Lajme
“Vetëmenaxhimi për serbët” | Konjufca e zbulon se është pikë e vendosur në favor të Serbisë, Kurti mburrej se është rezultat i dialogut tij
Demokracia
15:53 | 09 Dhjetor 2023

Share:

“Pika që është vendosur në favor të Serbisë është pika e shtatë e marrëveshjes së Ohrit. Dhe aty thuhet Kosova e ka për obligim gjetjen e një forme të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë”.

Mjaftojnë vetëm këta pak rreshta nga një intervistë më e gjatë e kryeparlamentarit Glauk Konjufca dhe njëherit numrit dy të Lëvizjes Vetëvendosje, për të nxjerrë në pah se Neni 7 i Marrëveshjes Bazë [Bruksel, 27 shkurt 2023], që nuk ekzistonte në asnjë marrëveshje të mëhershme në dialogun Kosovë – Serbi, është nen tërësisht me qëllim të favorizimit të synimeve të Serbisë, shkruan Demokracia.com.

Pra, përmes kësaj deklarate, kryeparlamentari Konjufca, zbuloi për herë të parë se kryeministri Kurti ka pranuar në këtë marrëveshje edhe pikë të veçantë, e cila është në favor të Serbisë.

Vetë kryeministri Albin Kurti e kishte zbuluar se Neni 7, i cili shikohet me mjaft frikë në Kosovë si një derë që mund të çojë në autonominë e serbëve, është rezultat i dialogimit të tij. Këtë ai e prezantonte me mburrje në seancën e Kuvendit të Kosovës, më 3 nëntor 2023, gjatë raportimit të tij për takimin e 21 tetorit me 5 emisarët që vinin nga ShBA-ja, Gjermania Franca, Italia dhe BE-ja, të cilët ia dorëzuan në zyrën e tij një draft-statut për themelimin e Zajednicës apo Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Neni 7 është rezultat i dialogut në këto dy vite. Pa nenin 7 do të përfundonim vetëm me nenin 10. Kërkesa jonë ka qenë tek zbatimi i plotë i marrëveshjes. Në këtë drejtim, më 21 tetor kemi pritur 5 emisarët me një plan për ecjen përpara që përfshinte edhe një plan për një draft-statut për zbatimin e nenit 7”, zbulonte Kurti nga foltorja e Kuvendit, përcjell Demokracia.com.

https://demokracia.com/si-e-zbuloi-rastesisht-albin-kurti-se-rezultat-i-dialogut-te-tij-eshte-neni-7-per-vetemenaxhimin-e-serbeve-dhe-zyrtarizimin-e-statusit-te-kishes-ortodokse-serbe/

Ky nen nuk ishte përmendur asnjëherë më parë në procesin negociator mes Kosovës dhe Serbisë, por ndodhi, ashtu siç e pranoi edhe vetë Kurti të premten e 3 nëntorit, gjatë dialogut të udhëhequr prej tij, që u formalizua në Marrëveshjen Bazë (Bruksel, 27 shkurt 2023) e arritur nga ai me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Kjo marrëveshje ka 6 paragrafë në preambulë dhe 11 nene. Në mesin e tyre është edhe Neni 7, për të cilin kryeministri Kurti zbuloi detaje të rëndësishme në seancën e Kuvendit dhe Neni 10, përmes së cilit Kurti, si kundërshtar i madh i Zajednicës, ka pranuar që do ta themelojë atë, duke braktisur kauzën e tij 10-vjeçare që e solli në pushtet. /Demokracia.com/

Të ngjashme