Lajme
Pak ditë nga takimi: Shtohen zërat se anëtarësimi në KiE s’është i sigurtë, ‘Franca e Gjermania po bëhen gati ta bllokojnë’
Demokracia
19:27 | 04 Maj 2024

Share:

Gjermania dhe Franca tashmë publikisht kanë folur për ndërlidhjen e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe me anëtarësimin e Kosovës në KiE. Ndërkohë, Gerald Knaus nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet, ka përmendur sot këto dy shtete se janë në mesin e atyre që po përgatiten ta bllokojnë votimin.

Kanë mbetur edhe pak ditë deri në takimin e Këshillit të Ministrave të KiE-së, ku anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë mund të hidhet në votim.

Megjithatë, Knaus përmes një shkrimi në ”X”, ka thënë se disa qeveri po bëhen gati ta bllokojnë këtë, duke përfshirë këtu edhe Francën e Gjermaninë.

“Aktualisht, disa qeveri të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës, përfshirë atë të Gjermanisë dhe Francës, po përgatiten ta bllokojnë një votim në maj për pranimin e Kosovës, duke injoruar rekomandimin e Asamblesë Parlamentare të dhënë në prill.” – u shpreh ai.

“Kjo pason një fushatë të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, përfshirë edhe apelin e tij personal ndaj presidentit të Francës, Emmanuel Macron, që të mos lejojë votimin – dhe një zotim serb për të blerë 12 avionë luftarakë francezë Rafale.” – shtoi ai.

Në lidhje me këtë, disa fjalë i ka shkruar edhe ish-kryediplomati kosovar, Petrit Selimi. Ai ka përmendur se ka shkruar disa herë që Asociacioni mund të bëhet kusht bashkë me Manastirin e Deçanit dhe martesat e gjinisë së njëjtë për anëtarësim në KiE.

“Shkrova shumë herë viteve të fundit që Asociacioni mund të bëhet kusht bashkë me Manastirin e Deçanit dhe martesat e gjinisë së njëjtë. Procesi është politik. Por nuk ka pasur ndonjë proces të bazuar në merita për ne. Na është dashur t’i përmbushim 100 kushte për liberalizimin e vizave, duke përfshirë demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Atë kohë, Kurti organizoi protesta ekstrem të dhunshme, ku u lënduan shumë njerëz duke kundërshtuar plotësimin e këtyre kushteve politike për liberalizimin e vizave.” – ka thënë ai.

Sipas tij, Kurti shpërdoroi një tjetër dritare diplomatike pas Bajnskës dhe u bënë llogaritje të gabuara.

“Por ky është emri i lojës. Ai humbi dritaren e mundësive gjatë muajve të partë të luftës në Ukrainë, kur një lëvizje e vogël për Asociacionin, do ta kishte sjellë në KiE dhe Partneritetin për Paqe. Ai shpërdoroi një tjetër dritare diplomatike pas Bajnskës. Po kthehemi përsëri mbrapa. U bënë llogaritje të gabuara tragjike”.

Vlen të theksohet se Franca dhe Gjermania tashmë i kanë bërë të qarta kërkesat e tyre sa i përket anëtarësimit të Kosovës në KiE.

Në komunikatën për media që u lëshua nga Kancelaria Federale Gjermane, rreth bisedës telefonike Olaf Scholz- Albin Kurti ata njoftuan:

Olaf Scholz nënvizoi rëndësinë e hapave konkretë nga autoritetet e Kosovës për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, edhe në lidhje me aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.” – thuhet në komunikatën për media.

Presidenti francez, Emmanuel Macron po ashtu kërkoi “hapa të shpejtë dhe të paprakthyshëm për Asociacionin…në kontekstin e aplikimit të Kosovës në KiE”.

“Macron nënvizoi rëndësinë që Franca i vendos, poashtu në kontekstin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, hapave të shpejt dhe të paprakyeshëm në zbatimin e Asociacionit nga autoritetet e Kosovës.” – thuhej në komunikatën e presidencës franceze.

Të ngjashme