Lajme
Arbitrazhi | Kurti shkelë Kushtetutën me draft-statutin e pranuar, i jep fuqi ekskluzive Zajednicës të zgjidh çështje jashtë institucioneve të drejtësisë
Demokracia
15:19 | 13 Janar 2024

Share:

Institucioneve ekzistuese në Republikën e Kosovës, të cilat janë formuar sipas parashikimeve të Kushtetutës, do t’i ngjitet përgjithmonë dhe në kundërshtim me Kushtetutën edhe “Komisioni i Arbitrazhit”.

Pas themelimit të Zajednicës apo Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, siç është dakorduar deri nga Kurti e Bislimi, por që po lobohet të ndryshohet, për çdo mosmarrëveshje lidhur me zbatimin ose interpretimin e Statutit që themelon Zajednicën, të dy palët palët (Zajednica dhe Autoritetet Qendrore), do të duhet t’i drejtohen jo institucioeve ekzistuese të parapara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, por një institucioni të padëgjuar më parë: Komisionit të Arbitrazhit, shkruan Demokracia.com.

Komisioni i Arbitrazhit nuk ka ekzistuar kurrë në marrëveshjen e vitit 2013 e 2015 dhe as nuk është diskutuar asnjëherë, por ai po paraqitet për herë të parë në vitin 2023 si rezultat i dialogut të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti.

Ky Komision Arbitrazhi do të përbëhet nga një arbitër që do të emërohet nga secila palë në mosmarrëveshje dhe një arbitër tjetër që do të emërohet si kryetar i Komisionit me konsensus të palëve në mosmarrëveshje. Ky kryetar mund të emërohet nga BE nëse palët nuk arrijnë të dakordohen me kohë.

Ajo çka e bënë më të fuqishëm këtë Komision të Arbitrazhit është edhe drejta e tij “për të krijuar rregullat e veta të punës”, shkruan Demokracia.com.

Të drejtën për të krijuar rregullat e veta e kanë vetëm institucionet ekzistuese në Republikën e Kosovës, të cilat nxjerrin rregullat e veta në pajtim me ligjin që ato ekzistojnë për ta zbatuar, por siç duket me Statut, kjo e drejtë do t’i jepet edhe Zajednicës apo Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Ekzistenca e Komisionit të Arbitrazhit është pranuar publikisht edhe nga emisari evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, i cili më 21 tetor 2023, së bashku edhe me katër emisarët e tjerë nga ShBA, Gjermania, Franca dhe Italia, i ka dorëzuar kryeministrit të Kosovës draftin për themelimin e Zajednicës.

“Pa këtë dispozitë do të kishte një hendek ligjor, sepse korniza ligjore e Kosovës as nuk përmban një mekanizëm për zgjidhjen e kontesteve për këtë lloj kontesti dhe as nuk e parasheh juridiksionin e gjykatave të Kosovës në raste të tilla”, ka thënë Lajçak më 21 dhjetor 2023.

Vetëm 5 ditë pasi kishte pranuar draftstatutin për themelimin e Zajednicës, edhe me përmbajtjen që parasheh themelimin e Komisionit të Arbitrazhit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte shprehur gatishmërinë dhe ishte vetëofruar për ta nënshkruar të njëjtin pa asnjë ndryshim.

Këtë gatishmëri, Kurti e kishte e shprehur më 26 tetor 2023, në një takim me liderët evropianë, Scholz, Macron, Meloni, Michel e Borrell, gjatë kohës sa zhvillohej Samiti Këshillit Evropian në Bruksel.

Për këtë gatishmëri, Kurti kishte treguar edhe në një intervistë në televizionin ATV, nga Parisi, aty ku po mbahej Forumi i Paqes 2023.

“Së pari, unë nuk mund ta pranoj asnjëherë akuzën për zvarritje. Kosova ka qenë konstruktive, kreative, e përkushtuar nga fillimi. Unë kam thënë le të nënshkruajmë më 27 shkurt në Bruksel, kam thënë le të nënshkruajmë më 18 mars në Ohër dhe tash së fundmi le të nënshkruajmë më 26 tetor në Bruksel. Unë nuk zvarris kurrë. Mua kur mu tha që është shumë e rëndësishme që të bëhet sa më shpejtë normalizimi, u thash, atëherë le ta bëjmë sonte. Pra, edhe Marrëveshja Bazë, edhe Aneksi i zbatimit, po e fusim edhe këtë draftstatut, përkundër vërejtjeve të mia, por ato duhet të nënshkruhen, sepse unë konsideroj që vetëm nënshkrimi është garancion për pranim të marrëveshjes, që mëpastaj edhe zbatohet”, deklaronte Kurti më 14 nëntor 2023.

Një nga zërat më kritikë dhe alarmues kundër marrëveshjeve të arritura nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 27 shkurt në Bruksel dhe Aneksin e zbatimit në Ohër më 18 mars 2023, por së fundmi edhe me draftstatutin e pranuar në parim më 21 tetor 2023, është ish-kryetari i parë i Gjykatës Kushtetuese dhe njëkohësisht Profesori i së Drejtës Ndërkombëtare, Enver Hasani.

Më 4 dhjetor 2023, duke folur për rreziqet që përmban Statuti për themelimin e Zajednicës, profesor Hasani ka përmendur pikërisht edhe çështjen e Arbitrazhit.

Sipas tij, për zbatim dhe interpretim të Statutit të Zajednicës/Asociacionit nuk është Gjykata Kushtetuse e Republikës së Kosovës më, por Arbitrazhi.

“Rreziku kryesor është se ky dokument nuk krijon nivel as të tretë, as të katërt të pushtetit, është pushtet paralel, si në aspektin horizontal, ashtu në atë vertikal. Në aspektin horizontal, ky pushtet që i krijon organet, Kuvendin, organin ekzekutiv dhe çështje të sigurisë, caktimin e policëve ku janë komunat serbe, e bën ndarjen e punës – dokumenti, jo Kushtetuta e Kosovës. Në aspektin vertikal, Asociacioni paraqitet si përfaqësues i komunave, i autonomisë serbe në raport me pushtetin qendror dhe me operatorët ekonomikë, institucionet shtetërore të vendeve fqinje, vendeve të jashtme. Në prona, shembull, të gjitha pronat i shndërron në prona të Asociacionit në momentin që themelohet. Ujmani, pjesë të Trepçës, dikur që kanë qenë, gjithçka që nuk është private në territorin e këtyre komunave, bartet në këtë Asociacion. E dyta, ky është ‘self-contained’, regjim i mbyllur, jo i hapur. Dhe, për këtë është dëshmi mënyra e zgjedhjes së mosmarrëveshjeve, për interpretim të statutit caktohet Arbitrazhi. Për interpretim të statutit dhe zbatim të tij nuk është Gjykata Kushtetuese më, gjithçka që ka për interpretim merret vetëm kur të formohet, më pas ajo mund t’i vlerësojë amendamentet, por jo përmbajtjen. Ky Asociacion është etnik dhe çka është edhe më e keqe, krijon një superkategori të komunitetit etnik, që është komuniteti serb, i cili i ruan privilegjet në nivel qendror, sipas Kushtetutës së Kosovës, por edhe në raport me krejt komunitetet, përfshirë edhe shqiptarët, ka të drejta shtesë, që i realizon sipas mënyrës që ai e përcakton, me këtë statut”, ka thënë Hasani. /Demokracia.com/

Hasani: Rezoluta 1244 dhe Arbitrazhi, ndër pikat e kuqe në draft-statutin për Asociacionin

Të ngjashme