Arte
Qendra e famshme Pompidou do të mbyllet për tri vite
Demokracia
11:20 | 27 Janar 2021

Share:

Qendra e famshme Pompidou, një kompleks modernist në Parisin qendror, një nga muzetë kryesorë të artit në botë, pritet të mbyllet nga 2023 në 2026 që të renovohet, ka njoftuar qeveria franceze.

Qendra ka qenë një prani provokuese në qytet që kur u hap në vitin 1977, duke u bërë menjëherë e njohur për estetikën e guximshme, industriale të Renzo Piano dhe Richard Rogers që bie ndesh me ndërtesat tradicionale që e rrethojnë atë, raportojnë mediat e huaja dhe transmeton Demokracia.com

Ajo strehon Muzeun Kombëtar të Artit Modern, i cili mburret me një nga koleksionet më të mëdha në botë të artit modern dhe është ndër galeritë më të vizituara në botë.

Por, përkundër modelit të saj të dukshëm modern, ndërtesa ka treguar shenja të plakjes dhe tani është vendosur të mbyllet në mënyrë që të bëhen renovimet e nevojitura.

“Këto punë janë një garanci për të ardhmen e Qendrës Pompidou”, tha presidenti i vendit Serge Lasvignes në një deklaratë. “Bëhet fjalë për ruajtjen e kryeveprës sonë të parë, ndërtesës, e cila nuk ka pasur ndonjë rinovim të madh që nga viti 1977”.

Qendra do të mbyllet në fund të vitit 2023 dhe zyrtarët planifikojnë që punimet të përfundojnë deri në fund të vitit 2026, në kohë për 50 vjetorin e saj, tha Ministria e Kulturës Franceze.

Ajo u rinovua në 1997 por punimet e reja do të jenë më të gjerat deri më tani. “Këto vepra janë të domosdoshme në mënyrë që kjo ikonë globale e modernitetit dhe arkitekturës bashkëkohore, që tërheq miliona vizitorë çdo vit, të mund të mbetet,” tha Lasvignes.

Qendra, e emëruar pas Presidentit francez Georges Pompidou i cili i dha dritën jeshile, shënoi një zgjerim në Kinë në 2019 me një shfaqje në një muze të ri në bregdet në Shangai./ Demokracia.com

Të ngjashme