Lajme
ShBA-ja, optimiste se propozimi i rishikuar mund ta thyejë ngërçin për armëpushim në Gaza
Demokracia
08:23 | 08 Maj 2024

Share:

Shtetet e Bashkuara besojnë se dallimet e mbetura mes Izraelit dhe Hamasit mund të zgjidhen në bisedimet për propozimin më të ri të grupit palestinez, përderisa bisedimet pritet të vazhdojnë të mërkurën në Kajro.

Forcat izraelite të martën e morën nën kontrolli pikëkalimin kryesor kufitar mes Gazës dhe Egjiptit në Rafah, qyteti jugor ku janë strehuar gjatë luftës më shumë se një milionë palestinezë të zhvendosur. Ky veprim ndërpret një rrugë jetike për hyrjen e ndihmave në enklavën e vogël, ku qindra mijëra njerëz janë pa shtëpi dhe të uritur, raporton agjencia “Reuters”.

Kajro, të gjitha pesë delegacionet që morën pjesë në bisedimet për armëpushim të martën – Hamasi, Izraeli, ShBA-ja, Egjipti dhe Katari – reaguan pozitivisht ndaj rinisjes së bisedimeve dhe takimet pritej të vazhdonin të mërkurën në mëngjes, thanë dy burime egjiptiane.

Drejtori i CIA-s, Bill Burns, pritej që të udhëtonte nga Egjipti në Izrael më vonë të mërkurën për t’u takuar me kryeministrin Benjamin Netanyahu dhe me zyrtarë të tjerë izraelitë, tha një burim i afërt me udhëtimet e tij, transmeton nacionale.

Izraeli të hënën deklaroi se një propozim me tri faza, i miratuar nga Hamasi, është i papranueshëm, sepse kushtet janë zbutur.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha se Hamasi ka paraqitur një propozim të rishikuar dhe se në tekstin e ri lihet të kuptohet se dallimet e mbetura “absolutisht mund të mbyllen”. Duke folur të martën, ai refuzoi që t’i saktësonte dallimet mes palëve.

Që nga armëpushimi i vetëm deri më tani në luftë, një pauzë njëjavore në nëntor të vitit të kaluar, të dyja palët janë bllokuar nga refuzimi i Hamasit për të liruar më shumë pengje izraelite pa premtimin për përfundim të përhershëmtë konfliktit dhe nga këmbëngulja e Izraelit se do të vazhdojë që të diskutojë vetëm një ndërprerje të përkohshme të luftimeve.

Në pamje të publikuara nga ushtria izraelite të martën u panë tanke duke lëvizur nëpër kompleksin e pikëkalimit kufitar në Rafah mes Gazës dhe Egjiptit dhe flamuri izraelit i ngritur në anën e Gazës. Izraeli thotë se Rafahu është bastioni i fundit i Hamasit.

Zyrtari i Hamasit, Osama Hamdan, duke folur para gazetarëve të martën në Bejrut, paralajmëroi se nëse agresioni izraelit vazhdon në Rafah, nuk do të ketë marrëveshje armëpushimi.

Izraeli tha se ishte duke kryer një operacion të kufizuar në Rafah për të vrarë luftëtarë dhe për ta çmontuar infrastrukturën e përdorur nga Hamasi.

Të ngjashme