Lajme
DOKUMENT | Kurti bëri kërkesë që favorizonte Serbinë, por BE kushtëzon përfundimisht integrimin evropian të saj me normalizim të marrëdhënieve me Kosovën
Demokracia
19:43 | 22 Prill 2024

Share:

“Duhet të ndahet procesi i anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian nga procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. E kuptoj se BE-ja në thelb e ka fqinjësinë e mirë, por duhet kuptuar se nuk është kollaj të normalizohen marrëdhëniet me një shtet që nuk e ka prioritet as perëndimin, as demokracinë”.

Kjo kërkesë e kryeministrit Albin Kurti për të ndarë procesin e integrimit evropian nga procesi i dialogut ishte prezantuar më 22 janar 2024, në Shkup, nga vetë ai në kohën kur po zhvillohej Samiti “BE – Ballkani Perëndimor”, shkruan Demokracia.com.

Kryeministri Kurti e kishte prezantuar këtë kërkesë plot 10 muaj pas dakordimit të tij me Presidentin e Serbisë për Aneksin e zbatimit [Ohër, 18 mars 2023] të Marrëveshjes Bazë [Bruksel, 27 shkurt 2023].

Ky proces është i lidhur me pikën 2 Aneksit të Ohrit [18 mars 2023], në të cilën thuhet se: “Palët e kanë parasysh se Marrëveshja dhe Aneksi i zbatimit bëhen pjesë integrale e proceseve përkatëse të anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në BE. Palët e kanë parasysh se, menjëherë pas miratimit të Marrëveshjes dhe këtij Aneksi, ndërmjetësuesi i BE-së do të fillojë procesin për t’i ndryshuar standardet e Kapitullit 35 për Serbinë, për t’i konsideruar detyrimet e reja të Serbisë, që rrjedhin nga Marrëveshja dhe Aneksi”.

22 PRILL 2024 – BE MBAN FJALËN: S’KA INTEGRIME PËR SERBINË PA NORMALIZIM TË MARRËDHËNIEVE ME KOSOVËN

Më 22 prill 2024, Këshilli i Ministrave i Bashkimit Evropian ka marrë vendimin përfundimtar për të ndryshuar kornizën negociuese për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian, duke e kushtëzuar pranimin e saj me normalizimin e marrëdhënieve me fqinjin e vet, Kosovën.

Ky ndryshim ka të bëjë me kapitullin 35 të kornizës negociuese, në të cilin zbatimi i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën tani bëhet edhe kusht formal për Serbinë në procesin e negociatave të anëtarësimit në bllok.

Në tekstin e ri të kornizës negociuese, si kusht është vendosur kjo fjali: “Serbia zbaton plotësisht obligimet që dalin nga Marrëveshja në rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, sipas Aneksit të zbatimit të saj, siç ishin pajtuar më 18 mars të vitit 2023”.

22 JANAR 2024 – KURTI TENTON TË ZHBËJË GABIMIN E OHRIT

Kërkesa e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ishte një tregues i qartë se ai po e pranonte publikisht se e ka “kuptuar” me 10 muaj vonesë dëmin e madh që i ka bërë Republikës së Kosovës, duke e lidhur përgjithmonë procesin e integrimit evropian të vendit tonë me themelimin e Zajednicës për Komunat me Shumicë Serbe, vetëmenaxhim, autonomi për serbët dhe me statusin e Kishës Ortodokse Serbe.

Lexo më shumë:

18 mars 2023 | Një vit nga Marrëveshja e Kurtit që e kurthoi integrimin evropian të Kosovës me themelim të Zajednicës, vetëmenaxhim e autonomi për serbët

10 muaj pas Marrëveshjes së Ohrit, Kurti e “kuptoi” dëmin e madh duke e lidhur përgjithmonë integrimin evropian me themelimin e Zajednicës dhe Statusin e Kishës Serbe

“Marrëveshja dhe Aneksi pjesë integrale e anëtarësimit në BE” | Kurti dhe zëvendësi i tij bëhen “pishman”, këmbëngulin që të ndahet “integrimi” nga “dialogu”

Në përpjekje për ta zhbërë gabimin e 18 marsit 2023, kryeministri Albin Kurti mund të rrëshqiste në gabimin e radhës. Mungesa e një strategjie të qartë në dialogun e udhëhequr nga kryeministri Kurti ka sjellë gabimin e dyfishtë të palës kosovare, shkruan Demokracia.com.

