Lajme
Tre mashtrues që edhe nga pozita shtetërore gënjyen popullin se nuk do ta zbatojnë vendimin e Millosheviqit për Manastirin e Deçanit
Demokracia
08:46 | 14 Mars 2024

Share:

“Vendim i Millosheviqit”.

Mjafton vetëm kjo fjali për të treguar me pak fjalë se çfarë mund të jetë vendimi që ia dhuron një pjesë toke Manastirit të Deçanit, që është nën menaxhimin e Kishës Ortodokse Serbe.

Pikërisht për t’u dëgjuar sa më shumë kundërshtimi i tyre, Vjosa Osmani, Albin Kurti dhe Glauk Konjufca, jo vetëm kur ishin deputetë opozitarë, por edhe nga kapaciteti shtetëror pas vitit 2021, si Presidente, si Kryeministër dhe si Kryeparlamentar, kanë vazhduar ta përdorin të njëjtin kualifikim, shkruan Demokracia.com.

Më 13 mars 2024, mori fund mashtrimi i tyre disavjeçar, i cili iu shërbeu për të premtuar dhe mashtruar qytetarët, me qëllimin e vetëm që të përfitojnë mbështetje politike dhe marrjen e pushtetit.

Lajmi i plotë:

Pas pranimit të Zajednicës, Kurti dorëzohet dhe e pranon edhe vendimin e Millosheviqit për Manastirin e Deçanit: “I kërkuam Agjencionit Kadastral ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese”

Pikërisht në këtë ditë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar nga mbledhja e Qeverisë së Kosovës se ka urdhëruar Agjencinë Kadastrale të Kosovës që t’i regjistrojë në emër të Manastirit të Deçanit tokën 25 hektarëshe që Sllobodan Millosheviqi ia kishte dhuruar në vitin 1997.

VJOSA OSMANI DUKE PARALAJMËRUAR RREZIKUN E ZBATIMIT TË VENDIMIT TË MILLOSHEVIQIT

Më 12 tetor 2022, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dhënë një inervistë me anë të së cilës ajo kundërshtonte kategorikisht zbatimin e këtij vendimi.

“Mos harroni që Millosheviqi ka dhënë e ka marrë toka në vitet ‘90 pa asnjë kriter, pa asnjë vendim, pra komplet mbi baza diskriminuese. Dhe, madje, këtë e ka bërë edhe gjatë viteve 1998-99, kur kemi qenë në luftë, kur kryente gjenocid kundër popullit të Kosovës. Pra, ky është problemi themelor sa i përket këtij vendimi”, deklaronte Osmani.

Madje, ajo paralajmëronte edhe rrezikun dhe problemet “marramendëse” që do t’i shkaktoheshin Republikës së Kosovës.

“Unë mendoj që ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm për precedentin që krijohet nga një vendim i tillë, sepse pastaj institucionet e Kosovës nuk mund të thonë ne po e zbatojmë një vendim, i cili buron nga koha e Millosheviqit, por jo edhe qindra e mijëra të tjerë. Pra, do të krijonte probleme marramendëse në Republikën e Kosovës”, paralajmëronte presidentja Osmani.

ALBIN KURTI: VENDIMET E MILLOSHEVIQIT NUK MUND TË JETOJNË NË SHEKULLIN TONË

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka qenë i ashpër sa herë që ka folur për zbatimin eventual të këtij vendimi të Sllobodan Millosheviqit.

Më 17 shkurt 2022, pikërisht në përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës, kryeministri Kurti paralajmëronte se nuk do ta zbatonte këtë vendim, duke e cilësuar si një “vendim i Millosheviqit që nuk mund të jetojë në shekullin tonë”.

“Unë e kuptoj që Manastiri i Deçanit duhet të ketë një hapësirë, unë e kuptoj që kanë nevojë për qetësinë e ambientit, ndihmën e Qeverisë së RKS-së, mirëpo ne kemi rezervën e zakonshme për vendimet e regjimet e Millosheviqit, të cilat për bindjen time janë pranuar nga Gjykata Kushtetuese, e cila e ka trajtuar një lëndë pa kaluar në faza të zakonshme. Me ç’rast nuk duam t’i dominojmë, por në të njëjtën kohë besoj se duhet të hasim në mirëkuptimin e tyre, se vendimet e regjimit të Millosheviqit nuk mund të jetojnë në shekullin tonë”, deklaronte Kurti në një intervistë për RTK-në.

Lexo edhe kundërshtimet e Kurtit si opozitar: https://demokracia.com/video-kundershtimet-e-kurtit-dhe-vetevendosjes-nder-vite-per-vendimin-e-pronave-te-manastirit-te-decanit/

GLAUK KONJUFCA: AI VENDIM NUK DUHET TË ZBATOHET

Më 15 dhjetor 2021, Glauk Kojufca nga kapaciteti i tij zyrtar e shtetëror si Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, kishte vazhduar “betejën” e tij, të nisur në opozitë bashkë me Kurtin, kundër zbatimit të këtij vendimi.

Konjufca në emisionin Rubikon të Klan Kosovës, ishte këmbëngulës në qëndrimin e tij se vendimi i Millosheviqit nuk duhet të zbatohet.

“Unë them që ai vendim nuk duhet të zbatohet, kam hyrë dhe e kam studiuar kuadrin ligjor jo të Gjykatës Kushtetuese, por kuadrin ligjor të pronësisë edhe të vendimit politik, kur është marrë dhe në bazë të cilit ka marrë Gjykata Kushtetuese. Dimensioni i parë për mua është skandaloz, është një vendim i vitit 1997 i Slobodan Millosheviqit. Unë duhet të jem i bindur, unë e kam trajtuar lëndën vetë. Mendoj se gjykatësit e Kushtetueses janë aty për të mbrojtur kushtetutshmërinë e Kosovës, po mendoj që në këtë rast nuk është mbrojtur”, deklaronte Konjufca.

Konjufca edhe si opozitar kishte qenë i zëshëm kundër zbatimit të këtij vendimi. Madje, ai si Shef i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes kishte propozuar që vendimi të anulohej me shumicën e votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës. /Demokracia.com/

Fundi i një tjetër mashtrimi… | Kurti e Konjufca premtonin se do ta anulonin vendimin e Millosheviqit për Manastirin e Deçanit, tani urdhërojnë zbatimin e tij

Të ngjashme