Lajme
Kryespiuni i AKI-së implikohet në një skandal – dëshmia e ish-zyrtares së Gjykatës: Petrit Ajeti më erdhi në shtëpi
Demokracia
17:03 | 22 Maj 2024

Share:

Kryeshefi i AKi-së, Petrit Ajeti dyshohet se është implikuar në një proces rekrutimi të kryetarit të Gjykatës Themelore në Gjilan për të favorizuar një kandidat.

Skandali doli në pah kur ish administratorja e kësaj gjykate, Florina Jerliu, në një intervistë për Betimi për Drejtësi ngriti akuza se kandidati që pastaj u zgjodh kryetar, Venhar Salihu i shkoi në shtëpi jo i vetëm – por në shoqërinë e shefit të AKI-së.

Zanafilla e vizitës së Petrit Ajetit te shtëpia e saj, sipas pretendimeve të Jerliut, fillon te një vizitë që dy zyrtarë të AKI-së i kishin bërë asaj në vendin e punës disa ditë para ngjarjes dhe ishin interesuar për kandidatët për kryetar, përfshirë edhe emrin e Venhar Salihut.

Kur Jerliu ia tregoi ngjarjen në mënyrë kolegiale Salihut në korridorin e punës, pretendohet se ky i fundit i shkoi në shtëpi ish-Administratores. Bashkë me të, pretendohet se ishte edhe Petrit Ajeti.

“Ka qenë dikun ditë e diel, më thërret Venhar Salihu në telefon edhe më thotë, po du me ardhë në shtëpinë tënde. Unë i thom, nuk muj me ju pritë se bashkëshortin nuk e kam në shtëpi, thotë unë nuk po hy brenda, po veç deri te dera. Unë i thom eja. Kur vjen, vjen me një xhip me ngjyrë të mbylltë, me xhama të zi. Gjyqtari Venhar del prej pjesës së majtë, ndërsa prej pjesës së djathtë del Kryeshefi i AKI-së, Petrit Ajeti”, tha Jerliu.

Ajo tha këtë javë për Betimin për Drejtësi se Salihu nuk i doli në fjalë dhe te shtëpia i shkoi bashkë me kryeshefin e AKI-së, Petrit Ajetin.

Sipas Jerliut, kandidati për kryetar Salihu dhe kryeshefi i AKI-së e ftuan të hipë në veturën me të cilën kishin ardhur.

Ajo thotë se pranoi të hipte në veturë dhe shpjegon se u pyet pikërisht nga kryeshefi i AKI-së pse kanë qenë dy zyrtarët e institucionit që ky drejton në zyrë të saj.

“Petrit Ajeti më tha administratore po du me ditë se kush prej AKI-së ka ardhur në zyrën tënde”, pretendoi ajo.

Ky rast është pjesë e një audio-inicizimi, në të cilën dëgjohen duke biseduar Jerliu dhe Salihu, me kryetarin aktual të Gjykatës që i thotë ish-administratores se pretendimet për vizitën e Kryeshefit të AKI-së në shtëpinë e saj janë shpifje.

Në anën tjetër, Jerliu mohon se e ka manipuluar bisedën, duke insistuar se vizita ka ndodhur.

Të ngjashme