Lajme
“Rezoluta 1244 njeh sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën…” | Kurti rrezikoi shtetësinë e Kosovës, u vetëofrua ta nënshkruajë Statutin e Zajednicës që i referohet të njëjtës rezolutë (VIDEO)
Demokracia
11:01 | 13 Janar 2024

Share:

“Kosova do të vazhdojë të strehojë brenda kufijve të saj misione ndërkombëtare të bazuara në Rezolutën e OKB-së që njeh sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën dhe në rastin më të mirë është e definuar si “neutrale ndaj statusit”.

Kështu e konsideronte Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të vitit 1999, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, më 8 shtator të vitit 2012, në një letër që ua kishte dërguar ambasadorëve të QUINT-it në Kosovë (ShBA, Britani, Gjermani, Francë dhe Itali), shkruan Demokracia.com.

Disa vite më vonë, më 26 tetor 2023, duke qenë plotësisht i vetëdijshëm se “Rezoluta 1244 njeh sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën”, Albin Kurti nga pozicioni zyrtar si Kryeministër i Republikës së Kosovës dhe bartës i dialogut me Serbinë, është vetëofruar ta nënshkruajë Statutin e Zajednicës që i referohet pikërisht kësaj rezolute.

Me anë të asaj letre, opozitari Kurti po u shpjegonte ambasadorëve të shteteve më të fuqishme se përfundimi i mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës më 10 shtator 2012 nuk ishte ditë për t’u festuar ose si ditë kur përfundon mbikëqyrja ndërkombëtare e pavarësisë së Kosovës.

“I konsideroj si një mashtrim të paturpshëm deklaratat se pavarësia e mbikëqyrur ka përfunduar. Përveç rolit ekzekutiv të NATO-s në sigurinë dhe menaxhimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe institucioneve të mbetura të UNMIK-ut në Prishtinë dhe Mitrovicë, EULEX-i është ende në Kosovë. Sipas një marrëveshjeje të re ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe BE-së, misioni i EULEX-it do të jetë këtu së paku deri në vitin 2015, me mundësinë e zgjatjes së mandatit të tij. Nuk ka pasur asnjë ndryshim në preambulën dhe klauzolat përkatëse të dokumentit themelues të EULEX-it, Veprimit të Përbashkët të Këshillit të BE-së 5928/08, i cili e bazon misionin e EULEX-it në Rezolutën 1244 të KS të OKB-së dhe që përcakton një seri kompetencash ekzekutive mbi institucionet e Kosovës. Për më tepër, BE-ja ende nuk e ka shfuqizuar marrëveshjen e nëntorit 2008 me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së lidhur me “neutralitetin ndaj statusit” të misionit të saj”, shkurante Kurti në letrën e tij.

13 DHJETOR 2023 – BISLIMI: “DIKU NË DRAFT PËRMENDET [REZOLUTA 1244]”

Ndonëse përmbajtja e plotë e dokumentit për Statutin e Zajednicës nuk është publikuar ende nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zëvendësi i tij Besnik Bislimi ka zbuluar një detaj që përbën një nga skandalet më të mëdha të shefit të Qeverisë së Kosovës, që sipas tij në draftstatutin për themelimin e Zajednicës përmendet Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Më 13 dhjetor 2023, zëvendëskryeministri Bislimi, me anë të kësaj deklarate ka shpërfaqur në publik se kryeministri Albin Kurti, me veprimet dhe obligimet që ka marrë para bashkësisë ndërkombëtare, ka rrezikuar kushtetutshmërinë dhe shtetësinë e Republikës së Kosovës.

https://demokracia.com/skandal-bislimi-publikon-lajmin-e-rende-statuti-i-zajednices-i-referohet-rezolutes-1244/

26 TETOR 2023 – KURTI: JAM I GATSHËM TË NËNSHKRUAJ

Vetëm 5 ditë pasi në zyrën e tij pranoi dokumentin e draftstatutit për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, të cilin ia kanë dorëzuar 5 emisarët që përfaqësojnë ShBA-në, BE-në, Gjermaninë, Francën dhe Italinë, kryeministri Kurti është vetëofruar ta nënshkruajë edhe këtë dokument, përveç Marrëveshjes Bazë [Bruksel, 24 shkurt 2023] dhe Aneksit për zbatimin e saj [Ohër, 18 mars 2023].

Gatishmërinë për të nënshkruar edhe Statutin për themelimin e Zajednicës, kryeministri Kurti e ka shprehur para liderëve evropianë (Scholz, Macron, Meloni, Michel, Borrell).

https://kryeministri.rks-gov.net/blog/komunikate-per-media-pas-takimit-ne-bruksel-me-kreret-e-bashkimit-evropian/

14 NËNTOR 2023 – KURTI KONFIRMON PERSONALISHT GATISHMËRINË PËR TA NËNSHKRUAR EDHE STATUTIN E ZAJEDNICËS

Për këtë gatishmëri, Kurti kishte njoftuar edhe në një intervistë në televizionin ATV, nga Parisi, aty ku po mbahej Forumi i Paqes 2023.

“Së pari, unë nuk mund ta pranoj asnjëerë akuzën për zvarritje. Kosova ka qenë konstruktive, kreative, e përkushtuar nga fillimi. Unë kam thënë le të nënshkruajmë më 27 shkurt në Bruksel, kam thënë le të nënshkruajmë më 18 mars në Ohër dhe tash së fundmi le të nënshkruajmë më 26 tetor në Bruksel. Unë nuk zvarris kurrë. Mua kur mu tha që është shumë e rëndësishme që të bëhet sa më shpejtë normalizimi, u thashë, atëherë le ta bëjmë sonte. Pra, edhe Marrëveshja Bazë, edhe Aneksi i zbatimit, po e fusim edhe këtë draftstatut, përkundër vëretjeve të mia, por ato duhet të nënshkruhen, sepse unë konsideroj që vetëm nënshkrimi është garancion për pranim të marrëveshjes, që mëpastaj edhe zbatohet”, deklaronte Kurti më 14 nëntor 2023.

KURTI: REZOLUTA 1244 I KONVENON SERBISË

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë kohës së gjatë të qëndrimit në opozitë, ka qenë shumë i zëshëm kundër prezencës së Misionit të OKB-së në Kosovë, UNMIK-ut, dhe rrjedhimisht edhe Rezolutës 1244 të OKB-së.

Opozitari Kurti e denonconte publikisht Rezolutën 1244 si një dokument që “i konvenon Serbisë”.

“Rezoluta 1244 i konvenon Serbisë. Ajo është brenda. 25% të territorit ta kontrollon Serbia. Kroacia, përshembull e ka arritur pavarësinë më 1991, në 92-tën është njohur ndërkombëtarisht, e deri më 1995 nuk ka mundur ta vendosë sovranitetin për shkak se edhe serbët e shpallën pavarësinë. Sot, më shumë e ndjejë prezencën e shtetit në Zveçan ose Graçanicë sesa në Prishtinë. Më shtet është aty”, deklaronte Kurti.

Edhe përkundër faktit se gjatë karrierës së tij politike, dikur edhe nga Kuvendi i Kosovës, ka folur dhe shkruar kundër Rezolutës 1244, pikërisht në këtë dokument mbështetet Statuti për themelimin e Zajednicës apo Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. / Demokracia.com /

 

Të ngjashme