Arte
Artistët bëhen bashkë për të mbështetur krijimin e një galerie të re
Demokracia
15:01 | 12 Gusht 2021

Share:

35 artistë janë bërë bashkë për të ndihmuar në mbledhjen e fundeve për krijimin e një galerie të re në kryeqytet që vjen si kampanjë e inicuar nga Fondacioni Shtatëmbëdhjetë.

Abi Shehu, Agim Balaj, Arbnor Karaliti, Artan Hajrullahu, Atdhe Mulla, Blerta Hashani, Blerta Hoçia, Brilant Milazimi, Brilant Pireva, Dardan Zhegrova, Dion Zeqiri, Doruntina Kastrati, Dren Maliqi, Driton Selmani, Ermir Zhinipotoku, Ferdi Limani, Fitore Berisha, Fitore Isufi KOJA, Gerta Xhaferaj, Gresë Lahu, Haveit, Jakup Ferri, Jetmir Idrizi, Laureta Hajrullahu, Lendita Zeqiraj, Lumturie Krasniqi, Mimoza Sahiti, Nita Zeqiri, Rron Qena, Rudina Xhaferi, Urtina Hoxha, Valdrin Thaqi edhe Vigan Nimani janë artistët që e kanë mbështetur këtë iniciativë, ku 50% e fitimit nga shitja e këtyre veprave do të shkojnë për renovimin dhe funksionalizimin e Galerisë 17.

“Galeria 17” është fushata më e re në KOSOVA ideas nga Fondacioni Shtatëmbëdhjetë, shkruan Demokracia.com

Kjo fushatë ka si qëllim krijimin e një hapësire për edukim, aktivizëm dhe eksperimentime artistike të guximshme.

Rozafa Maliqi, një nga inicueset e këtij eventi, tregon për Demokracia.com se ideja fillestare ishte e Doruntina Kastratit, një artiste, të cilës iu përgjigjën me entuziazëm.

“Ne besojmë që nëse duam të arrijmë diku si shoqëri në përgjithsi, duhet të gjejmë mënyra për të përkrahur njëri-tjetrin”, shprehet ajo si përgjigje se pse vendosën të mbështesin këtë iniciativë.

Duke e identifikuar kulturën si një prej përparësive kryesore të vendit, që ka më së shumti potencial për zhvillim, Maliqi thotë se sa më shumë hapsira të ketë në qytet, aq më shumë do të ketë mundësi për artistë të ndryshëm të zhvillojnë artin e tyre, të përkrahen dhe madje edhe të përfitojnë materialisht.

“Ideja ka lindur javën e kaluar nga Doruntina Kastrati, e cila është një artiste që nuk është e përfshirë në ekspozitë, mirëpo e ka parë krijimin e kësaj hapësire si diçka shumë të rëndësishme. Ajo na e ka treguar idenë dhe së bashku krijuam një listë me artistë të cilët pasi i kontaktuam, pranuan pa hezitim të japin nga një punim”, thotë ajo.

Përpos që shitjet do të kontribojnë në krijimin e kësaj galerie, kjo ekspozitë promovon edhe punët e artistëve lokal, të cilët pashmangshëm janë prekur nga pandemia.

Ekspozita është hapur sot (12 gusht) me orar 12:00 – 14:00 dhe 18:00 – 21:00 dhe do të qëndrojë e hapur deri të shtunën (14 gusht).

Për të blerë ndonjë nga këto punime artistike klikoni këtu

 

Të ngjashme