Lajme
“Nuk na duhet një ndërmjetësues si Lajçak” | Kurti kishte kërkuar të largohej nga dialogu edhe krimineli Veljko Odaloviq, por më pas nuk bëri zë…
Demokracia
13:06 | 21 Shtator 2023

Share:

Kërkesa e kryeministrit Kurti për largimin nga dialogu të emisarit të BE-së, sllovakut Miroslav Lajçak, me arsyetimin se “Neve nuk na duhet një ndërmjetësim i tillë, i njëanshëm, aspak neutral…”, nuk është kërkesa e tij e parë për të larguar një person nga procesi negociator me Serbinë.

Një kërkesë të tillë, kryeministri Kurti e kishte bërë edhe kur për herë të parë e takoi presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Para përfaqësuesve të BE-së dhe Serbisë, ai kishte parashtruar kërkesën për largimin nga delegacioni serb të Veljko Odaloviqit.

“DUHET LARGUAR Z. VELJKO ODALOVIQ”, KËRKESA QË U HARRUA NGA KURTI

“Për çështjen e të pagjeturve, të të zhdukurve me dhunë, duhet larguar nga pozita që ka dhe duhet marrë në pyetje kreun e delegacionit serb, z. Veljko Odaloviq, i cili në vitet 1997 – 1999, ishte “naçelnik i qarkut të Kosovës” dhe udhëhiqte me Kosovën e okupuar bashkë me z. Zoran Angjelkoviq”.

Ky ishte propozimi numër 4, i bërë nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në takimin e 15 qershorit 2021, në Bruksel, i cili njëkohësisht ishte takimi i parë me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Ky propozim për Kurtin ishte një hap për dialog konstruktiv mes Kosovës dhe Serbisë, shkruan Demokracia.com.

Por, ky mbeti vetëm një propozim dhe një kërkesë e kotë e kryeministrit Kurti, pasi ajo nuk u mor parasysh dhe u kundërshtua menjëherë. Kurti kishte njoftuar për injorimin e kërkesave të tij.

“Për propozimin tim të parë nuk u përgjigjën, ndërkaq tri propozimet e tjera i refuzuan. Shpresoj që kur të kthehen në Beograd, z. Vuçiq dhe z. Selakoviq, të mendojnë më shumë dhe ta konsiderojnë seriozisht pranimin e këtyre propozimeve”, shkruante Kurti më 15 qershor 2021.

Pavarësisht injorimit të kërkesës së tij për të larguar nga delegacioni të një zyrtari serbi, Kurti nuk e pa këtë si pengesë për zhvillimin e mëtejshëm të dialogut mes dy vendeve. Ai e harroi kërkesën e tij të mesit të qershorit dhe nuk e përsëriti më.

“NUK NA DUHET NJË NDËRMJETËSUES SI LAJÇAK”, KËRKESA QË U REFUZA ASHPËR NGA SHBA DHE BE

Pas dështimit të takimit të 14 shtatorit në Bruksel, ku kryeministri Kurti refuzoi propozimin e BE-së për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksin e saj të Ohrit, ai drejtoi akuza të rënda në adresë të ndërmjetësuesit të BE-së, Miroslav Lajçak, për anshmëri dhe favorizim të Serbisë. Sipas Kurtit, Lajçak “pati një pozicionim të qartë të ndërmjetësit kundër Kosovës”.

Kjo ka mjaftuar që kryeministri Kurti të paraqesë kërkesën publike, të cilën e ka dërguar edhe në Uashington, Bruksel, Paris, Berlin e Romë, se “neve nuk na duhet një ndërmjetësim i tillë, i njëanshëm, aspak neutral e korrekt, i cili shkon kundër Marrëveshjes Bazike, siç ka ndodhur me ndërmjetësimin e emisarit Lajçak tani”.

Kurti i ankohet Uashingtonit, Brukselit, Parisit e Romës se Lajçaku e ka vendosur “qerren para kalit”

Kërkesa e Kurtit ka marrë edhe një përgjigje të ashpër nga i dërguari i posaçëm i SHBA-së për dialogun, Gabriel Escobar, në një intervistë dhënë për Zërin e Amerikës, të publikuar më 21 shtator 2023.

Escobar: I alarmuar nga sulmet personale ndaj Lajçakut, Qeveria e Kosovës duhet ta dijë se kjo është e papranueshme

I pyetur se cili është komenti i tij për kritikat e shprehura nga kryeministri Kurti për ndërmjetësuesin Miroslav Laçak, Escobar ka dhënë përgjigje të prerë.

“Lajçaku gëzon besimin e plotë të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara. Të gjitha vendet e BE-së bënë një deklaratë të përbashkët pas dështimit të bisedimeve, me mbështetje për Lajçakun. Është diçka me të cilën duhet të përballen. Lajçaku nuk do të largohet. Dialogu nuk do të largohet”, ka thënë ai. /Demokracia.com/

Të ngjashme