Lajme
Iniciativa e PDK-së për zgjedhje të reja drejt dështimit, LDK-ja dhe AAK-ja kundër shpërndarjes së Kuvendit
Demokracia
18:37 | 22 Maj 2024

Share:

Iniciativa e PDK-së për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës me marrëveshje në mes të partive politike duket se nuk do të ketë sukses. Kjo pasi dy partitë tjera opozitare, LDK-ja dhe AAK-ja, nuk po e përkrahin këtë rrugë për të çuar vendin në zgjedhje të reja.

Partia e Lumir Abdixhikut dhe ajo e Ramush Haradinajt nuk po duan zgjedhje të reje përmes shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës. Në këtë mënyrë rrezikon të dështojë iniciativa e PDK-së dhe kryeministrit Albin Kurti t`i mundësohet mandati i plotë qeverisës.

Burimet e gazetës Nacionale kanë bërë me dije se PDK-ja po e vazhdon përpjekjen e saj që ta bindur LDK-në dhe AAK-në, por deri me tani nuk ia ka arritur.

Liderishipi i PDK-së po mundohet t`i bind dy partitë tjera opozitare. Ka pasur komunikime dhe takime në mes të liderëve dhe shefave të grupeve parlamentare , por deri me tani dy partitë tjera nuk kanë treguar gatishmëri për të përkrahur propozimin e PDK-së”, ka thënë një burim brenda PDK-së.

Gjatë ditës, AAK-ja e ka përsëritur qëndrimin e saj për këtë çështje.

Në një konferencë për media, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se kjo parti është që vendi të shkojë në zgjedhje vetëm përmes dorëheqjes se kryeministrit.

AAK nuk e mbështet shpërbërjen, kërkon shkarkimin ose dorëheqjen e kryeministrit. AAK nuk e bën këtë se kjo është një taktik me shku në zgjedhje në mes të korrikut kur mendon se e ka diasporën këtu dhe kur mendon të ikë nga përgjegjësia e dështimit që e ka bërë. Ai duhet të ballafaqohet më të gjitha Grupet Parlamentare për të gjitha dështimet që i ka pas”, ka thënë Tahiri.

As LDK-ja nuk ka dhënë shenja se do të ndryshojë qëndrimin e saj rreth kësaj çështje.

Madje, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, pse është takuar me kryeministrin Albin Kurti.

Në një intervistë në “Pressing”, ai ka thënë kryeministri po e dëshiron shpërbërjen e Kuvendit sepse dëshiron ndarjen e përgjegjësisë.

Nuk është faji i Kuvendit. Kuvendi i Kosovës është funksional, është i dobët po është reflektim i popullit. Faji është i Qeverisë. Kryeministri është dorëhequr, po kërkon zgjedhje por duke shpërndarë përgjegjësinë e tij”, është shprehur Abdixhiku.

Afati i fundit për zgjedhje

Pas takimit që kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka pasur të hënën me kryeministrin Albin Kurti, partia më e madhe opozitare ka kërkuar shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës me marrëveshje politike. Këtë gatishmëri e ka treguar edhe kryeministri Alibin Kurti.

Për këtë çështje PDK-ja ka ftuar edhe dy partitë tjera opozitare.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka treguar se nëse Kuvendi nuk shpërbëhet këtë javë, atëherë kjo legjislaturë mandatin e saj do ta dërgojë deri në fund.

Sipas tij, seanca e të premtes që është ftuar nga AAK-ja nuk ka ndonjë kuptim.

Ne në Kuvendin e Kosovës përfaqësohemi me 18 deputetë, për me shpërnda Kuvendin duhet 80 deputetë. Ne edhe si opozitë nuk e kalojmë numrin 42, pa partinë në pushtet Kuvendi nuk mund të shpërndahet. Për ne është e rëndësishme të dakordohemi për shpërndarjen e Kuvendit, arsyet janë të shumta. Edhe seanca e së premtes ku është e ftume nga AAK është e pakuptimtë. Ne i ftojmë që të reflektojnë dhe t’i japin votat e tyre, të zotohemi që i kemi 80 deputetë në ditën kur shpërndahet Kuvendi dhe vendi të shkojë në zgjedhje më 30 qershor”, ka thënë ai të hënë, pas mbajtjes së mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Ai ka bërë me dije se afati i fundit për zgjedhje të reja është 7 korriku.

Është dita e enjte ajo që është dita e fundit ku Kuvendi duhet të mblidhet, është data 30 maj kur ne duhet ta shpërndajmë Kuvendin në mënyrë që ta kapim 30 qershorin si datë për zgjedhje të parakohshme. Ne kërkojmë që të ndodhë shpërndarja më së largu ditën e enjte, po nëse do të kishte një dakordim pse jo edhe ditën e enjte. Nëse nuk ndodhë një gjë e tillë, mbetet që kryeministri Kurti dhe kjo qeveri të bëj dëme edhe tetë muaj edhe pastaj t’i drejtohemi kutive të votimit në afat të rregullt”, ka thënë Tahiri.

Ndër, kryeministri Alibin Kurti ka thënë se është i gatshëm të ofrojë votat e VV-së për shpërndarjen e Kuvendit vetëm nëse për këtë gjë pajtohet të gjitha partitë opozitare.

Kuvendi i Kosovës nesër do të mbajë mbledhjen e radhës ku do të diskutohen çështjet që janë në rend të ditës. Po ashtu, me kërkesë të AAK-së Kuvendi do të mblidhet edhe të premten, ku do të mbahet debati parlamentar për tri vite të Qeverisë Kurti.

Të ngjashme