush, duke e portretizuar atë si një negociator që s’mund të arrijë asgjë, qoftë edhe aprovimin e një kërkese të vetme.

Demokracia.com sjellë listën e kërkesave të prezantuara publikisht nga vetë kryeministri Kurti, në momente të caktuara të zhvillimit të negociatave. Shpeshherë këto kërkesa vijnë me shumë muaj vonesë, siç ndodhi me idenë e prezantuar për “ndarjen e integrimit të Kosovës nga procesi i dialogut”, e cila erdhi 10 muaj pasi këtë lidhje ai e pranoi vetë në Ohër, më 18 mars 2023, apo me kërkesën për ta shkruar një draftstatut për themelimin e Zajednicës vetëm pasi një i tillë ishte përgatitur nga Bashkimi Evropian, shkruan Demokracia.com.

JANAR 2024 – TË NDAHET INTEGRIMI NGA DIALOGU

Gjatë kohës sa zhvillohej Samiti “BE – Ballkani Perëndimor”, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, prezantoi për herë të parë idenë/kërkesën e tij që procesi i integrimit evropian të Kosovës të ndahet nga procesi i dialogut.

“Duhet të ndahet procesi i anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian nga procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. E kuptoj se BE-ja në thelb e ka fqinjësinë e mirë, por duhet kuptuar se nuk është kollaj të normalizohen marrëdhëniet me një shtet që nuk e ka prioritet as perëndimin, as demokracinë”, u ka thënë Kurti gazetarëve në Shkup, në kohën sa zhvillohej Samiti “BE – Ballkani Perëndimor”.

Kërkesa e Kurtit vjen plot 10 muaj pas dakordimit të tij me Presidentin e Serbisë për Aneksin e zbatimit [Ohër, 18 mars 2023] të Marrëveshjes Bazë [Bruksel, 27 shkurt 2023], në pikën 2 të të cilit qëndron edhe ujdia që “Marrëveshja dhe Aneksi i zbatimit bëhen pjesë integrale e proceseve përkatëse të anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në BE”.

Lexo më shumë:

“Marrëveshja dhe Aneksi pjesë integrale e anëtarësimit në BE” | Kurti dhe zëvendësi i tij bëhen “pishman”, këmbëngulin që të ndahet “integrimi” nga “dialogu”

Nuk ka vonuar shumë përgjigjja e Bashkimit Evropian dhe përmes zëdhënësit Peter Stano ka hedhur poshtë kërkesën e kryeministrit Kurti, duke potencuar se procesi integrues i Kosovës lidhet drejtpërdrejtë me procesin e dialogut.

“Politika e BE-së ka qenë e qartë me vite. Rruga evropiane për Kosovën dhe Serbinë lëvizë nëpërmjet dialogut të normalizimit. Pa normalizim nuk ka aderim në BE. Nga parimet themelore të aderimit në BE, jo vetëm për Kosovën e Serbinë, por të gjithë, për vendet që janë anëtare tash, për Kroacinë dhe Slloveninë më parë, për Hungarinë dhe Sllovakinë më parë, parimi themelor është pajtimi, marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe zgjidhja e të gjitha problemeve nga e kaluara, që mos t’i sjellim në BE”, ka thënë Stano më 24 janar 2024.

Lexo më shumë: https://demokracia.com/stano-rruga-evropiane-e-kosoves-varet-nga-dialogu-per-normalizim-te-marredhenieve-me-serbine/

DHJETOR 2023 – EDHE UNË DUA TA SHKRUAJ STATUTIN E ZAJEDNICËS

Kërkesa për ndarjen e “integrimit nga dialogu” nuk është e vetmja nga kryeministri Kurti.

Vetëm një muaj më herët, më 22 dhjetor 2023, Kurti iu kishte kundërpërgjigjur emisarit evropian për dialogun, i cili kishte thënë se nuk është i nevojshëm nënshkrimi i Statutit për Zajednicën nga Kosova dhe Serbia, pasi ai është paraparë të jetë dokument i brendshëm i Kosovës.

