Lajme
“Vendimet e Millosheviqit nuk mund të jetojnë në shekullin tonë…” | Si i dha jetë Albin Kurti vendimit të Kasapit të Ballkanit dhe vrasësit të shqiptarëve?
Demokracia
11:18 | 14 Mars 2024

Share:

“… besoj se duhet të hasim në mirëkuptimin e tyre [Manastirit të Deçanit], se vendimet e regjimit të Millosheviqit nuk mund të jetojnë në shekullin tonë”.

Kështu deklaronte kryeministri Albin Kurti më 17 shkurt 2022, pikërisht në përvjetorin e 14-të të Pavarësisë së Kosovës, shkruan Demokracia.com.

Por, gati një muaj pasi ka shënuar përvjetorin e 16-të të pavarësisë së Kosovës, kryeministri Kurti vendosi t’i japë fund mashtrimit të tij, të cilin ua kishte dhënë qytetarëve të Kosovës se me ardhjen e tij dhe të Vetëvendosjes në pushtet, nuk do të lejonte zbatimin e vendimit të Kasapit të Ballkanit dhe vrasësit të shqiptarëve, Sllobodan Millosheviqit.

Me anë të vendimit të tij, Kurti i dha jetë dhe e lejoi të jetonte në shekullin tonë një vendim i Sllobodan Millosheviqit.

Më 13 mars 2024, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar nga mbledhja e Qeverisë së Kosovës se ka urdhëruar Agjencinë Kadastrale të Kosovës që t’i regjistrojë në emër të Manastirit të Deçanit, që menaxhohet nga Kisha Ortodokse Serbe, tokën 25 hektarëshe që Sllobodan Millosheviqi ia kishte dhuruar në vitin 1997.

“Për të arritur një qëllim shumë më madhor që ia kemi borxh shtetit e që hap mundësi të papara më herët ne duhet të bëjmë një hap përpara me maturi e përgjegjësi si një vend i pavarur e sovran. Andaj, sot i kemi thënë Agjencionit Kadastral të Kosovës që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, ka deklaruar Kurti në mbledhjen e Qeverisë.

Lexo më shumë:

Fundi i një tjetër mashtrimi… | Kurti e Konjufca premtonin se do ta anulonin vendimin e Millosheviqit për Manastirin e Deçanit, tani urdhërojnë zbatimin e tij

Albin Kurti dhe partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, me fjalime të zjarrta, për shumë vite e kundërshtuan vendimin që dhjetëra hektarë tokë t’i jepen Manastirit të Deçanit.

Opozitari Kurti dikur çuditej dhe nuk e kuptonte se çka i duhen priftërinjve serbë ato toka, të cilat sot i veshur me petkun e kryeministrit po pajtohet që t’ia japë në heshtje, shkruan Demokracia.com.

“Manastiri i Deçanit e ka oborrin e vet dhe unë jam dakord që duhet të ketë ca tokë që i nevojitet për punë dhe jetesë priftërinjve aty. Mirëpo, jo kjo të jetë në llogari të popullatës lokale. Në fund të fundit, ata priftërinj që janë në Manastir të Deçanit kanë nevojë për tre hektarë e katër, e kështu me radhë. Po çka i duhen 1 mijë hektarë? Çka do të bëjnë ata priftërinj aty me 1 mijë hektarë? Ajo është tepër shumë, për ata tepër pak njerëz që jetojnë e banojnë aty”, thoshte Kurti në Kuvendin e Kosovës në vitin 2013.

Njeriu më i zëshëm kundër vendimit për tokat e manastirit, që ende nuk e ka thënë asnjë fjalë për kompromisin, thoshte se Kisha Ortodokse Serbe është ajo që është keqpërdorur vazhdimisht nga Serbia.

“Çështja e pronësisë së tokave përreth manastirit nuk ishte vendosur nga ndonjë gjykatë përkatëse dhe Gjykata Kushtetuese, besoj që nuk është dashur të marrë vendim mbi një çështje, pa u konsumuar të gjitha shkallët e tjera juridike. Manastiri i Deçanit, siç e dimë të gjithë, është pjesë e një mozaiku të pasur kulturor të Kosovës. Fatkeqësisht, Kisha Ortodokse Serbe është ajo që është keqpërdorur vazhdimisht nga Serbia si instrument politik kundër Kosovës dhe shqiptarëve. Ne do të angazhohemi maksimalisht që të ruhen të drejtat legjitime të manastirit, por edhe liderët fetarë të manastirit ta bëjnë pjesën e tyre duke kërkuar zgjidhje përmes dialogut e marrëveshjes me popullatën lokale dhe unë besoj që një gjë e tillë është e mundur”, shprehej ai.

Jo vetëm kryeministri Kurti, por edhe presidentja Osmani dhe kryeparlamentari Konjufca kanë qenë shumë të zëshëm që të mos zbatohej vendimi i Millosheviqit, duke paralajmëruar pasoja të mëdha për Republikën e Kosovës nëse do të ndodhte kjo, pasi do të kërkohet zbatimi edhe qindra e mijëra vendimeve të tjera. /Demokracia.com/

Lexo më gjerësisht:

Tre mashtrues që edhe nga pozita shtetërore gënjyen popullin se nuk do ta zbatojnë vendimin e Millosheviqit për Manastirin e Deçanit

Të ngjashme