Lajme
Përplasja me aleatët | Escobar zbulon se përveç ShBA-së, edhe NATO, BE-ja dhe Mbretëria e Bashkuar kanë probleme komunikimi me Albin Kurtin
Demokracia
16:45 | 12 Mars 2024

Share:

Në një konferencë për media, i deleguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Esocbar, ka pranuar se SHBA-të kanë probleme në komunikim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

“Partneriteti mes SHBA-së dhe Kosovës është mes popujve të Kosovës dhe SHBA-së. Nuk shkon prej një njeriu, ose një pale. Por, duhet të them, aktualisht ne kemi një problem me komunikimin me kryeministrin”.

Probleme në komunikim me Kurtin, sipas Escobar, nuk kanë vetëm Amerikanët, por edhe pjesa tjetër e botës perëndimore.

“Këtë problem Kosova e ka edhe me BE-në, me NATO-n, me Britaninë e Madhe. Edhe me partnerë të tjerë, Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut. Kemi pasur një partneritet shumë të afërt me Kosovën në të kaluarën, ne duam ta kemi këtë lidhje edhe tani siç ishte në të kaluarën”.

I pyetur pse ende nuk është dërguar draft-statuti i Asociacionit për shqyrtim në Gjykatën Kushteteuse, Escobar ka potencuar se në këtë fazë është vështirë të kuptohet arsyeja.

“Ne inkurajojmë Kosovën të ecë para, Asociacioni nuk do të jetë një Republikë Srpska, nuk ka shtet brenda shteti, nuk ka asgjë në statut që lejon një autoritet ekzekutiv, ose fuqi ekzekutive. Kemi dëgjuar shumë arsye pse s’është dërguar në Kushtetuese, apo ecur përpara, por ne i refuzojmë të gjitha, duhet të ecë përpara sa më parë”, ka pohuar ai.

Top-diplomati amerikan ndër të tjera ka potencuar se me formimin e Asociacionit do të zgjidhej edhe çështja e valutës shtetërore serbe, Dinari.

Escobar me kritika: Rregullorja e BQK-së vendim katastrofal, krijoi kaos në ekonominë e vendit

Procesi i dialogut i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për të deleguarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Esocbar, është në një fazë kritike, ndërsa rregullorja e Bankës Qendrore e Kosovës për ndalimin e valutës shtetërore serbe, Dinarin, për shit-blerje dhe transaksione financiare, në vlerësimin e tij është vendim katastrofal i Qeverisë së Kosovës që ka krijuar kaos në ekonominë e vendit.

Në një konferencë për media me gazetarët, top-diplomati amerikan, ka bërë të ditur se qëllimi i vizitës së tij në Kosovë është për tentuar në rikthimin e palëve në zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit.

“Nuk ka alternativë dialogu i lehtësuar nga Brukseli, ai ka qenë mekanizmi për zgjidhjen e shumë çështjeve mes Kosovës dhe Serbisë dhe tejkalimin e dallimeve. U kërkoj palëve që të respektojnë të gjitha marrëveshjet posaçërisht aneksin e Ohrit, të dëshmojnë përkushtim. Kjo është një nga arsyet kryesore pse e vizitoj rajonin”, ka thënë ai.

Escobar (ShBA): Vendimi për Dinarin ishte katastrofik

I pyetur për pasojat e mundshme ndaj Kosovës dhe Serbisë për moszbatim të Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit, Escobar e ka përmendur ngadalësimin në rrugën e integrimeve evropiane.

Duke folur për rregulloren e BQK-së, Escobar ka kërkuar që Qeveria e Kosovës t’i marrë parasysh shqetësimet e ndërkombëtare për mënyrën se si po e trajton komunitetin serb në këtë rast.

“Qeveria nuk ofroi alternativ si t’i pranojnë pagesat dhe këta njerëz u privuan nga to. Duhet që Qeveria të punojë me komunitetin ndërkombëtar që të gjejë zgjidhje për këtë vendim katastrofal, që krijon kaos në ekonominë e Kosovës”, ka thënë ai.

Escobar e ka përsëritur që Shtetet e Bashkuara nuk e kundërshtojnë legjitimitetin e vendimit, mirëpo kanë probleme me mënyrën e zbatimit dhe për efektin që ka te komuniteti serb.

Të ngjashme