Lajme
Nën Kurtin, Kosova fillon të marrë teposhtëzen | Ndodhi për herë të parë në Këshillin e Sigurimit, SHBA-ja dhe vendet e tjera aleate nuk përkrahin vendimet e shtetit të Kosovës
Demokracia
08:55 | 09 Shkurt 2024

Share:

Që nga shpallja e pavarësisë, më 17 shkurt 2008, për herë të parë dhe për shkak të kryeministrit Albin Kurti, Republika e Kosovës ka marrë vërejtje serioze në një mbledhje Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Nuk kishte ndodhur më parë që shteti i Kosovës të mos marrë mbështetjen ndërkombëtare për vendimet e tij nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe aleatët tjerë dhe shtetet që njohin pavarësinë e Kosovës (Britania e Madhe, Franca, Japonia), shkruan Demokracia.com.

Në reagimet e tyre të paraqitura në seancën e jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së më 8 shkurt 2024, e thirrur me kërkesë të Serbisë, për shkak të Rregullores së BQK-së për kufizimin e përdorimit të valutave të huaja, përfshirë dinarin serb, Kosova u përfaqësua nga kryeministri Albin Kurti, ndërkaq Serbia nga presidenti i saj, Aleksandër Vuçiq.

Në disa nga reagimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për këtë temë është theksuar fuqishëm se “pasoja e këtij dhe veprimeve të ngjashme të njëanshme i kufizon mundësitë e Shteteve të Bashkuara si avokate e Kosovës në arenën ndërkombëtare”.

Lexo më shumë:

Pasojat e përplasjes së radhës Kurti – SHBA | Nëse SHBA s’flet për Kosovën, dëgjohet zëri i Rusisë dhe i kundërshtarëve të pavarësisë

SHBA ME BRENGA SERIOZE PËR VENDIMET E INSTITUCIONEVE TË KOSOVËS

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kritikuar Kosovën për Rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës. Përfaqësuesja e SHBA-së në OKB, Linda Thomas-Greenfield, ka shprehur brengën sa i përket planit të Kosovës për zbatimin e Rregullores dhe ka kritikuar Kosovën se ka vepruar pa koordinim dhe pa konsultim me serbët lokalë.

“Shtetet e Bashkuara mbesin të përkushtuara për paqen dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë edhe mbështetjen tonë për Forcën e Kosovës nga NATO-ja në përputhje me mandatin e OKB-së. Inkurajojmë që t’i kthehen dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, që SHBA-ja e mbështet fuqimisht dhe vazhdimisht. Që të jemi të qartë, është dialogu i lehtësuar nga BE-ja e jo i Këshillit të Sigurimit që duhet të jenë kanale për zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, duke përfshirë edhe zgjidhjet që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve. Kështu SHBA-ja ka shprehur brengën sa i përket planit të Kosovës për zbatimin e Rregullores së ndryshuar të BQK-së për sa i përket transaksioneve në para të gatshme. Vendimi është marrë pa përgatitje adekuate apo konsultim me popullatën lokale. Edhe një herë bëjmë thirrje për zbatim të këtij plani, por që të shtyhet deri sa të ketë procedura të kënaqshme në përputhje me standardet evropiane”, ka thënë përfaqësuesja e SHBA-së.

Ajo ka thënë se SHBA-ja është e brengosur edhe për “veprimet e Qeverisë së Kosovës ndaj zyrave të institucioneve të mbështetura nga Serbia”.

“Këto veprime nuk janë konsistente me zotimin e Kosovës që të punojë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja për të rregulluar çështje që kanë të bëjnë me mirëqenien e komunitetit serb në Kosovë, si dhe dëmtojnë rrugëtimin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Edhe një herë Këshilli i Sigurimit nuk është vendi ku duhet të zgjidhen këto çështje”, ka thënë ajo.

BRITANIA E MADHE KËRKON NGA KOSOVA TË RESPEKTOJË KUSHTETUTËN E VET

Përfaqësuesi i Mbretërisë së Bashkuar në OKB, ka tërhequr vërejtjen për institucionet e Republikës së Kosovës.

