Lajme
Pasojat e përplasjes së radhës Kurti – SHBA | Nëse SHBA s’flet për Kosovën, dëgjohet zëri i Rusisë dhe i kundërshtarëve të pavarësisë
Demokracia
10:41 | 03 Shkurt 2024

Share:

“Pasoja e këtij dhe veprimeve të ngjashme të njëanshme i kufizon mundësitë e Shteteve të Bashkuara si avokate e Kosovës në arenën ndërkombëtare”.

Kjo është deklarata e Departamentit Amerikan të Shtetit, datë 1 shkurt 2024, që shpreh zhgënjimin e thellë të SHBA-së, mbështetëses më të madhe të Republikës së Kosovës, për planet e Qeverisë së Kosovës për të vazhduar me zbatimin e vendimit të BQK-së për kufizimin e përdorimit të valutave të huaja, përfshirë dinarin, shkruan Demokracia.com.

Njëkohësisht, kjo deklaratë mund të bartë edhe pasoja të mëdha për Republikën e Kosovës, e cila e ka të domosdoshme mbështetjen e SHBA-së për konsolidimin e shtetësisë së saj në arenën ndërkombëtare.

Për Departamentin Amerikan të Shtetit “shumë qytetarë të Kosovës tani nuk e dinë se si do t’i paguajnë faturat apo do t’i marrin pensionet. Ky veprim nuk është gjithashtu në përputhje me përkushtimin e Kosovës për të punuar përmes Dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian për të adresuar çështjet që ndikojnë në mirëqenien e komunitetit të pakicës serbe”.

https://demokracia.com/tensione-etnike-na-e-kufizon-te-jemi-avokat-dy-paralajmerimet-e-frikshme-te-shba-se-pas-ndalimit-te-dinarit/

ÇKA NDODH NËSE SHBA NUK FLET PËR KOSOVËN?

Përgjigjja në këtë pyetje është e thjeshtë: Dëgjohet zëri i Rusisë, kundërshtarit të madh të Pavarësisë së Kosovës.

Rusia, që nga viti 2008 ka kundërshtuar ashpër Pavarësinë e Kosovës dhe që nga ajo kohë i ka dhënë mbështetje të pakufishme Serbisë në “luftën” e saj kundër shtetit të Kosovës.

Deri më tani, Serbia ka arritur të vazhdojë luftën e saj kundër shtetësisë së Kosovës, pikërisht për shkak të mbështetjes së fuqishme të Federatës Ruse.

Prapa mbështetjes së Rusisë për Serbinë është qëllimi që krijimi i shtetit të Kosovës të paraqitet si një projekt i dështuar i Perëndimit që drejtohet nga SHBA.

Por, pavarësisht kësaj lufte të ashpër të Rusisë dhe Serbisë kundër konsolidimit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës, vendi ynë ka arritur të ecë përpara me hapa të mëdhenj pikërisht për shkak të mbështetjes së pakufishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe shteteve kryesore të Bashkimit Evropian (Gjermania, Franca, Italia) dhe Britania e Madhe).

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë gjithmonë në çdo ngjarje në të cilën është folur për Republikën e Kosovës.

SHBA nuk kanë qëndruar të heshtur, por kanë qenë të zëshme për Republikën e Kosovës dhe avancimin e saj në arenën ndërkombëtare.

KURTI “RREZIKON KOSOVËN”, NUK KOORDINOHET ME SHBA

Megjithkëtë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në momente kritike po vepron pa koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat janë të angazhuara në luftën e Ukrainës kundër Rusisë dhe e kanë bërë të qartë domosdoshmërinë që Kosova të mos i shërbejë me asnjë veprim tensionimit të situatës së sigurisë në këtë pjesë të Ballkanit Perëndimor.

Vetëm pak orë para reagimit të DASH-it, ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, u deklara për media para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës. Nga aty, ai shprehu shqetësimin e SHBA-së që çështja e fundit lidhur me ‘Dinarin” mund të eskalojë tensionet etnike.

“Ne mendojmë që kjo çështje meriton konsideratë më të kujdesshme, por edhe diskutim në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Jemi të shqetësuar që potencialisht do të eskalojë tensionet etnike dhe të tregohet problematike për jetët e përditshme të një numri të qytetarëve të Kosovës. Jemi duke shpresuar që Qeveria e Kosovës do të gjejë një rrugë që të realizojë atë që është thënë nga zëvendëskryeministri Bislimi, që është që të kemi një lloj, nuk arrij të kujtoj termin e saktë që ai e përdori, një periudhë tranzicioni”, u shpreh i shqetësuar Hovenier më 1 shkurt 2024.

Pavarësisht këtij paralajmërimi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili duket i rebeluar për shkak të mos-heqjes së sanksioneve ndërkombëtare ndaj Kosovës dhe izolimit të tij, ka insistuar që BQK-në “ta lëmë të qetë”.

“Vendimet e BQK-së janë të pavarura dhe BQK-ja është institucion i pavarur. Rregulloret që ata i miratojnë janë krejtësisht në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës. Unë besoj se duhet ta lëmë të qetë BQK-në dhe guvernatorin Ahmet Ismaili që ta bëjë punën e tij, ashtu siç e ka fituar besimin në Kuvendin e Republikës tonë”, është deklaruar Kurti më 31 janar 2024. /Demokracia.com/

https://demokracia.com/duhet-ta-leme-te-qete-bqk-ne-kurti-me-mesazh-te-ashper-per-shba-dhe-be/

Të ngjashme