Lajme
“Pesë herë jam refuzuar…” | Kurti rrezikoi Republikën e Kosovës, u vetëofrua ta nënshkruajë pesë herë Zajednicën
Demokracia
09:06 | 20 Mars 2024

Share:

“Republika e Kosovës, kryeminsitër i së cilës jam unë, plotësisht zotohet për Marrëveshjen Bazike, që unë kam ofruar pesë herë ta nënshkruaj në takime të ndryshme. Pesë herë jam refuzuar”.

Kjo është deklarata e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhënë Radios Evropa e Lirë më 19 mars 2024, përmes së cilës ai prezanton statistikat e tij personale sa shpesh kërkoi që të nënshkruajë së bashku me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, shkruan Demokracia.com.

Kurti vazhdon të thërret “nënshkrim për zbatim”, ndonëse ai është dakorduar me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe ndërmjetësuesit e dialogut nga BE-ja, Josep Borrel / Miroslav Lajçak, që këto marrëveshje hyjnë në fuqi përmes Deklaratës së BE-së të publikuar mbrëmjen e 18 marsit 2023.

Sipas deklaratës, “Bashkimi Evropian mirëpret palët që ranë dakord sot për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila parashihet të bëhet pjesë integrale dhe detyruese e rrugëve respektive evropiane të palëve”.

“Nënshkrimi” | Kurti me filma të lodhtë në kërkim të nënshkrimit të Serbisë, ai është pajtuar me Vuçiqin që Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit të hyjnë në fuqi me Deklaratën e BE-së

KURTI TREGON SI U VETËOFRUA TA NËNSHKRUAJË EDHE STATUTIN E ZAJEDNICËS

Në intervistën e tij për REL, Kurti ka treguar se si ishte vetëofruar ta nënshkruajë Marrëveshjen Bazë [Bruksel, 27 shkurt 2023] dhe Aneksin/Shtojcën e saj [Ohër, 18 mars 2023], por edhe Statutin për themelimin e Zajednicës [Prishtinë, 21 tetor 2023] të cilin e kishte pranuar nga 5 emisarët në zyrën e tij në Kosovë.

Në këtë intervistë, Kurti nuk e ka fshehur se ishte i gatshëm të nënshkruante edhe dokumentin për themelimin e Zajednicës, ndonëse për të njëjtin ka shumë vërejtje.

“Me datën 26 tetor, në takimin me ‘pesëshen e madhe’ – Olaf Scholz, Emmanuel Macron, Charles Michel, Josep Borrell, Giorgia Meloni, edhe Mirosllav Lajçak – në Bruksel, meqenëse u tha se është një çështje urgjente, sepse agresionit rus që nuk po përfundon në Ukrainë i është bashkëngjitur edhe sulmi terrorist i Hamasit [grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja] në Izrael, duhet të bëjmë diçka, sepse është situatë tejet urgjente… unë thashë: mirë pra, po e marrim paketën me Marrëveshjen Bazike, Aneksin e zbatimit, draft-statutin me të gjitha vërejtjet e mia dhe si një paketë po e nënshkruajmë këtu në Bruksel, sepse Brukseli është vendi e samiti është kuvendi. Thashë le ta bëjmë këtë. Pala tjetër refuzoi, ndonëse vërehej një lloj entuziazmi tek udhëheqësit evropianë për propozimin tim”, ka bërë të ditur Kurti për REL.

PAQËNDRUESHMËRIA E KURTIT

Orvatjet e Kurtit, në njërën anë me kërkesën “nënshkrim për zbatim” dhe në anën tjetër duke u dakorduar në Bruksel se marrëveshjet janë të detyrueshme edhe pa nënshkrim për palët dhe bëhen pjesë integrale në rrugën e integrimit evropian të Kosovës dhe Serbisë, shpërfaqin paqëndrueshmërinë politike të kryeminstrit të Kosovës.

Siç mund të vërehet nga përgjigjja e Kurtit, më 19 mars 2024, ai thotë se për draftstatutin e Zajednicës / Asociacionit, të cilin ia dorëzuan në Prishtinë më 21 tetor 5 emisarët, ka dhënë vërejtjet e tij dhe “rrjedhimisht nuk e kam pranuar”.

Por, krejtësisht ndryshe, Kurti deklarohej më 27 tetor 2023. Kurti kishte deklaruar se propozimi që kishte pranuar nga emisarët “është shkruar me kujdes ndaj shkronjës dhe Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës”.

“Drafti për vetëmenaxhim, që e kanë sjellë, është shkruar me kujdes ndaj shkronjës dhe Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, dhe që nëse do të nënshkruhej, aty parashihej që ta kontrollonte Gjykata Kushtetuese menjëherë, pra që Gjykata Kushtetuese jep vlerësimin për kushtetutshmërinë e këtij propozimi si përgjigje”, deklaronte Kurti. / Demokracia.com /

Lexo më shumë për këtë temë:

Arbitrazhi | Kurti shkelë Kushtetutën me draft-statutin e pranuar, i jep fuqi ekskluzive Zajednicës të zgjidh çështje jashtë institucioneve të drejtësisë

“Rezoluta 1244 njeh sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën…” | Kurti rrezikoi shtetësinë e Kosovës, u vetëofrua ta nënshkruajë Statutin e Zajednicës që i referohet të njëjtës rezolutë (VIDEO)

“Vetëmenaxhimi për serbët” | Konjufca e zbulon se është pikë e vendosur në favor të Serbisë, Kurti mburrej se është rezultat i dialogut tij

Të ngjashme