Lajme
Si e zbuloi rastësisht Albin Kurti se rezultat i dialogut të tij është Neni 7 për Vetëmenaxhimin e serbëve dhe zyrtarizimin e statusit të Kishës Ortodokse Serbe?
Demokracia
09:19 | 04 Nëntor 2023

Share:

“Neni 7 është rezultat i dialogut në këto dy vite. Pa nenin 7 do të përfundonim vetëm me nenin 10. Kërkesa jonë ka qenë tek zbatimi i plotë i marrëveshjes. Në këtë drejtim, më 21 tetor kemi pritur 5 emisarët me një plan për ecjen përpara që përfshinte edhe një plan për një draft-statut për zbatimin e nenit 7”.

Kjo është deklarata e kryeministrit Albin Kurti, dhënë në Kuvendin e Kosovës më 3 nëntor 2023, gjatë raportimit të tij për takimin e 21 tetorit me 5 emisarët që vinin nga ShBA-ja, Gjermania Franca, Italia dhe BE-ja, të cilët ia dorëzuan në zyrën e tij një draft-statut për themelimin e Zajednicës apo Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, shkruan Demokracia.com.

Në fakt, përmes kësaj deklarate, kryeministri Kurti ka zbuluar se Neni 7, i cili shikohet me mjaft frikë në Kosovë si një derë që mund të çojë në autonominë e serbëve, është rezultat i dialogut të tij.

Ky nen nuk ishte përmendur asnjëherë më parë në procesin negociator mes Kosovës dhe Serbisë, por ndodhi, ashtu siç e pranoi edhe vetë Kurti të premten e 3 nëntorit, gjatë dialogut të udhëhequr prej tij, që u formalizua në Marrëveshjen Bazë (Bruksel, 27 shkurt 2023) e arritur nga ai me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Kjo marrëveshje ka 6 paragrafë në preambulë dhe 11 nene. Në mesin e tyre është edhe Neni 7, për të cilin kryeministri Kurti zbuloi detaje të rëndësishme në seancën e Kuvendit dhe Neni 10, përmes së cilit Kurti, si kundërshtar i madh i Zajednicës, ka pranuar që do ta themelojë atë, duke braktisur kauzën e tij 10 vjeçare që e solli në pushtet.

Neni 7 ka dy pjesë përbërese e themelore. Në pjesën e parë të tij serbëve në Kosovë u sigurohet një nivel i duhur i vetëmenaxhimt dhe një kanal i drejtpërdrejtë komunikimi me Qeverinë e Kosovës. Ndërkaq, në pjesën e dytë të të njëjtit nen, Kosova ka marrë obligime që ta zyrtarizojë statusin e Kishës Ortodokse Serbe, shkruan Demokracia.com.

FOTO / NENI 7 DHE 10

Neni 7 për vetëmenaxhimin e serbëve ka ngjallur frikë në Koosvë sapo ai është bërë i ditur për publikun nga Bashkimi Evropian dhe pasi palët, Kosova dhe Serbia, janë dakorduar në Bruksel në fund të muajit shkurt të vitit 2023.

Në mesin e atyre që kanë shprehur dyshimet për marrëveshjen, pikërisht për shkak të Nenit 7, është edhe vetë presidentja Vjosa Osmani, e cila në disa raste ka shprehur hapur dyshimet e saj.

“Ajo marrëveshje nuk është perfekte për Kosovën. I ka të mirat e saj, i ka disa gjëra që ende kam dyshimet e mia se si do të zbatohen në praktikë. Mirëpo, ne e kemi marrë obligim ndërkombëtar”, ka deklaruar Osmani në një intervistë për RTK-në më 27 shtator 2023, vetëm tri ditë pas sulmit terrorist në Banjskë.

Ajo ka sqaruar se e ka fjalën për Nenin 7, (Vetëmemanxhimin për serbët) dhe Nenin 10, ku është edhe Zajednica/Asociacioni.

https://demokracia.com/e-papritur-osmani-godet-kurtin-per-marreveshjen-e-brukselit-nuk-eshte-perfekte-i-ka-disa-gjera-qe-kam-ende-dyshime/

Në mesin e zërave më kritikë për Marrëveshjen Bazë (Bruksel, 27 shkurt 2023) dhe Aneksin e saj (Ohër, 18 mars 2023) ka qenë edhe ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani. Ai ka thënë se ‘Vetëvemenaxhimi për serbët’ do të sjellë pasoja afatgjate për Republikën e Kosovës.

https://demokracia.com/hasani-kurti-ka-luajtur-rolin-teresisht-gabim-vetemenaxhimi-do-te-sjelle-pasoja-afatgjate/

Marrëveshja e Kurtit nuk është pranuar as nga dy partitë opozitare, PDK dhe LDK, të cilat kanë vlerësuar se ajo përmban elemente të rrezikshme për shtetësinë e Kosovës dhe që sigurojnë autonomi për serbët e Kosovës. /Demokracia.com/

Të ngjashme