Arte
“Të vdekurit mbajnë zi për atdheun” tregon anën absurde të miteve
Demokracia
15:24 | 27 Janar 2021

Share:

E shkruar nga Beqir Musliu, një prej shkrimtarëve i cili ka arritur të ndërthurë tendencën postmoderne me arketipe hermetike të miteve dhe eposit shqiptar, duke na shtyrë të reflektojmë për vlerat tona; dhe me dramaturg Jeton Neziraj, një tjetër autor që vazhdimisht na vë në dukje absurditetin e tabuve dhe idesë madhështore që kemi për këto arketipe; “Të vdekurit mbajnë zi për atdheun” me regji nga Erson Zymberi, është një ftesë për një udhëtim në një memorie kolektive të errët.

Shfaqja që nis me një mori mallkimesh autentike, përsëritja e të cilave sikur i bën edhe më ndjellakeqe, të thëna nga karaktere lunatike, të cilëve në pikën që jemi duke synuar t’u japim kuptim, ndërpritemi duke na kujtuar se jemi brenda “një shfaqje brenda shfaqjes”, ku një regjisor me shumë nevojë për patetikë është duke vënë në skenë një shfaqje me tematikë legjendën e Halil Garrisë dhe motrës së tij Fatimes, një mit me shumë elemente horrori, që duket sikur ka ngacmuar imagjinatën e shumë autorëve.

Sipas legjendës një version tjetër i të cilës emëron personazhet si Konstandini dhe Doruntina, Halil Garria; më i shquari nga 9 vëllezërit e një familjeje diku mes malesh të largëta, zgjedh të martojë motrën e tij të vetme, pavarësisht kundërshtimeve të të gjithëve, me mëtuesin (shkuesit?), i cili vjen prej vendit më të largët nga të gjithë të tjerët. I prekur nga përgjërimi i së ëmës, të cilën do ta marrë malli për të bijën që do të martohet aq larg, Halili i jep besën se edhe në qoftë se vdes, ai do të sjell Fatimen. Pas një kohe të shkurtër ndodh një luftë ku vdesin të nëntë vëllezërit. Oborri i shtëpisë ka nëntë varre, të cilat nëna i viziton çdo natë dhe u ndez nga një qiri, përpos Halilit të cilit ia ndez dy, sepse atij më shumë se secilit, i rëndon fjala që nuk e ka mbajtur. Pas nëntë vitesh që ka dëgjuar vajin e ankesat e nënës, që i kujton premtimin e thyer, Halili ngritet nga varri, rrasa e varrit i bëhet kalë dhe niset për në vendin e largët për të sjellë Fatimen te e ëma.

Përderisa legjenda ri-inskenohet në teatrin brenda teatrit që quhet “Liria”, me një tonalitet tragjik e patetik, ne vazhdimisht rikujtohemi se jemi në teatër dhe se jemi viktima të një regjisori, i cili si për qëllim i ka vënë vetes nxjerrjen e lotëve të publikut, si ironi për personazhet arketipe me vlera të skajshme, të idealizuara dhe aspak njerëzore, sikur është vetë personazhi i Halil Garrisë, i cili lartësohet për shpirt-ngurtësinë e tij, për të mos ndjerë a treguar dhimbjen që përjeton kur vendos të martojë motrën aq larg. Halil Garria nuk është i vetmi personazh që lavdërohet e vihet në piedestal për shkak pandjeshmërisë së tij. Mitet shqiptare janë përplot me shembuj të tillë me burra të traumatizuar nga maskuliteti toksik, traumë që vazhdon të përcillet me gjenerata.

No description available.

Vendimi i tij për të dërguar të motrën sa më larg të jetë e mundur është dukur gjithmonë i dyshimtë, ndaj kjo tendencë e tij përkthehet në një dyshim për incest. Kjo informatë edhe mund të na trondiste, mirëpo ritmi i shpejtë e cinik i shfaqjes nuk na lë shumë kohë për sentimentalizma, duke na përplasur fytyrës faktin që kali i Halilit – i cili zgjohet nga varri dhe niset të marrë motrën – është në fakt një kalë druri, lodër fëmijësh. Megjithatë, Fatima vazhdon pas tij, derisa arrin në varreza, ku nëna e saj e verbuar ia njeh zërin por mendon që është vdekja, që ka ardhur për ta marrë. Sipas mitit, nënë e bijë vdesin në vend kur mësojnë nga njëra-tjetra që Halili i vdekur është ngritur nga varri për të mbajtur fjalën e dhënë.

Nuk janë të pakta mitet nga vende të ndryshme që e trajtojnë pamundësinë e shkëputjes së shpirtit në botën e mëtejme, për shkak të mosrealizimeve të ndryshme në këtë botë, mirëpo tek ne kjo ide vazhdon të lartësohet duke tentuar të na bëjë të ndjejmë një lloj faji kolektiv që nuk na lë që të jemi të aftë të mbajmë mend të kaluarën traumatike pa u identifikuar prej saj.

Udhëtimi vazhdon edhe me mite të tjera që ritrajtohen pak a shumë me të njëjtën logjikë, duke luajtur me vijën e hollë që e ndan tragjiken me patetikën e kotë.

Përmes një intepretimi të mrekullueshëm nga kasta e aktorëve me Ermal Sadikun, Majlinda Kasumovic, Semira Latifi, Shengyl Ismaili, Arta Selimi, Afrim Muçaj dhe Shpetim Kastrati,  të cilët nuk kursyen asgjë nga vetja për të na sjellë një galeri zërash, kalorësish, shtrigash, nusesh të mjera me shumë të pathëna, që kurrë asnjë mit nuk e ka trajtuar perspektivën e tyre, trimash egocentrik, nënash mos-kokëçarëse, nëna me tendenca posesive, dasma që shndërrohen në vdekje të kobshme dhe dasmorë që hedhin valle mes kufomash, ne u argëtuam duke u përballur me disa tematika të rënda që ishin pas shtresave të tragjikomikes dhe groteskës.

No description available.

No description available.

No description available.

No description available.

No description available.

Të ngjashme