Lajme
2024 | Kurti nuk deklaron asnjë prioritet në vitin e fundit të mandatit, s’ka gjë tjetër veç dialogut e Zajednicës
Demokracia
11:44 | 08 Janar 2024

Share:

Viti 2024 ka filluar, por pa një pasqyrë të qartë se cili do të jetë prioriteti i kryeministrit Albin Kurti dhe Qeverisë së tij në vitin e fundit të mandatit.

Tri vitet e kaluara të Kurtit dhe Qeverisë së tij nuk do të mbahen mend për investim në ndonjë projekt madhor ekonomik, që do të kishte lënë gjurmë për gjeneratat e ardhshme, shkruan Demokracia.com.

Viti 2023 ka qenë i mbushur vetëm me ngjarje që ndërlidhen direkt apo indikrekt me dialogun Kosovë – Serbi. Kështu duket se do të jetë edhe në vitin që sapo kemi hyrë, 2024.

Në qendër të këtij dialogu, vazhdon të qëndrojë themelimi i Zajednicës apo Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, i cili, sipas asaj që dihet deri më tani, ka marrë trajtë të rrezikshme që do të çojë në autonomi për serbët e Kosovës dhe që i referohet Rezolutës 1244 të KS të OKB-së.

Por, cilat janë datat me rëndësi nga dialogu Kosovë – Serbi që shënuan vitin2023 dhe të cilat do ta shoqërojnë edhe vitin 2024?

BRUKSEL, 27 SHKURT 2023 – PRANIMI ZYRTAR I ZAJEDNICËS NGA KURTI

Pas dialogut dyvjeçar pala kosovare u përfaqësua nga Qeveria e re e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti, e cila doli pas zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021, Kosova dhe Serbia arritën ujdinë e madhe në Bruksel më 27 shkurt 2023.

Kjo marrëveshje ka 6 paragrafë në preambulë dhe 11 nene. Në mesin e tyre është edhe neni 7, për të cilin kryeministri Kurti zbuloi detaje të rëndësishme në seancën e Kuvendit dhe neni 10, përmes së cilit Kurti, si kundërshtar i madh i Zajednicës, ka pranuar që do ta themelojë atë, duke braktisur kauzën e tij 10-vjeçare që e solli në pushtet.

Lexo më shumë:

“Populli më votoi të parandaloj bosnjëzimin e Kosovës – Zajednicën” | Albin Kurti tradhtoi besimin e qytetarëve të Kosovës (VIDEO)

Ky nen nuk ishte përmendur asnjëherë më parë në procesin negociator mes Kosovës dhe Serbisë, por ndodhi, ashtu siç e pranoi edhe vetë Kurti të premten e 3 nëntorit, gjatë dialogut të udhëhequr prej tij, që u formalizua në Marrëveshjen Bazë (Bruksel, 27 shkurt 2023) e arritur nga ai me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Neni 7 ka dy pjesë përbërëse e themelore. Në pjesën e parë të tij, serbëve në Kosovë u sigurohet një nivel i duhur i vetëmenaxhimit dhe një kanal i drejtpërdrejtë komunikimi me Qeverinë e Kosovës. Ndërkaq, në pjesën e dytë të të njëjtit nen, Kosova ka marrë obligime që ta zyrtarizojë statusin e Kishës Ortodokse Serbe, shkruan Demokracia.com.


Më 3 nëntor 2023, kryeministri Kurti ka deklaruar nga foltorja e Kuvedit të Kosovës se neni 7 është rezultat i dialogut të kryesuar prej tij. Kjo deklaratë e Kurtit vinte gjatë raportimit të tij për takimin e 21 tetorit me 5 emisarët që vinin nga ShBA-ja, Gjermania, Franca, Italia dhe BE-ja, të cilët ia dorëzuan në zyrën e tij një draft-statut për themelimin e Zajednicës apo Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Neni 7 është rezultat i dialogut në këto dy vite. Pa nenin 7 do të përfundonim vetëm me nenin 10. Kërkesa jonë ka qenë tek zbatimi i plotë i marrëveshjes. Në këtë drejtim, më 21 tetor kemi pritur 5 emisarët me një plan për ecjen përpara që përfshinte edhe një plan për një draft-statut për zbatimin e nenit 7”.

Lexo më shumë:

Si e zbuloi rastësisht Albin Kurti se rezultat i dialogut të tij është Neni 7 për Vetëmenaxhimin e serbëve dhe zyrtarizimin e statusit të Kishës Ortodokse Serbe?

