Lajme
Putini nuk e ka urdhëruar vdekjen e Navalnyt në shkurt, besojnë agjencitë amerikane
Demokracia
14:22 | 27 Prill 2024

Share:

Agjencitë e inteligjencës amerikane besojnë se presidenti rus, Vladimir Putin, “me gjasë” nuk ka urdhëruar që lideri i opozitës Alexei Navalny të vritej në një burg në Arktik në shkurt.

Kështu raportoi “Wall Street Journal” të shtunën.

Navalny, figura kryesore në opozitën e Rusisë, vdiq më 16 shkurt në një koloni penale.

BE-ja dhe SHBA-të fajësuan drejtpërdrejt Rusinë për vdekjen e Navalny-t, duke vendosur sanksione të reja ndaj Kremlinit.

Por WSJ tha të shtunën se disa agjenci amerikane – përfshirë Agjencinë Qendrore të Inteligjencës, Zyrën e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare dhe njësinë e Inteligjencës së Departamentit të Shtetit – pajtohen se Putini ndoshta nuk ka urdhëruar vdekjen e Navalny “në atë moment”.

Sipas raportit të WSJ-së, agjencitë e inteligjencës amerikane kanë ndarë vlerësimin me disa agjenci evropiane të inteligjencës.

Por disa zyrtarë evropianë të sigurisë “mbeten skeptikë” se Putini nuk luajti një dorë të drejtpërdrejtë në vdekjen e Navalny, duke marrë parasysh kontrollin e tij të ngushtë në Rusi.

Vlerësimi i SHBA-ve “bazohet në një sërë informacionesh, duke përfshirë informacione të klasifikuara, dhe një analizë të fakteve publike.

Aleati i Navalny-t, Leonid Volkov i tha WSJ-së se “ideja që Putini të mos jetë i informuar dhe të mos miratojë vrasjen e Navalny është qesharake”.

Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare, e cila mbikëqyr agjencitë e inteligjencës amerikane, nuk pranoi të komentonte mbi këtë çështje, sipas raportit të WSJ.

Putin ka mohuar çdo përfshirje në vdekjen e Navalny-t.

Muajin e kaluar, presidenti rus tha se ai kishte rënë dakord të shkëmbente liderin e opozitës në një shkëmbim të burgosurish disa ditë përpara se Navalny të vdiste.

Kjo duke konfirmuar pretendimet e bëra nga një aleat i ngushtë i Navalny-t se Rusia dhe zyrtarët perëndimorë kishin negociuar një marrëveshje shkëmbimi të të burgosurve.

Të shtunën, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se kishte parë raportin e WSJ.

“Nuk do të thosha se është një material me cilësi të lartë që meriton ndonjë vëmendje”, citohet të ketë thënë Peskov nga mediat ruse.

Të ngjashme