Lajme
Dështimi i madh i Kurtit në dialog | Serbia siguron rrugën për anëtarësim në BE pa u kushtëzuar me njohjen e pavarësisë së Kosovës
Demokracia
21:23 | 22 Prill 2024

Share:

Edhe zyrtarisht Serbia mund të anëtarësohet në Bashkimin Evropian duke mos e pasur si kusht njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Këtij rezultati i ka shërbyer edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili me mënyrën e zhvillimit të dialogut në Bruksel ka arritur që aleatët e shtetit të Kosovës (ShBA dhe shtetet kryesore të BE-së) t’i ketë kundër në pothuajse të gjitha iniciativat e tij, shkruan Demokracia.com.

Madje, kryeministri Kurti, me Marrëveshjen Bazë [Bruksel, 27 shkurt 2023] dhe Aneksin e zbatimit të saj [Ohër, 18 mars 2023], e ka hequr nga tavolina e dialogut njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si rezultat i mundshëm dhe përfundimtar i dialogut të zhvilluar në Bruksel.

Në tryezën e dialogut, Kurti ka reduktuar në maksimum synimet dhe kërkesat e Kosovës, duke u mjaftuar me “normalizim të marrëdhënieve” dhe atë që ai vazhdon të këmbëngulë se këto marrëveshje do të sjellin, njohjen ‘de-facto’ të Kosovës nga Serbia.

22 PRILL 2024 – BE ZYRTARISHT E KUSHTËZON INTEGRIMIN E SERBISË VETËM ME NORMALIZIM TË MARRËDHËNIEVE ME KOSOVËN

Pikërisht ky rezultat i dialogut është bërë pjesë edhe zyrtare e rrugës që duhet të ndjekë Serbia për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kjo rrugë nuk është e kushtëzuar nga njohja pavarësisë dhe shtetit të Kosovës, por është reduktuar vetëm në “normalizim të marrëdhënieve”.

Më 22 prill 2024, Këshilli i Ministrave i Bashkimit Evropian ka marrë vendimin përfundimtar për të ndryshuar kornizën negociuese për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian, duke e kushtëzuar pranimin e saj me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Ky ndryshim ka të bëjë me kapitullin 35 të kornizës negociuese, në të cilin zbatimi i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën tani bëhet edhe kusht formal për Serbinë në procesin e negociatave të anëtarësimit në bllok.

https://demokracia.com/dokument-kurti-beri-kerkese-qe-favorizonte-serbine-por-be-kushtezon-perfundimisht-integrimin-evropian-te-serbise-me-normalizim-te-marredhenieve-me-kosoven/

KATËR URIMET E PRESIDENTIT BIDEN PËR PAVARËSINË E KOSOVËS DHE QËLLIMET E DIALOGUT

Njohja reciproke ishte kërkesë jo vetëm e Kosovës, por edhe e presidentëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe drejtuesve të shteteve të fuqishme evropiane.

Kjo situatë e favorshme ka ndryshuar krejtësisht nga koha kur kryeministri Kurti mori drejtimin e dialogut, në vitin 2021.

Më 18 shkurt 2024, Demokracia.com ka sjellur përmbajtjet thelbësore të 4 urimeve të presidentit amerikan, Joe Biden, të dërguara gjatë 4 viteve në mandatin e tij si president i SHBA-së, më 2021, 2022, 2023 dhe 2024.

Në këto urime të presidentit Biden vërehet lehtësisht reduktimi i qëllimit të rezultatit final që SHBA-ja e pret nga dialogu mes Kosovës dhe Serbisë. Ky reduktim ka ardhur pasi kryeministër i Kosovës është bërë Albin Kurti në vitin 2021.

Në urimin e tij të parë (2021), presidenti Biden theksonte fuqishëm rezultatin që SHBA-ja e prisnin të buronte nga dialogu në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas njeriut më të fuqishëm në botë, “në QENDËR” të marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë duhej të qëndronte “NJOHJA E NDËRSJELLË”.

Në urimin e dytë (2022), presidenti Biden për herë të parë theksonte se “njohja reciproke” është përpjekje e Kosovës, duke nënkuptuar një ndryshim të lehtë në diskursin amerikan. “Jemi të kënaqur që Kosova po vazhdon të ndërtojë dhe forcojë marrëdhëniet e saj pozitive me vendet fqinje dhe do të vazhdojmë të mbështesim përpjekjet tuaja drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë, të përqendruar në njohjen reciproke”, shkruante ndër tjerash Biden.

Në urimin e tretë (2023), presidenti Biden kishte zbuluar se drejtuesit e institucioneve të Kosovës e kishin mbajtur të fshehur së në dialogun e Brukselit kishin ndryshuar qëllimin final të tij. Presidenti amerikan tregonte se Kosova ka përqafuar propozimin e BE-së për normalizim “me qëllimin eventual të njohjes së ndërsjellë”.

“Mirëpresim përqafimin tuaj të propozimit të BE-së për normalizim, me qëllimin eventual të njohjes së ndërsjellë, e cila do të ndihmojë në sigurimin e një të ardhmeje më të sigurt dhe më paqësore për popullin në Kosovë dhe Serbi”, thuhej mes tjerash në urimin e presidentit amerikan drejtuar homologes kosovare Vjosa Osmanit.

Në urimin e katërt (2024), presidenti Biden shfaqte kapërcimin e madh të qëndrimit amerikan gjatë mandatit katërvjeçar të tij, duke e parë dialogun “si një hap të rëndësishëm drejt njohjes së ndërsjellë eventuale”.

“Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqishëm Kosovën shumetnike dhe integrimin e saj në institucionet evropiane dhe euroatlantike. Ne gjithashtu vazhdojmë të mbështesim përpjekjet për dialogun të lehtësuar nga BE -ja për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë – një hap i rëndësishëm drejt njohjes së ndërsjellë eventuale”, thuhej në urimin e presidentit amerikan. Ky urim erdhi në kohën e përplasjes së madhe publike mes Kurtit dhe zyrtarëve të lartë amerikanë.

https://demokracia.com/alarm-kombetar-4-urimet-e-presidentit-biden-si-pasqyre-qe-kosova-me-kurtin-po-humb-mbeshtetjen-e-shba-se/

Që nga koha kur Kryeministër i Kosovës është Albin Kurti, marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë cenuar seriozisht. /Demokracia.com/

https://demokracia.com/mesazhi-i-rende-amerikan-obrien-nese-kurti-nuk-e-trajton-shba-ne-si-partnere-as-ne-nuk-do-ta-trajtojme-qeverine-e-kosoves-si-partnere/

https://demokracia.com/nen-kurtin-kosova-fillon-te-marre-teposhtezen-ndodhi-per-here-te-pare-ne-keshillin-e-sigurimit-shba-ja-dhe-vendet-e-tjera-aleate-nuk-perkrahin-vendimet-e-shtetit-te-kosoves/

https://demokracia.com/pasojat-e-perplasjes-se-radhes-kurti-shba-nese-shba-sflet-per-kosoven-degjohet-zeri-i-rusise-dhe-i-kundershtareve-te-pavaresise/

Të ngjashme