Lajme
Kurti takon Scholzin | A do t’i vendosë kushte zyrtarisht për dialogun me Serbinë?
Demokracia
11:00 | 16 Tetor 2023

Share:

Sot në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, mund të marrin përgjigje dilemat për rrjedhën e mëtejme të dialogut Kosovë – Serbi, pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit nga një grup prej dhjetëra terroristësh serbë, shkruan Demokracia.com.

Për ngjarjen e rëndë të së dielës së 24 shtatorit, Republika e Kosovës ka mbajtur zyrtarisht përgjegjëse Republikën e Serbisë për organizimin dhe sulmin e grupit terrorist, të cilët vranë policin Afrim Bunjaku dhe plagosën një tjetër.

Cili do të jetë pozicioni që do ta paraqesë kryeministri Kurti gjatë takimit me kanelarin gjerman, Scholz, vendi i të cilit është bashkëhartues i planit evropian, i përkthyer në Marrëeshjen e Brukselit (27 shkurt 2023) për të cilën janë pajtuar Kosova dhe Serbia? A do të paraqesë kushtet e tij plotësimi i të cilave do të mund ta rikthenin atë në tryezën e dialogut me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq?

Këto janë vetëm disa nga pyetjet thelbësore, të cilat me shumë gjasë mund të marrin përgjigje gjatë ditës së sotme, 16 tetor 2023, kur kryeministri Kurti do ta takojë kancelarin gjerman, Olaf Scholz, gjatë zhvillimit të punimeve të Samitit të Liderëve në kuadër të “Procesit të Berlinit”.

Javën e kaluar, më 13 tetor, kryeministri Kurti mes rreshtash dhe gjatë takimit me dy sentarorë amerikanë, ka bërë të ditur qëndrimin e tij kushtëzues, për siç ka thënë ai “që dialogu i lehtësuar nga BE-ja të ketë edhe një shans për të pasur sukses”.

Në mënyrë që të arrihet kjo, Kurti u ka thënë dy amerikanëve se janë një varg hapash që duhet të ndërmerren dhe në mesin e tyre duhet të përfshihet edhe dënimi për shkeljen e planit franko-gjerman apo Marrëveshjes Bazë të Brukselit (27 shkurt 2023) dhe pjesës integrale të saj, Aneksi i Ohrit (18 mars 2023), shkruan Demokracia.com.

Kurti ua prezanton senatorëve amerikanë formulën kushtëzuese “që dialogu të ketë edhe një shans për sukses”

Pas 24 shtatorit, drejtuesit shtetërorë të Kosovës kanë prezantuar formulën “Së pari sanksione [për Serbinë], pastaj dialogu”, por në emër të Kosovës nuk kanë ndërmarrë asnjë masë sanksionuese ndaj Serbisë.

E para është presidentja Vjosa Osmani, e cila ka prezantuar idenë e kushtëzimit të rikthimit të Kosovës në tryezën e dialogut me Serbinë. Kjo formulë, më shumë paraqet kushtëzime të Kosovës ndaj Bashkimit Evropian si lehtësues i dialogut, sesa ndaj Serbisë si përgjegjëse për 24 shtatorin.

“Së pari sanksione, pastaj dialogu” | Kosova kushtëzon BE-në për dialogun, jo Serbinë

VIDEO: “E bllokon kufirin me Serbinë dhe i thua…” | Kurti nuk i bllokon mallrat serbe pas sulmit terrorist, por i kërkon SHBA-së dhe BE-së ta sanksionojnë Serbinë

Bashkimi Evropian, si ndërmjetësues i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ka refuzuar publikisht kërkesën e Kosovës të prezantuar nga Osmani për kushtëzimin e rikthimit në dialog.

“Dhe kur bëhet fjalë për këto të ashtuquajtura kushte për t’u kthyer në dialog, BE-ja dhe partnerët ndërkombëtarë ishin shumë të qartë: dialogu duhet të vazhdojë, të dyja palët duhet të kthehen në dialog. Pikë”, ka thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, më 10 tetor 2023.

BE-ja refuzon kërkesën e Kosovës për kushtëzimin e dialogut me sanksionim të Serbisë

Drejtuesit shtetërorë të Kosovës, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca, në deklaratat e tyre zyrtare kanë bërë përgjegjëse të drejtpërdrejt Republikën e Serbisë për sulmin terrorist në Banjskë.

Edhe Kuvendi i Kosovës, përfshirë partitë opozitare, kanë dënuar njëzëri agresionin e Serbisë. “Kuvendi i Republikës së Kosovës e dënon me termat më të ashpër sulmin terrorist të organizuar nga Republika e Serbisë mbi Policinë e Kosovës më 24 shtator 2023, si dhe kërkon nga faktori ndërkombëtar ta ushtrojë ndikimin e tij për ta ballafaquar Serbinë në rolin e saj në raport me organizimin dhe mbështetjen e çfarë do llojshme që i ka bërë grupit terrorist për sulmin ndaj Repulikës së Kosovës”, thuhet në njërën nga pikat e kësaj rezolute, të miratuar më 29 shtator 2023. / Demokracia.com/

Të ngjashme