Lajme
Qeveria e Kosovës shpreh ngushëllime për viktimat e tërmetit në Turqi dhe Siri
Demokracia
09:39 | 06 Shkurt 2023

Share:

Qeveria e Kosovës ka shprehur ngushëllime për viktimat e tërmetit në Turqi dhe Siri.

Në letrën e Qeverisë luten që numri i viktimave të mos rritet.

“Me dhimbje të madhe morëm lajmin për tërmetin që goditi Turqinë dhe Sirinë, ku humbën jetën shumë qytetarë dhe u shkaktuan dëme të mëdha materiale. Raportet e para tregojnë për pasoja jashtëzakonisht të mëdha në njerëz dhe në objekte banimi”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

“Qeveria e Republikës së Kosovës u shpreh ngushëllime familjarëve të viktimave të tërmetit. Shpresojmë që në orët në vijim të mos rritet numri i viktimave dhe të lënduarve u urojmë shërim”, vijon letra.

Po ashtu, thuhet se populli i Kosovës është në gatishmërinë më të lartë për mbështetje.

“Republika e Kosovës dhe populli i Kosovës në këto çaste të vështira janë në gatishmërinë më të lartë për mbështetje dhe solidaritet. Ambasada e Republikës së Kosovës në Ankara do të vazhdojë të marrë informatat nga autoritetet vendore në Republikën e Turqisë nëse në qytetet e goditura kemi shtetas tanë dhe t’u ofrojë mbështetjen e nevojshme”, përfundon njoftimi.

Ndryshe, Ambasada e Kosovës në Ankara ka publikuar numat kontaktues për qytetarët e Kosovës të cilët në rastin e tërmetit janë ndodhur në Turqi.

Për raste emergjente nga zonat e prekura nga tërmeti, luten qytetarët tanë të kontaktojnë në numrat emergjentë: Ankara: +90 542 711 80 99, dhe Stamboll: +90 531 105 63 91

Më shumë se 500 njerëz raportohet se kanë gjetur vdekjen në dy vende – Turqi dhe Siri – pasi një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.8 goditi Turqinë jugore herët të hënën.

Të ngjashme