Lajme
ALARM KOMBËTAR | 4 urimet e presidentit Biden si pasqyrë që Kosova me Kurtin po humb mbështetjen e SHBA-së
Demokracia
12:47 | 18 Shkurt 2024

Share:

Katër urimet e presidentit të SHBA-ve, Joe Biden, për popullin e Kosovës me rastin e përvjetorëve të Pavarësisë së Kosovës, janë një dëshmi e qartë e krizës në marrëdhëniet me aletatin dhe mbështetësin kryesor të Republikës së Kosovës – Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Krahasimi i gjuhës së përdorur në letrat e urimit është i mjaftueshëm për të ngritur shqetësimin për rrugën që po ndjekë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Qeveria e tij, e cila po rezulton edhe me përplasje publike dhe kërcënime amerikane se pasojat e veprimeve të njëanshme po kufizojnë mundësitë e SHBA-ve si avokate e Kosovës në arenën ndërkombëtare, shkruan Demokracia.com.

Demokracia.com sjellë përmbajtjet thelbësore të 4 urimeve të presidentit amerikan, Biden, të dërguara gjatë 4 viteve në mandatin e tij si president i SHBA-ve, më 2021, 2022, 2023 dhe 2024.

Në këto urime të presidentit Biden, vërehet lehtësisht reduktimi i qëllimit të rezultatit final që SHBA-ja e pret nga dialogu mes Kosovës dhe Serbisë. Ky reduktim ka ardhur pasi kryeministër i Kosovës është bërë Albin Kurti në vitin 2021.

2021 – BIDEN: MARRËVESHJE… QË NË QENDËR KA NJOHJEN E NDËRSJELLË

Në urimin e parë të Presidentit Biden, të cilin ia kishite përcjellur UD Presidentes, Vjosa Osmanit, vërehet qartë entuziazmi i një shteti mik për bashkëpunim me Republikën e Kosovës pasi pritej të formonte Qeverinë e re pas zgjedhjeve që veçse ishin mbajtur dhe fituesi ishte i qartë: Kurti dhe Vetëvendosje kishin arritur të fitonin gjysmën e votave në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021.

Në letrën e dërguar nga Biden theksohej fuqishëm rezultati që SHBA-të e prisnin të buronte nga dialogu në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas njeriut më të fuqishëm në botë, “në QENDËR” të marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë duhej të qëndronte “NJOHJA E NDËRSJELLË”.

“Ka shumë punë për të bërë, përfshirë marrëveshjen gjithëpërfshirëse të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë që në qendër e ka njohjen e ndërsjellë, me të cilën forcohet sundimi i ligjit, përballimi i pandemisë globale COVID-19 dhe nxitja e rritjes ekonomike që mundëson një të ardhme të prosperuar për të gjithë qytetarët e Kosovës”, thuhet në letrën e Biden.

Lexo urimin e plotë:

Biden: Qeveria e ardhshme e Kosovës duhet të punojë për arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë

2022 – BIDEN: MARRËVESHJE… TË PËRQENDRUAR NË NJOHJEN E NDËRSJELLË

Në urimin e dytë të nënshkruar nga Presidenti Biden fillon të bjerë entuziazmi i Shtëpisë së Bardhë me Qeverinë e drejtuar nga kryeministri Kurti.

Presidenti amerikan për herë të parë thekson se “njohja reciproke” është përpjekje e Kosovës dhe vërehet një ndryshim i lehtë në diskursin amerikan, shkruan Demokracia.com.

“Jemi të kënaqur që Kosova po vazhdon të ndërtojë dhe forcojë marrëdhëniet e saj pozitive me vendet fqinje dhe do të vazhdojmë të mbështesim përpjekjet tuaja drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë, të përqendruar në njohjen reciproke”, shkruante ndër tjerash Biden.

Lexo urimin e plotë:

14 vjetori i pavarësisë së Kosovës, mesazhi i presidentit amerikan Joe Biden dhe atij gjerman, Frank-Walter Steinmeier

2023 – BIDEN: MARRËVESHJE… ME QËLLIMIN EVENTUAL TË NJOHJES SË NDËRSJELLË

Diskursi amerikan ndryshoi edhe më shumë në urimin e tretë të Presidentit Biden të cilin ia përcolli Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.

