Lajme
Kosova nën masa të BE’së kreu aksion të ri në Veri – çfarë do të raportojë Borrell?
Demokracia
18:01 | 22 Maj 2024

Share:

Kosova dje u qortua gjerësisht nga Perëndimi për shkak të operacionit të kryer të hënën në Veri për t’i mbyllë disa njësi të një banke të Serbisë. Më i ashpri ishte reagimi nga kryeqyteti europian që i ka vënë masa ndëshkuese pikërisht për shkak të situatës në pjesën veriore. Brukseli theksoi se operacioni është dëshmi që “autoritetet e Kosovës i kanë prioritet veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara sesa bashkëpunimin me miqtë dhe aleatët”. Shefi i Zyrës së BE’së në Prishtinë tha se heqja e masave do të bazohet në hapat që i bën Kosova. Për to shefi i diplomacisë europiane, spanjolli Josep Borell, është duke hartuar një raport që ende s’është thënë se ka përfunduar.

Kosova është ende nën masa të Bashkimit Europian. Dhe derisa kushti për heqjen e tyre ishte qetësimi i situatës, aktualisht Kosova mori paralajmërime se po nxit tensione të reja në pjesën veriore me paqe të brishtë.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, ka për detyrë që të hartojë një raport mbi përmbushjen e kërkesave të BE-së nga ana e Kosovës që më pas Këshilli të diskutojë për masat dhe të marrë një vendim për heqjen e tyre. Kosova konsideron se ka përmbushur pikat e marrëveshjes së Bratisllavës me organizimin e referendumit në katër komunat veriore, i cili ishte bojkotuar nga qytetarët serbë.

Shefi i Zyrës së BE’së Tomas Sunyog tha se BE do t’i heqë masat duke u bazuar në hapat që i bën Kosova.

“Masat janë të formuluara në deklaratën e 3 qershorit të vitit të kaluar dhe ka konkluza të Këshillit në dhjetor të vitit të kaluar të cilat paraqesin kushtet për këtë. Por, BE-ja është e gatshme që të heqë masat, bazuar në rezultatet e hapave të ndërmarra nga pala kosovare”, tha ai.

Në kohën sa ky raport është në proces, Policia e Kosovës përmes një aksioni ka mbyllë gjashtë njësi të Bankës Postare të Kursimeve të Serbisë (Banka Postanske Stedionica) në katër komunat në veri, duke thënë se është institucion i jashtëligjshëm financiar i Serbisë në Republikën e Kosovës dhe se aksioni u ndërmor për të vendosur ligjshmërinë në vend.

Megjithë këtë arsyetim, aleatët e Kosovës reaguan ashpër, duke e paralajmëruar Kosovën se po nxit tensione të reja.

Departamenti amerikan i Shtetit shprehu zhgënjim për këtë aksion, derisa tha se “ky veprim nuk ishte i koordinuar me partnerët ndërkombëtarë” dhe se ai “përshkallëzon tensionet”.

“Ai (veprimi) minon perceptimin se Kosova po vepron me vullnet të mirë për zgjidhjen e çështjeve mes saj dhe Serbisë përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, i tha një zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Zërit të Amerikës.

Zëdhënësi vë në dukje se “qeveria e Shteteve të Bashkuara ka kërkuar vazhdimisht koordinim ndërmjet qeverive tona” në mënyrë që ta mbështesë përparimin e Kosovës në rrugën e saj euroatlantike, përfshirë së fundmi “nga nënsekretarja e shtetit Elizabeth Allen në takimin e saj me kryeministrin Kurti më 19 maj”.

Departamenti i Shtetit përsëriti shqetësimin e Shteteve të Bashkuara lidhur me masat e Bankës Qendrore të Kosovës për kufizimet mbi përdorimin e dinarit serb.

“Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që t’i kthehet angazhimit konstruktiv në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja si rruga e duhur për zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe t’u përgjigjet adresojë nevojave bazë të të gjithë qytetarëve të saj — përfshirë ato të pakicës serbe – e ndikuar negativisht nga ndryshimet e fundit në rregulloren për monedhën”, përfundon zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.

Aksionin e autoriteteve të Kosovës s’e mirëpriti as Bashkimi Europian, i cili e potencoi se ndodhi në kohën kur në Bruksel ishte në proces gjetja e një zgjidhje mbi këto pagesa të Serbisë.