Në kundërpërgjigjen e tij, kryeministri Kurti kishte thënë se “meqë draft-statuti na qenka veçse çështje e brendshme e Kosovës, në vitin e ardhshëm, unë mund ta shkruaj një draft modern evropian në konsultim me ministrat e mi Nenad Rashiq (Komunitete dhe Kthim) dhe Elbert Krasniqi (Administrimi i Pushtetit Lokal)”.

Lexo më shumë:

“Mund ta shkruaj”, “S’kam thënë se dua të shkruaj”, “Kam aftësi ta shkruaj” | Kurti joserioz dhe i pavendosur

As kjo ide e Kurtit nuk është mbështetur nga Bashkimi Evropian. Zëdhënësi Peter Stano ka përsëritur më 24 janar 2024 një përgjigje të mëhershme pikërisht për këtë temë. Ai ka thënë se Kosova ka dështuar të shkruajë draftin e saj edhe përkundër thirrjeve të shumta nga BE dhe ShBA.

“Përkundër thirrjeve të shumta nga BE-ja dhe SHBA-ja, në nivelin më të lartë. Drafti është përgatitur nga ne, duke respektuar vijat e kuqe të Kosovës, me pjesëmarrjen aktive të ekspertëve më të njohur ligjorë ndërkombëtarë, duke marrë parasysh modelet më efektive të asociacioneve të ngjashme brenda BE-së. Janë mbi 20 modele në BE që funksionojnë pa krijuar frikë për autonomi a ndarje”, ka thënë Stano.

TETOR 2023 – SANKSIONE PËR SERBINË PARA DIALOGUT

Pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit nga një grup serbësh të armatosur, pala kosovare u mundua ta kushtëzojë vazhdimin e dialogut me sanksionimin e Serbisë për përgjegjësinë e saj shtetërore në organizimin dhe përgatitjen e këtij sulmi.

“Sanksione për Serbinë para dialogut” ishte formula e prezantuar fillimisht nga presidentja Vjosa Osmani dhe më pas edhe nga kryeministri Albin Kurti, shkruan Demokracia.com.

“Së pari sanksione, pastaj dialogu” | Kosova kushtëzon BE-në për dialogun, jo Serbinë

Kurti në takim me Roth: Dialogu nuk mund të vazhdojë sikur nuk ka ndodhur asgjë

Por, më 10 tetor 2023, edhe kjo kërkesë u refuzua publikisht nga Bashkimi Evropian.

“Dhe kur bëhet fjalë për këto të ashtuquajtura kushte për t’u kthyer në dialog, BE-ja dhe partnerët ndërkombëtarë ishin shumë të qartë: dialogu duhet të vazhdojë, të dyja palët duhet të kthehen në dialog. Pikë!”, deklaronte zëdhënësi i BE-së.

BE-ja refuzon kërkesën e Kosovës për kushtëzimin e dialogut me sanksionim të Serbisë

QERSHOR 2021 – TË LARGOHET NGA DIALOGU Z. VELJKO ODALOVIQ

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte filluar serinë e tij të kërkesave në dialog qysh në takimin e tij të parë me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, më 15 qershor 2021.

“Për çështjen e të pagjeturve, të të zhdukurve me dhunë, duhet larguar nga pozita që ka dhe duhet marrë në pyetje kreun e delegacionit serb, z. Veljko Odaloviq, i cili në vitet 1997 – 1999, ishte “naçelnik i qarkut të Kosovës” dhe udhëhiqte me Kosovën e okupuar bashkë me z. Zoran Angjelkoviq”.

Ky ishte propozimi numër 4 i bërë nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në takimin e parë me presidentin serb. Por, siç do të njoftonte edhe vetë Kurti, propozimi i tij u refuzua në tavolinë.

“Për propozimin tim të parë nuk u përgjigjën, ndërkaq tri propozimet e tjera i refuzuan. Shpresoj që kur të kthehen në Beograd, z. Vuçiq dhe z. Selakoviq, të mendojnë më shumë dhe ta konsiderojnë seriozisht pranimin e këtyre propozimeve”, shkruante Kurti më 15 qershor 2021. /Demokracia.com/

“Nuk na duhet një ndërmjetësues si Lajçak” | Kurti kishte kërkuar të largohej nga dialogu edhe krimineli Veljko Odaloviq, por më pas nuk bëri zë…

Të ngjashme
Lajme • 06 Dhjetor 2024