Lajme
Skandali me kufomat: A tentoi QKUK-ja ta fshehë rastin ku u varros gabimisht viktima e Covid-19?
Demokracia
12:38 | 10 Shkurt 2022

Share:

Policia e Kosovës është duke e hetuar një ngjarje të rëndë që ka ndodhur gjatë kësaj jave, ku viktima e Covid-19 është varrosur gabimisht dhe më pas kompania që merrej me transportin e kufomave ka tentuar ta bëjë zhvarrimin pa e njoftuar familjen dhe as institucionet përkatëse. 

Demokracia.com të enjten ekskluzivisht ka raportuar se kompania në fjalë e ka marrë nga morgu Z.D. e cila duhej të varrosej në Istog, dhe e kanë varrosur në Prizren, ku duhej të varrosej H.K, varrimi i të cilit nuk ka ndodhur ende. Emrat e viktimave janë të njohur për Demokracia.com, por për shkak të ndjeshmërisë së rastit, nuk do t’i bëjmë publike.

I gjithë ky skandal u hetua nga familjarët, të cilët në vizitë tek varrezat kanë parë që varri i të ndjerës është rihapur.

Deri më tani, Demokracia.com merr vesh se edhe QKUK-ja po hetohet lidhur me këtë rast, pasi që dyshohet se janë bërë gabime në procedurën e përcjelljes së kufomave.

Lidhur me rastin, Demokracia.com e ka kontaktuar drejtorin e Klinikës Infektive, Arben Vishaj, i cili ka konfirmuar se Policia po merret me rastin.

“Mbrëmë ka qenë ajo situatë se ka dyshime se janë ndërruar kufomat dhe unë nuk kam qenë në punë. Sot jam duke i marrë masat e duhura për të parë se si ka ndodhur ngjarja, do ta bëjë një raport. Unë nuk kam informata të sakta sepse shumica e stafit kanë qenë kujdestarë. Jam duke i mbledhur të dhënat. Policia e Kosovës është informuar dhe ju mund t’i merrni detajet nga ta. Jemi duke e studiuar dhe ende nuk kemi ndonjë informatë. Jemi duke e studiuar çështjen në detaje”, ka thënë ai.

Vlen të përmendet se deri më tani, për këtë skandal janë arrestuar dy persona dhe nga Prokuroria Themelore e Prizrenit bëjnë të ditur se të njëjtit dyshohen për veprën penale “Dëmtim i varreve apo kufomave”.

“Nga Departamenti i Përgjithshëm, janë ndaluar dy (2) persona të dyshuar, në kohëzgjatje prej 48 orëve, nën dyshimin e bazuar se të njëjtit janë përfshirë në kryerjen e veprës penale “Dëmtimi i varreve apo kufomave” sipas KPRK- së”, thuhet në njoftim./Demokracia.com/

Detaje EKSKLUZIVE rreth skandalit ku viktima e COVID-it u varros gabimisht në Prizren

Të ngjashme