Sipas Britanisë së Madhe, një aleate dhe mbështetëse e madhe e shtetit të Kosovës, “Kosova duhet të ushtrojë pushtetin e vet sovran në përputhje me vizionin e demokracisë shumëetnike të ngulitur më në zemër të Kushtetutës”.

“Së pari Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë zotimet e tyre dhe të shmangin veprimet e njëanshme. Së dyti, Kosova duhet të ushtrojë pushtetin e vet sovran në përputhje me vizionin e demokracisë shumëetnike që është ngulitur mu në zemër të Kushtetutës së Kosovës. Sa i përket veprimet e fundit. BQK-ja ka kërkuar që të zbatojë përgjegjësitë e veta për rregullimin e valutave të huaja, por që implementimi i këtyre masave nga Qeveria e Kosovës ka treguar vëmendje të paktë për sa i përket ndikimit në komunitetit serb. Autoritetet e Kosovës duhet të ndërtojnë një plan të qartë që të gjithë serbët e Kosovës të vazhdojnë të marrin të ardhura dhe që shërbimet themelore të vazhdojnë të funksionojnë derisa të gjendet një zgjidhje e gjithanshme”, ka thënë përfaqësuesi i Britanisë së Madhe.

NUK ÇUDITË FRANCA, KËRKON PEZULLIMIN E MENJËHERSHËM TË RREGULLORES SË BQK-së

Franca, një shtet që mbështet pavarësinë e Kosovës, nuk ka mbështetur vendimin e institucioneve kosovare për çështjen e rregullimit të valutave.

Përfaqësuesi i Francës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së e ka paraqitur atë si një vendim që do të ketë pasoja negative në jetën e përditshme të serbëve dhe ka kërkuar pezullim të menjëhershëm.

“Ky do të ketë pasoja negative në jetën e përditshme të serbëve. Franca thekson thirrjen për pezullimin e vendimit menjëherë që të mundësohet një periudhë e tranzicionit”, ka thënë përfaqësuesi francez.

JAPONIA MBËSHTET QËNDRIMET E AMBASADAVE TË QUINT-it

Përfaqësuesi i Japonisë në OKB ka thënë se çdo veprim që mund të çojë në eskalim, duhet të shmanget.
Ai ka vlerësuar se Rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosvës për operacione në para të gatshme ndikon në jetën e përditshme të shumë serbëve në Kosovë që e përdorin monedhën e Serbisë.

“Jemi të brengosur me situatën ekzistuese në Kosovë, çdo veprim që mund të çojë në eskalim të mëtejmë duhet të shmanget për hir të popullit në rajon. Rregullorja e re e BQK-së për operacione në para të gatshme, kjo masë është zbatuar për sa i përket luftimit të parave të falsifikuar dhe të pastrimit të parave për të kontrolluar qarkullimin e parave të gatshme në Kosovë. Jemi të brengosur me ndikimin e rregullores ndaj jetës së përditshme të shumë serbëve të Kosovës që e përdorin monedhën e Serbisë dhe prandaj mund të jenë në pozicion të pafavorshëm. E kuptojmë që Kosova si vend ka nevojë për këto vendime, megjithatë masat që e prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve nuk duhet të bëhen me nxitje por të arrihen me komunikim transparent. Edhe ne i përsërisim mesazhet që kanë dalë nga ambasadat e QUIN-it që të vazhdohet me kujdes për të zvogëluar tensionet duke iu adresuar ndikimit të rregullores”, ka thënë ai.

Ndërkohë, shtetet që mbështetin Serbinë, Rusia dhe Kina, kanë paraqitur qëndrimet tashmë të ditura dhe kjo seancë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ishte një mundësi tjetër e tyre për të sulmuar shtetin e Kosovës. / Demokracia.com /

Lexo më shumë për këtë temë:

Vuçiq me “kukama” në Këshillin e Sigurimit | Institucionet e Prishtinës po i persekutojnë serbët

“Janë gënjeshtra” | Kurti i kundërpërgjigjet propagandës së Serbisë në Këshillin e Sigurimt për Rregulloren e BQK-së

Kurti zbulon në OKB: Rregullorja e BQK-së nuk kufizon mbështetjen e Serbisë për serbët e Kosovës

Kurti: Serbët mund të mbajnë dinarë, por euroja është valuta e vetme si mjet pagese

Të ngjashme