Në njërën anë, Kurti ka ndërlidhur integrimin evropian me zbatimin e marrëveshjeve të kundërshtuara për një dakadë nga ai dhe subjekti i tij politik. Ndërsa, në anën tjetër, zhbërja e kushtëzimit nga Marrëveshja e Ohrit, siç po e kërkon tani Kurti, sërish do të favorizonte pozicionin e Serbisë, pasi e njëjta nuk do të duhej t’i normalizonte marrëdhëniet me Kosovën si kusht për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Zhbërja e pikës 2 të Marrëveshjes së Ohrit për Kosovën mund të ngjallte kërkesën e njëjtë të Serbisë, pra që të zhvlerësohet Kapitulli i 35-të i Dokumentit për Anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian.

Si pikë e parë e Kapitullit 35-të për Serbinë qëndron kushtëzimi i rrugës së Serbisë për në Bashkimin Evropian me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

“Avancimi i negociatave të anëtarësimit të Serbisë në BE do të udhëhiqet nga progresi i Serbisë në përgatitjen për anëtarësim, i cili do të matet veçanërisht me angazhimin e vazhdueshëm të Serbisë drejt një përmirësimi të dukshëm dhe të qëndrueshëm të marrëdhënieve me Kosovën, si dhe nga kërkesat e tjera të përfshira në pikën 23 të Kornizës Negociuese”, thuhet në njërën nga pikat e Kapitullit 35.

Për më tepër, po sipas këtij kapitulli, “normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës do të jetë lidhja ndërmjet këtij dialogu dhe negociatave të anëtarësimit”.

NDËSHKIMI I SERBISË NËSE PENGON NORMALIZIMIN E MARRËDHËNIEVE ME KOSOVËN

Sipas Kapitullit 35 të Dokumentit për Anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian, “në përputhje me kornizën e negociatave, Komisioni dhe Përfaqësuesi i Lartë do të monitorojnë nga afër dhe në vazhdimësi përmbushjen nga Serbia të grupit të parë pasues të standardeve të përkohshme dhe do t’i raportojnë Këshillit “të paktën dy herë në vit” për këtë çështje.

Nëse normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën mbetet mbrapa, shkaku i Serbisë, atëherë Komisioni mund të bllokojë ecjen tutje të Serbisë në rrugën e integrimit evropian.

Nëse “progresi në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën mbetet dukshëm prapa progresit në negociatat në përgjithësi, për shkak të dështimit të Serbisë për të vepruar në mirëbesim, veçanërisht në zbatimin e marrëveshjeve të arritura ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”, Komisioni me vetiniciativë ose me kërkesën e një të tretave të Shteteve Anëtare, në përputhje me pikën 25 të kornizës negociatore, propozojnë të mos rekomandohen për hapjen dhe/ose mbylljen e kapitujve të tjerë negociues dhe të përshtatin punën përgatitore shoqëruese, sipas rastit, deri në këtë trajtohet çekuilibri”, thuhet në Kapitullin 35-të për Serbinë.

25 JANAR 2024 – BE REFUZON IDENË E KURTIT: RRUGA EVROPIANE E KOSOVËS VARET NGA NORMALIZIMI I MARRËDHËNIEVE ME SERBINË

Vetëm tri ditë pas idesë apo kërkesës së kryeministrit Albin Kurti, Bashkimi Evropian kishte refuzuar kategorikisht ndarjen e ‘Integrimit’ nga ‘Dialogu’.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, e kishte bërë të qartë përgjigjen e Brukselit se procesi integrues i Kosovës lidhet drejtpërdrejt me procesin e dialogut. /Demokracia.com/

Lexo më shumë:

https://demokracia.com/kurti-kerkoi-proces-integrimi-te-ndare-nga-dialogu-be-rruga-evropiane-e-kosoves-varet-nga-normalizim-i-marredhenieve-me-serbine/

Të ngjashme