Lajme
27 shkurt 2023 – Njëvjetori i Marrëveshjes së Brukselit | Si ia dha Kurti serbëve Zajednicën me Vetëmenaxhim e autonomi?
Demokracia
08:11 | 27 Shkurt 2024

Share:

Më 27 shkurt 2023, në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, pa shumë zhurmë kishin arritur pajtueshmërinë e tyre për dokumentin që deri në atë ditë njihej si plani frank-gjerman, që më vonë u njoh edhe si plani evropian dhe krejt në fund me emrin zyrtar Marrëveshja Bazë.

Kjo marrëveshje ka 6 paragrafë në preambulë dhe 11 nene.

Kurti nuk kishte zbuluar shumë nga marrëveshja me presidentin serb. Për të shmangur komentet për dokumentin që kishte pranuar, Kurti kishte folur për atë që palët nuk ishin pajtuar, pra për planin e zbatimit, shkruan Demokracia.com.

“Ecje përpara do të ketë për planin e zbatimit, për cka do të ketë diplomaci të fluturimit, që thuhet. Dhe do të ketë edhe takime të nivelit të lartë me facilitimin e takimeve nga zotëri Borrell dhe zotëri Lajcak. I falënderoj të dy dhe besoj se jemi në një rrugë të mbarë mbarë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe rrugë njëkahëshe për fqinjësi të mirë evropiane”, deklaronte Kurti para gazetarëve.

Edhe për planin e zbatimit, që mori emrin zyrtar Aneksi i zbatimit, Kurti e Vuçiq u dakorduan disa ditë më vonë, më 18 mars 2023 në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

PRANIMI I ZAJEDNICËS PËRMES NENIT 10 DHE RRËNIMI I KAUZËS QË E SOLLI KURTIN NË PUSHTET

Në natën e 27 shkurt 2023 u rrënua i gjithë opozitarizmi dhjetëvjeçar kundër Zajednicës apo Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, që me dhunën si mjet politik që u përdorë nga Kurti dhe Vetëvendosje, Republikës së Kosovës i solli pasoja të pariparueshme në konsolidimin e brendshëm dhe ndërkombëtar.

Kurti si kundërshtar i madh i Zajednicës, ka pranuar që ta themelojë atë, duke braktisur kauzën e tij 10-vjeçare që e solli në pushtet.

Më 22 mars 2023, Kurti e pranoi përmes deklarimit të tij personal se edhe Zajednica është në Marrëveshjen Bazë të Brukselit.

“Kryeministër, a ka Asociacion në Planin Evropian”? Kjo është pyetja që në mbrëmjen e 22 marsit 2023 iu bë në RTK, Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, nga i cili morëm përgjigjen e thjeshtë dhe të shpejtë: “Ka Asociacion! Neni 10 thotë që të dy palët e konfirmojnë obligimin e tyre për të zbatuar marrëveshjet e kaluara…”.

VETËMENAXHIMI E AUTONOMIA NË NENIN 7 DHE FAVORIZIMI I SYNIMEVE TË SERBISË

Në Marrëveshjen Bazë nuk ishte vetëm neni 10 ku flitej për Zajednicën apo Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Kurti, për herë të parë në marrëveshje me Serbisë kishte përfshirë edhe një nen të veçantë Zajednicën, duke tjetërsuar qëllimin e saj.

Ky nen nuk ishte përmendur asnjëherë më parë në procesin negociator mes Kosovës dhe Serbisë, por ndodhi, ashtu siç e pranoi edhe vetë Kurti të premten e 3 nëntorit, gjatë dialogut të udhëhequr prej tij, që u formalizua në Marrëveshjen Bazë (Bruksel, 27 shkurt 2023) e arritur nga ai me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Vetëm disa muaj më vonë, më 8 dhjetor 2023, kryeparlamentari i Kosovës dhe njëherit numri dy i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka zbuluar përmbajtjen e rrezikshme të nenit 7 të pranuar nga kryeministri Kurti, nen i cili nuk kishte ekzistuar në asnjë marrëveshje të mëhershme në dialogun Kosovë – Serbi.

Sipas Konjufcës, ky nen është tërësisht me qëllim të favorizimit të synimeve të Serbisë.

“Pika që është vendosur në favor të Serbisë është pika e shtatë e marrëveshjes së Ohrit. Dhe aty thuhet Kosova e ka për obligim gjetjen e një forme të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë”, deklaronte Konjufca më 8 dhjetor 2023, në një intervistë për Zërin e Amerikës.

https://demokracia.com/vetemenaxhimi-per-serbet-konjufca-e-zbulon-se-eshte-pike-e-vendosur-ne-favor-te-serbise-kurti-mburrej-se-eshte-rezultat-i-dialogut-tij/

Për përmbajtjen e këtij neni ka ngritur pikëpyetje edhe presidentja Vjosa Osmani, por nuk ka bërë asgjë që kjo të mos zbatohet.

Presidentja Vjosa Osmani ka rezervat e veta rreth propozimit të cilin e ka pranuar Kurti, specifikisht te neni 7, te pjesë e “vetëmenaxhimit” dhe e statusit të Kishës Ortodokse Serbe.

“Me këtë marrëveshje, dje janë pranuar edhe disa propozime jo të lehta, që lidhen me vetëmenaxhimin e pakicës serbe në Kosovë dhe rregullimin e statusit juridik të Kishës Ortodokse Serbe. Teksti i marrëveshjes nuk i sqaron tërësisht implikimet nga këto si dhe disa çështje të tjera, të cilat duhet të sqarohen domosdoshmërisht para se të finalizohet Plani i Zbatimit”, ka thënë presidentja në reagimin e saj.

“Po të ishim vetëm me Serbinë në tavolinë do të thoja se kjo ishte gabim, por nëse janë të kyçur në këtë proces partnerët tanë më të rëndësishëm, mendoj se ky ka qenë një hap i rëndësishëm”.

Kjo deklaratë e Ministres së Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla – Shwarz, që mban datën 23 janar 2024, është vlerësimi zyrtar e shtetëror se çfarë marrëveshje ka arritur dhe pranuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në dialog me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Që nga koha e arritjes së këtyre marrëveshjeve, kryeministri Kurti ka insistuar vazhdimisht që mbi to të vendosen edhe nënshkrimi i tij dhe i presidentit serb, ndonëse në Aneksin e Ohrit palët janë dakorduar që marrëveshjet të hyjnë në fuqi përmes Deklaratës së BE-së, pa pasur nevojën që të firmosen. /Demokracia.com/

https://demokracia.com/nje-kryeminister-si-albin-kurti-qe-synon-normalizimin-e-marredhenieve-me-serbine-me-marreveshje-te-keqe-per-kosoven/

Të ngjashme
Lajme • 05 Maj 2024