“Mbyllja dhe konfiskimi i këtyre zyrave pa paralajmërim apo koordinim paraprak dhe vetëm pak ditë pas takimit të fundit të dialogut, ku u trajtua edhe çështja e ambienteve të Bankës së Kursimeve Postare, është përshkallëzuese dhe bie ndesh me frymën e normalizimit dhe cenon mirëbesimin e Kosovës në arritjen e normalizimit të marrëdhënieve përmes dialogut”, thuhet në një deklaratë të lëshuar dje nga BE.

BE akuzoi Kosovën se po ndërmerr veprime të njëanshme pa bashkëpunim me aleatët e saj.

“Operacioni i së hënës dëshmon sërish se autoritetet e Kosovës kanë prioritet veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara sesa bashkëpunimin me miqtë dhe aleatët e saj”. “Përsëri, veprimet e pakoordinuara të njërës prej palëve vënë në rrezik zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit. Operacioni i Policisë së Kosovës po ashtu rrezikon negociatat e vazhdueshme për një zgjidhje të përkohshme për personat e prekur negativisht nga rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës për operacionet me para të gatshme. Në mungesë të vazhdueshme të alternativave të qëndrueshme, kjo do të ketë efekte negative në jetën e përditshme dhe kushtet e jetesës së serbëve të Kosovës dhe komuniteteve të tjera të kualifikuara për transfere financiare nga Serbia”.

BE thotë se statusi i të gjitha strukturave dhe shërbimeve të mbështetura nga Serbia është paraparë të zgjidhet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, “në lidhje me themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe”.

BE-ja i kërkon Kosovës dhe Serbisë që të kthehen në tryezën e negociatave dhe të pajtohen me “propozimin e fundit të kompromisit të paraqitur nga lehtësuesi i BE-së që u lejon përfituesve të kualifikuar të marrin transferta financiare nga Serbia”.

Kësaj deklarate të BE-së i dhanë jehonë edhe ambasada e Francës në Kosovë, duke e rishpërndarë në X e po ashtu edhe ambasadori gjerman Jorn Rohde.

Një ankesë tjetër erdhi edhe nga misioni i NATO-s, KFOR, i cili kërkoi të njoftohet me kohë kur ndërmerren operacione të tilla që ndikojnë sigurinë rajonale.

KFOR thotë se ishte informuar pak para se të niste operacioni, ndërsa tha se s’ka pasë personel të përfshirë në aksion.

“KFOR-i është njoftuar pak para fillimit të operacioneve të institucioneve në Kosovë kundër degëve të Bankës Postanska Stedionica të vendosura në komunat veriore të Mitrovicës Veriore, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potok. Personeli i KFOR-it nuk ishte i përfshirë në ekzekutimin e këtyre operacioneve. KFOR-i pret konsultime me kohë për çdo veprim të Policisë së Kosovës apo të Forcës së Sigurisë së Kosovës që mund të ndikojë në sigurinë rajonale”.

KFOR-i thotë se vazhdon të mbështesë dialogun Beograd-Prishtinë të lehtësuar nga BE-ja, duke ofruar kornizën e sigurisë të nevojshme që diplomacia të ecë përpara.

“Kjo është mënyra e vetme për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura dhe për të arritur zgjidhje që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve”.

Normalisht një reagim shoqëruar me propagandën e zakonshme për “persekutim të serbëve në Kosovë” erdhi edhe nga Beogradi.

Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, e cilësoi aksionin si “akt barbar që drejtpërdrejt kërcënon mbijetesën e popullit serb” në Kosovë.

“Kujt dhe pse po iu pengon Banka Postare Kursimore? Për shkak të çekut. Serbët në Kosovë janë komuniteti i vetëm në Europë që nuk mund të operojnë normalisht. A kanë të drejtë ata që të kenë paga dhe pensione? Apo asgjë nuk iu lejohet”, tha Vuçeviq, sipas një njoftimi të Qeverisë serbe.

Ndërkaq, ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ekzagjeroi edhe më shumë kur tha se “kjo çon në konflikte të reja në Ballkan, me pasoja të pallogaritshme”.

Banka Postare Kursimore ishte institucioni që ka shpërndarë pagesat e Beogradit për qytetarët serbë në Kosovë.

Policia e Kosovës tha se operacioni i së hënës rezultoi edhe me konfiskimin e provave të ndryshme  materiale siç janë; rreth 1.600.000 euro, rreth 74.700.000 dinarë, rreth 19.500 franga, rreth 13.800 dollarë amerikanë, rreth 40 dollarë australianë, si dhe dokumentacione dhe prova relevante që ndërlidhen me rastin.

Të ngjashme