Lajme
Pas KiE-së, Kurti pëson një tjetër ‘goditje’ nga aleatët – operacioni në veri dënohet ashpër
Demokracia
20:52 | 22 Maj 2024

Share:

Pas dështimit për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës si pasojë e mosplotësimit të parakushtit për përparim drejt Asociacionit, Kosova mori një goditje tjetër nga aleatët. Operacioni i Policisë së Kosovës në veri për mbylljen e degëve të Bankës Postare Kursimore rezultoi me një çortim të ashpër nga Perëndimi, pasi veprimet e autoriteteve kosovare u konsideruan “eskaluese” dhe të “njëanshme.”

Përshkallëzues”, “në kundërshtim me frymën e normalizimit” dhe “dëshmi se autoritetet e Kosovës kanë prioritet veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara sesa bashkëpunimin”, ishin fjalët kyçe të një prej reagimeve më të ashpra të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, lidhur me operacionin policor në veri pas përfundimit të periudhës tranzitore tremujore për rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës.

Veprimin e autoriteteve të Kosovës e dënuan edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku gjatë një reagimi për Radion Evropa e Lirë u bë thirrje për kthim në dialogun konstruktiv.

“I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që t’i kthehet angazhimit konstruktiv në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja si kanali i duhur për zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe të adresojë nevojat themelore të të gjithë qytetarëve të saj – duke përfshirë ato të minoritetit serb – të ndikuara negativisht nga ndryshimet e fundit në rregulloren për monedhat”, thuhej në përgjigje.

Të shqetësuar me operacionin e fundit janë deklaruar edhe shteti francez duke i quajtur veprimet e Kosovës “të njëanshme” dhe se të njëjtat kontribuojnë “në eskalimin e situatës”.

“Franca është e shqetësuar me operacionet e fundit të policisë kosovare që çuan në mbylljen e zyrave të bankave postare serbe në veri të Kosovës. Këto veprime të reja të njëanshme kontribuojnë në eskalimin e tensioneve dhe rrezikojnë diskutimet e vazhdueshme, nën patronazhin e Bashkimit Evropian, që synojnë gjetjen e një zgjidhjeje të përkohshme për personat e prekur nga zbatimi i rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës. Ato ndikojnë në jetën e përditshme të komunitetit serb në Kosovë dhe shkojnë kundër përpjekjeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, parakusht për realizimin e perspektivës evropiane të dy vendeve.” – thuhet aty.

Franca bëri thirrje që autoritetet e Kosovës të “përmbahen nga çdo veprim i mëtejshëm i njëanshëm”.

“Franca u bën thirrje autoriteteve kosovare që të përmbahen nga çdo veprim i mëtejshëm i njëanshëm. Inkurajojmë të dyja palët të kthehen në tryezën e negociatave dhe të punojnë në propozimin e fundit të kompromisit të paraqitur nga ndërmjetësimi evropian, e vetmja bazë realiste për arritjen e një marrëveshjeje që lejon përfituesit e kualifikuar të marrin transferta financiare nga Serbia”, thuhet më tej në reagim.

Operacioni në veri

Policia e Kosovës mbylli gjashtë degë të të ashtuquajturës “Bankë Postare Kursimore” në katër komuna me shumicë serbe në veri të Kosovës gjatë një operacioni të hënën. Sipas njoftimit, veprimi u krye me urdhër të Bankës Qendrore për ndalimin e transaksioneve me para të gatshme në çdo monedhë tjetër përveç euros.

Përmes një komunikate shtesë në lidhje me aksionin e tyre në veri të vendit, ku u mbyllën gjashtë njësi të të kësaj Banke, policia bëri të ditur se janë konfiskuar prova materiale, në mesin e tyre euro, dinarë e dollarë.

“Operacioni policor i realizuar sot në veri të vendit, ku u mbyllen gjashtë njësi ilegale të të ashtuquajturës ‘Bankë Postare Kursimore’, rezultoi edhe me konfiskimin e provave të ndryshme materiale siç janë;

“Rreth 1.600.000 euro, rreth 74.700.000 dinar, rreth 19.500 franga, rreth 13.800 dollarë amerikan, rreth 40 dollarë australian. Dokumentacione dhe prova relevante që ndërlidhen me rastin.” – thuhej aty.

Mbylljet erdhën një javë pas njoftimit të Bankës Qendrore të Kosovës bëri të ditur se periudha tranzitore tre-mujore për rregulloren e re të parave të gatshme vetëm në euro kishte përfunduar.

Të ngjashme