Lajme
Kurti në takim me Roth: Dialogu nuk mund të vazhdojë sikur nuk ka ndodhur asgjë
Demokracia
12:33 | 16 Tetor 2023

Share:

Në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit që po mbahet në Tiranë, kryeministri Kurti është takuar me Kryesuesin e Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit gjerman, Michael Roth.

Në njoftimin e ZKM’së thuhet se gjatë takimit u diskutua rreth situatës aktuale në vend dhe procesin e dialogut.

Sa i përket dialogut, Kurti ka thënë se ai nuk mund të vazhdojë sikur të mos ketë ndodhur asgjë.

“Në lidhje me procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, Kryeministri Kurti u shpreh se ai nuk mund të vazhdojë sikurse të mos ketë ndodhur asgjë. Kapitulli i ardhshëm i dialogut për normalizim duhet ta ketë parasysh veprimin agresor të Serbisë përmes sulmit terrorist të 24 shtatorit, për të cilin ka dëshmi e fakte të mjaftueshme për përfshirjen e Serbisë.”

ZKM thotë se qasja në proces duhet të jetë e balancuar, të respektohet dhe zbatohet në plotni Marrëveshja Bazike dhe aneksi i saj.

“Serbia të zmbrapset nga refuzimi publik dhe faktik i pjesëve të Marrëveshjes Bazike të cilat kanë të bëjnë me njohjen de-facto të Kosovës dhe integritetin tonë territorial.”

Në këtë takim, Kurti dhe Roth kanë biseduar edhe rreth rrugëtimit e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë.

Kurti e ka falënderuar Roth për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë si dhe të tij ndaj Kosovës.

Të ngjashme