Përplasjet e kryeministrit Albin Kurtit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian, NATO-n dhe Mbretërinë e Bashkuar, vetëm sa po rrisin dëmet mbi Republikën e Kosovës.
Përpjekjet e tij për të ndërtuar figurën e një politikani që bën sikur nuk i nënshtrohet presionit ndërkombëtar, janë në shpërputhje të plotë me veprimet dhe vendimet e tij në tryezën e dialogut Kosovë – Serbi, shkruan Demokracia.com.
Pavarësisht se çfarë do të bëjë Kurti me këto marrëveshje apo nëse do të përplaset me aletatët për (mos)zbatimin e tyre, përmes tyre, ai e ka lidhur pashmangshmërisht fatin e Repubikës së Kosovës dhe do të vazhdojnë të mbesin barrë.
Vetëm para një viti me Marrëveshjen Bazë [Bruksel, 27 shkurt 2023] dhe me Aneksin e zbatimit [Ohër, 18 mars 2023] kryeministri Albin Kurti ka rënduar gjendjen e Republikës së Kosovës edhe në aspektin e obligimeve ndërkombëtare, duke arritur këto dy marrëveshje me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, shkruan Demokracia.com.
MARRËVESHJA BAZË ME PËRMBAJTJE NË FAVOR TË SERBISË DHE QË U JEP SERBËVE ZAJEDNICËN ME VETËMNAXHIM E AUTONOMI
Neni 7 në Marrëveshjen Bazë nuk ishte përmendur asnjëherë më parë në procesin negociator mes Kosovës dhe Serbisë, por siç e kishte pranuar edhe vetë Kurti të premten e 3 nëntorit 2023, është rezultat i dialogut të udhëhequr prej tij, që u formalizua në këtë marrëveshje.
“Neni 7 është rezultat i dialogut në këto dy vite. Pa nenin 7 do të përfundonim vetëm me nenin 10. Kërkesa jonë ka qenë tek zbatimi i plotë i marrëveshjes. Në këtë drejtim, më 21 tetor kemi pritur 5 emisarët me një plan për ecjen përpara që përfshinte edhe një plan për një draft-statut për zbatimin e nenit 7”, zbulonte Kurti nga foltorja e Kuvendit.
Pikërisht për këtë nen që nuk ekzistonte në asnjë marrëveshje të mëhershme në dialogun Kosovë – Serbi, kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca dhe njëherit numri dy i Lëvizjes Vetëvendosje, ka zbuluar se është nen tërësisht me qëllim të favorizimit të synimeve të Serbisë.
“Pika që është vendosur në favor të Serbisë është pika e shtatë… Dhe aty thuhet Kosova e ka për obligim gjetjen e një forme të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë”, deklaronte Konjufca më 8 dhjetor 2023 në Zërin e Amerikës.
Kryeministri Kurti ka filluar procesin e themelimit të Zajednicës apo Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, sipas nenit 7. Më 21 tetor 2023, Kurti ka pranuar edhe draft-statutin për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, të cilin ia kanë dorëzuar 5 emisarët që përfaqësojnë ShBA-në, BE-në, Gjermaninë, Francën dhe Italinë dhe më 26 tetor 2023 ka shprehur gatishmëri para liderëve evropianë (Scholz, Macron, Meloni, Michel, Borrell) që të njëjtin ta nënshkruajë.
ANEKSI I OHRIT SI BARRË EDHE PËR QEVERITË E ARDHSHME
Rezultati i negociatave të Ohrit më 18 mars 2023, mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka lidhur përgjithmonë fatin e anëtarësimit të Repubikës së Kosovës në Bashkimin Evropian.
Kjo rrugë, që nga pranvera e vitit 2023 është e lidhur detyrimisht me zbatimin e rezultateve të dialogut Kosovë – Serbi. E pjesë e këtij rezultati janë edhe marrëveshjet që për shumë vite i kundërshtoi me demonstrata të dhunshme në rrugë e Kuvend nga tashmë pranuesi i tyre Albin Kurti.
Në Marrëveshjen Bazë të Brukselit, që përbëhet nga 11 Nene, Kurti ka pranuar edhe dy nene jashtëzakonisht problematike. Çështjet që rregullohen përmes këtyre neneve, i kanë ndihmuar Kurtit që të rritet politikisht duke i kundërshtuar fuqishëm ato.
“Zajednica”, “Vetëmenaxhimi për serbët” dhe “Statusi i Kishës Ortodokse Serbe”, janë themelet e Marrëveshjes Bazë të Brukselit. Por, me Aneksin e Ohrit, ato janë bërë pjesë e pandashme e rrugës së Kosovës për në Bashkimin Evropian. Suksesi i këtij anëtarësimi është i varur plotësisht nga niveli i zbatimit të këtyre marrëveshjeve.
Lexo më shumë:
Në pikën 2 të Aneksit të Ohrit thuhet se “palët e kanë parasysh se Marrëveshja dhe Aneksi i zbatimit bëhen pjesë integrale e proceseve përkatëse të anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në BE”.
“2. Palët e kanë parasysh se Marrëveshja dhe Aneksi i zbatimit bëhen pjesë integrale e proceseve përkatëse të anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në BE. Palët e kanë parasysh se, menjëherë pas miratimit të Marrëveshjes dhe këtij Aneksi, ndërmjetësuesi i BE-së do të fillojë procesin për t’i ndryshuar standardet e Kapitullit 35 për Serbinë, për t’i konsideruar detyrimet e reja të Serbisë, që rrjedhin nga Marrëveshja dhe Aneksi”.
Kryeministri Albin Kurti prej kohësh, ndryshe nga marrëveshjet që arrin në tryezën e dialogut Kosovë – Serbi, ai vazhdon të sillet dhe ndërmerr veprime duke shkaktuar përplasje me aleatët.
Së fundmi, i dërguari i posaçëm i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka zbuluar se përveç SHBA-ve, edhe NATO, BE dhe Mbretëria e Bashkuar kanë probleme komunikimi me kryeministrit Kurti. / Demokracia.com /