Lajme
Dredhia e Serbisë | Vuçiq pranoi targat RKS kur u liberalizuan vizat për ta shpejtuar zbrazjen e Kosovës, Kurti e prezanton si triumf “targat RKS qarkullojnë lirshëm nëpër Serbi”
Demokracia
14:34 | 06 Janar 2024

Share:

Kosova dhe Serbia kanë arritur në përfundime të ndryshme për qëllimin e lejimit të qarkullimit të automjeteve me targa shtetërore nëpër territoret përkatëse, marrëveshje kjo e qeverisë së ish-kryeministrit Thaçi.

Për Serbinë, e cila nga java e fundit e dhjetorit 2023 po lejon qarkullimin e automjeteve me targa RKS nëpër territorin e saj, kjo po bëhet për të “lehtësuar” zbrazjen e Kosovës, e cila nga 1 janari 2024 fitoi liberalizimin e vizave për në Zonën Shengen të BE-së, shkruan Demokracia.com.

Ndërkaq, për Qeverinë e Kosovës, e cila filloi të lejojë qarkullimin e automjeteve me targa SRB, në javën e parë të janarit 2024, kjo është një arritje e radhës në dialogun me Serbinë.

DREDHIA E SERBISË PËR TË SHPEJTUAR ZBRAZJEN E KOSOVËS

Serbia ka treguar hapur qëllimin e vërtetë që fshihet prapa vendimit për të lejuar qarkullimin e automjeteve me targa RKS nëpër territorin e saj, pa ia mbuluar me letërngjitës stemën e shtetit të Kosovës.

Prapa këtij vendimi, sipas zyrtarëve të Qeverisë së Serbisë, është heqja e sa më shumë pengesave për shqiptarët e Kosovës që të largohen nga vendi i tyre.

Ministri i Mbrojtjes së Serbisë dhe njëherit kryetari i Partisë Progresive Serbe (SNS), Millosh Vuçeviq, ka thënë se nuk e di pse qytetarët e Serbisë qendrore janë të irrituar me vendimin që automjetet me targa RKS (Republika e Kosovës) të qarkullojnë lirshëm në Serbi, pa stikera. Sipas tij, duhet parë një tablo më e madhe.

“Pse jemi të mërzitur? Lërini të udhëtojnë kosovarët. 300 mijë deri 500 mijë njerëz do të shkojnë në Bashkimin Evropian, pas liberalizimit të vizave. Të tregohemi pak të mençur politikisht, na duhet pak politika e Millosh Obrenoviqit, pak durim. Nuk është e gjitha tani për tani”, tha Vuçeviq më 5 janar 2024.

https://demokracia.com/te-tregohemi-te-mencur-politikisht-500-mije-njerez-do-ta-leshojne-kosoven-vuceviq-tregon-pse-pranuan-targat-rks/

KURTI E PREZANTON SI TRIUMF “TARGAT RKS QARKULLOJNË LIRSHËM E HAPUR NËPËR TERRITORIN E SERBISË’’

Vetëm disa orë para deklarimit të Ministrit të Brendshëm të Serbisë, në mëngjesin e datës 5 janar 2024, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka dhënë një lajm qytetarëve të vendit se “Targat RKS po qarkullojnë lirshëm e hapur nëpër territorin e Serbisë”, marrëveshje kjo e kohës së ish-kryeministrit Thaçi, të cilën Kurti e kundërshtonte me metoda të dhunshme si opozitar.

Sipas Kurtit, kjo situatë e re “i shërben lëvizjes së lirë e të lehtësuar ndërmjet dy shteteve”, por sipas tij, “ky vendim fillimisht po vjen pas përdorimit dyvjeçar të çështjes së targave si pretekst nga ana e Serbisë për të tensionuar situatën e sigurisë në veri të vendit tonë; dhe, tash së fundmi, si përpjekje për të ulur kritikat nga bashkësia ndërkombëtare mbi Serbinë pas parregullsive dhe mashtrimeve në zgjedhjet e 17 dhjetorit atje (sidomos në Beograd)”.

Kurti ka kujtuar se ky veprim i Serbisë duhet të shikohet edhe si një manovër e një pushteti jodemokratik për mbijetesë vetjake. Megjithatë, frika e vërtetë qëndron edhe në rritjen e presionit për ta themeluar tani Zajednicën, sipas dialogut të Bislimit, ‘’diçka Serbia, diçka ne’’.

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e 181-të të saj më 4 janar 2024, ka marrë vendim për heqjen e regjimit të letërngjitësve / stikersave. Në njoftimin e Qeverisë Kurti thuhet se ky “është një akt i fqinjësisë së mirë” dhe që “vjen pas njohjes së plotë të targave të Republikës së Kosovës nga Serbia”. /Demokracia.com/

Të ngjashme