Arte
Piktori Artan Hajrullahu për Demokracia.com: Me art i luftoj tabutë shoqërore
Demokracia
20:04 | 29 Mars 2021

Share:

Pikturat e Artan Hajrullahut vijnë si një shpalosje e intimitetit të përditshmërisë. Stili i tij tejet autorial herë na sjell nostalgjinë e tij dhe herë një lloj talljeje të patëkeq, me të cilin ai na paraqet përvojat dhe imagjinatën e tij.

Përmes një galerie personazhesh e situatash me karakteristika autentike etnike të përditshmërisë sonë, Artan Hajrullahu të bën të ndjehesh sikur një fëmijë që sheh vjedhurazi nga një e çarë e derës.

Artanin e inspirojnë njerëzit, shoqëria, qasja e tyre për kohën dhe për kohërat e ndryshme, fotografitë, kujtimet, objektet shtëpiake të vjetra që i kujtojnë të kaluarën, elemente të ndryshme në objektet shtëpiake dhe vetë procesi i zhvillimit të jetës.

Dashuria për art dhe në veçanti për pikturën, ka nisur kur isha fëmijë dhe vizatoja nëpër libra dhe fletore të shkollës“, tregon Hajrullahu në një intervistë për Demokracia.com.

Ai thotë se arti i tij është një përshkrim “relativ” nga përditshmëria dhe kujtimet nga e kaluara e fëmijërisë së tij janë gjithashtu një reflektim në punën e tij, kështu që “puna ime është e ndërlidhur shumë ngushtë me imazhet e jetës së përditshme”, thotë ai.

I zhytur në një imagjinatë fëmijërore, Artan Hajrullahu parapëlqen thjeshtësinë e shprehjes së një kohe të kaluar si mënyrë për të gjetur prehje.

E më pas, i lodhur nga thjeshtësia, kthehem sërish tek ndërlikimi i mundimshëm bashkëkohor“, përshkruan ai konceptin kreativ të tij.

Përfaqësimi i vetes sime, nganjëherë si një figurë indiferente, një pjesëmarrës në rutinat stereotipe të jetës së fshatit, e në momente të caktuara vetë-prezantimi im shkon më thellë, duke vënë në pyetje konceptet tona të burrërisë dhe pasigurive njerëzore që u nënshtrohen stereotipave shoqërore“, thotë Artan Hajrullahu, duke theksuar se “kujtimet nga fëmijëria, marrëdhëniet midis qenieve njerëzore dhe objekteve shtëpiake e tregojnë një histori poetike“, të cilën ai e realizon përmes artit të tij.

 

 

 

Një tjetër element që e hasim shpesh nëpër pikturat e tij janë nudot, ku secila prej tyre përcjell një lloj intimiteti të brishtë, herë-herë edhe me një tendencë absurdi që mund edhe t’i ngjajë komikes.

Pikturat, vizatimet, shpesh përmbajnë referenca për traditën familjare dhe temat tradicionale, paragjykimet ndaj lakuriqësisë dhe tabuve shoqërore. Kjo ka ardhur si shprehje e natyrshme artistike ndaj realitetit tonë shoqëror dhe proceseve intime“, thotë ai.

Në pikturat e Artan Hajrullahut vëzhgimi i këtyre proceseve skalitet deri në analizë, pa gjykuar, si një personazh i padukshëm, të cilit i mundësohet të shohë pas dyerve të mbyllura, aty ku kemi guxim të shpalosim pjesë të vetes që i mohojmë, maskojmë apo zbukurojmë./Demokracia.com/

 

Të ngjashme