Në këtë urim, Presidenti amerikan tregon se Kosova ka përqafuar propozimin e BE-së për normalizim “me qëllimin eventual të njohjes së ndërsjellë”.

Drejtuesit e institucioneve të Kosovës e kishin mbajtur fshehur se në dialogun e Brukselit kishin pranuar ndërrimin e qëllimit final të tij.

“Mirëpresim përqafimin tuaj të propozimit të BE-së për normalizim, me qëllimin eventual të njohjes së ndërsjellë, e cila do të ndihmojë në sigurimin një të ardhmeje më të sigurt dhe më paqësore për popullin në Kosovë dhe Serbi”, thuhej mes tjerash në urimin e presidentit amerikan drejtuar homologes Vjosa Osmani.

Lexo urimin e plotë:

Bideni uron Osmanin për 15 vjetorin e Pavarësisë

2024 – BIDEN: MARRËVESHJE… NJË HAP I RËNDËSISHËM DREJT NJOHJES SË NDËRSJELLË EVENTUALE

Urimi i katërt i Presidentit Biden tregon kapërcimin e madh të qëndrimit amerikan gjatë mandatit katërvjeçar të tij. Ky urim vjen në kohën e përplasjes së madhe publike mes Kurtit dhe zyrtarëve të lartë amerikan, shkruan Demokracia.com.

Vetëm pak ditë më parë, më 1 shkurt 2024, Departamenti Amerikan i Shtetit ka lëshuar alarmin pas vendimit të Kurtit për të ndërmarrë hapa të njëanshëm për zbatimin e Rregullores së BQK-së për ndalimin e dinarit serb në Kosovë, duke treguar hapur se këto politika po humbasin mbështetjen amerikane. “Pasoja e këtij dhe veprimeve të ngjashme të njëanshme i kufizon mundësitë e Shteteve të Bashkuara si avokate e Kosovës në arenën ndërkombëtare”, thuhet në reagimin e DASh-it.

Gjithashtu, para urimit të Bidenit, qëndron edhe deklarata e fuqishme e Ndihmës Sekretarit Amerikan të Shtetit, James O’Brien, i cili për të njëjtën temë deklaroi se “nëse që nëse ne [SHBA] nuk trajtohemi si partner, edhe ne nuk do ta trajtojmë qeverinë [Qeverinë Kurti] e Kosovës si partnere”.

Pasi SHBA-ja u alarmua se Kosova po shkelë zotimet ndërkombëtare, se kryeministri Kurti ka hyrë në një rrugë që cenon zotimet të cilat i mori Kosova kur fitoi mbështetjen ndërkombëtare për të krijuar shtetin – Republikën e Kosovës, Biden tha se “mbështesim Kosovën multientike”.

“Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqishëm Kosovën multietnike dhe integrimin e saj në institucionet evropiane dhe euroatlantike. Ne gjithashtu vazhdojmë të mbështesim përpjekjet për Dialogun të lehtësuar nga BE -ja për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë – një hap i rëndësishëm drejt njohjes së ndërsjellë eventuale”, thuhet në urimin e vitit të fundit të mandatit katërvjeçar të presidentit Biden, që shquhet për lidhjet e forta emocionale me Kosovën.

Lexo urimin e plotë:

Pasi alarmuan se Kurti po shkelë zotimet ndërkombëtare të Pavarësisë, Presidenti Biden uron popullin për 17 Shkurtin: Mbështesim Kosovën multietnike

Demokracia.com ka raportuar edhe për dallimet e mëdha në dy letrat e fundit që Sekretari Amerikan i Shtetit, Anthony Blinken i ka dërguar Kosovës dhe Serbisë, gjatë shkurtit të këtij viti.

Këto letra janë dëshmi e qartë se politika konfliktuale dhe përplasëse e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, po përcakton edhe sjelljen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në angazhimin e saj për forcimin e Republikës së Kosovës. /Demokracia.com /

Lexo më shumë:

Politika konfliktuoze e Kurtit me SHBA përkthehet në urime të vakëta | Për Kosovën mjaftohen me “partneritet të qëndrueshëm” e me Serbinë vlerësojnë “partneritetin strategjik” (Dokumente)

Të ngjashme