Lajme
“Marrëveshja dhe Aneksi pjesë integrale e anëtarësimit në BE” | Kurti dhe zëvendësi i tij bëhen “pishman”, këmbëngulin që të ndahet “integrimi” nga “dialogu”
Demokracia
13:40 | 24 Janar 2024

Share:

“Pozita jonë është që masat duhet të hiqen, por më e rëndësishme është që procesi i dialogut të ndahet nga procesi i integrimit në BE”.

Kjo është deklarata e Zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bisilimi, dhënë më 24 janar 2024, në një konferencë të përbashkët me Ministrin për Çështje Evropiane të Republikës Çeke, Martin Dvorak, vetëm dy ditë pasi të njëjtën kërkesë e prezantoi në Shkup, kryeministri Albin Kurti, shkruan Demokracia.com.

Kjo kërkesë e përsëritur që është shndërruar në kërkesë zyrtare të palës kosovare, synon që të zhbëjë pikën 2 të Aneksit të Ohrit [18 mars 2023] për zbatimin e Marrëveshjes Bazë të Brukselit [27 shkurt 2023] e arritur mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Kjo pikë specifikon qartësisht lidhjen e integrimit evropian me procesin e dialogut dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura.

“Palët e kanë parasysh se Marrëveshja dhe Aneksi i zbatimit bëhen pjesë integrale e proceseve përkatëse të anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në BE. Palët e kanë parasysh se, menjëherë pas miratimit të Marrëveshjes dhe këtij Aneksi, ndërmjetësuesi i BE-së do të fillojë procesin për t’i ndryshuar standardet e Kapitullit 35 për Serbinë, për t’i konsideruar detyrimet e reja të Serbisë, që rrjedhin nga Marrëveshja dhe Aneksi”, thuhet në pikën 2 të Aneksit të Ohrit.

Një kërkesë të tillë, i pari e ka parashtruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 22 janar 2024, në Shkup, gjatë konferencës së tij në kohën sa zhvillohej Samiti “BE – Ballkani Perëndimor”.

“Duhet të ndahet procesi i anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian nga procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. E kuptoj se BE-ja në thelb e ka fqinjësinë e mirë, por duhet kuptuar se nuk është kollaj të normalizohen marrëdhëniet me një shtet që nuk e ka prioritet as perëndimin, as demokracinë”, u ka thënë Kurti gazetarëve.

Kjo deklaratë e kryeministrit Kurti vjen 10 muaj pas dakordimit të tij me Presidentin e Serbisë për Aneksin e zbatimit [Ohër, 18 mars 2023] të Marrëveshjes Bazë [Bruksel, 27 shkurt 2023].

Deri më tani, nga Bashkimi Evropian nuk ka pasur ndonjë reagim zyrtar lidur me kërkesën e palës kosovare. / Demokracia.com /

Të ngjashme