OHËR, 18 MARS 2023 – LIDHJA PËRGJITHMONË E INTEGRIMIT EVROPIAN TË KOSOVËS ME THEMELIMIN E ZAJEDNICËS

“Zajednica”, “Vetëmenaxhimi për serbët” dhe “Statusi i Kishës Ortodokse Serbe”, janë themelet e Marrëveshjes Bazë të Brukselit. Por, me Aneksin e Ohrit, të datës 18 mars 2023, me ujdinë e krymeministrit Kurti, ato janë bërë pjesë e pandashme e rrugës së Kosovës për në Bashkimin Evropian. Suksesi i këtij anëtarësimi është i varur plotësisht nga niveli i zbatimit të këtyre marrëveshjeve.

Në pikën 2 të Aneksit të Ohrit thuhet se “palët e kanë parasysh se Marrëveshja dhe Aneksi i zbatimit bëhen pjesë integrale e proceseve përkatëse të anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në BE”.

“2. Palët e kanë parasysh se Marrëveshja dhe Aneksi i zbatimit bëhen pjesë integrale e proceseve përkatëse të anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në BE. Palët e kanë parasysh se, menjëherë pas miratimit të Marrëveshjes dhe këtij Aneksi, ndërmjetësuesi i BE-së do të fillojë procesin për t’i ndryshuar standardet e Kapitullit 35 për Serbinë, për t’i konsideruar detyrimet e reja të Serbisë, që rrjedhin nga Marrëveshja dhe Aneksi”.

Lexo më shumë:

Zgjedhje të reja | A do të mashtrojë prapë Albin Kurti që Zajednica “nuk kalon” dhe t’i lutet më pas Vuçiqit për nënshkrim?

Lexo më shumë:

BE konfirmon se Kurti e lidhi përgjithmonë integrimin evropian të Kosovës me Zajednicën dhe statusin e Kishës Ortodokse Serbe

PRISHTINË, 21 TETOR 2023 – PRANIMI I DRAFTSTATUTIT TË ZAJEDNICËS

Më 21 tetor 2023, kryeministrit Kurti i është dorëzuar një draftstatut për themelimin e Zajednicës nga 5 emisarët që përfaqësojnë ShBA-në, BE-në, Gjermaninë, Francën e Italinë.

Që nga ajo kohë, përmbajtja e këtij dokumenti vazhdon të mbahet fshehur nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Vetëm disa pjesë janë bërë publike nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, i cili ka zbuluar skandalin e madh të shefit të tij në Qeveri se Statuti i Zajednicës së pranuar nga Kurti, i referohet Rezolutës 1244 të KS të OKB-së.

“Diku në draft [Rezoluta 1244] përmendet. Për këtë përgjigjen ata që e kanë hartuar”, ka deklaruar zëvendëskryeministri Bislimi më 13 dhjetor 2023, duke shpërfaq në publik njërin nga skandalet më të mëdha të kryeministrit Albin Kurti, i cili me veprimet dhe obligimet që ka marrë para bashkësisë ndërkombëtare rezolutojnë të rrezikshme për kushtetutshmërinë e Republikës së Kosovës.

Lexo më shumë:

Si e zbuloi Bislimi skandalin e madh të shefit të tij? | Zajednica i referohet Rezolutës 1244, Kurti u vetëofrua ta nënshkruajë pa asnjë kundërshtim (Fakte)

BRUKSEL, 26 TETOR 2023 – VETËOFRIMI I PANEVOJSHËM I KURTIT PËR TA NËNSHKRUAR EDHE STATUTIN E ZAJEDNICËS

Vetëm pak ditë më vonë, më 26 tetor 2023, ka shprehur gatishmëri para liderëve evropianë (Scholz, Macron, Meloni, Michel, Borrell) që të njëjtin ta nënshkruajë.

“Kryeministri Kurti rikujtoi që ai ishte i gatshëm të nënshkruaj edhe në Bruksel më 27 shkurt 2023, edhe në Ohër më 18 mars 2023, edhe sonte, më 26 tetor 2023, duke theksuar që pikërisht Samiti i Këshillit Evropian në Bruksel është ngjarja e duhur, në vendin e duhur për nënshkrim të Marrëveshjes Bazike, përfshirë edhe draftin e ofruar nga BE-ja dhe ShBA-të për zbatimin e nenit 7 në ndërlidhje të nenit 10 të Marrëveshjes Bazike”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës të datës 26 tetor 2023.

Lexo njoftimin e plotë:

https://kryeministri.rks-gov.net/blog/komunikate-per-media-pas-takimit-ne-bruksel-me-kreret-e-bashkimit-evropian/

Kurti është vetëofruar ta nënshkruajë jo vetëm Statutin për Zajednicën, por edhe ujdinë e Brukselit dhe Ohrit, ndonëse ai është dakorduar me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, se Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit do të hyjnë në fuqi me Deklaratën e BE-së. /Demokracia.com/

Lexo më shumë:

“Nënshkrimi” | Kurti me filma të lodhtë në kërkim të nënshkrimit të Serbisë, ai është pajtuar me Vuçiqin që Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit të hyjnë në fuqi me Deklaratën e BE-së

Demokracia

Të ngjashme