Lajme
Politika konfliktuoze e Kurtit me SHBA përkthehet në urime të vakëta | Për Kosovën mjaftohen me “partneritet të qëndrueshëm” e me Serbinë vlerësojnë “partneritetin strategjik” (Dokumente)
Demokracia
09:24 | 18 Shkurt 2024

Share:

Mënyra si flasin zyrtarët e një shteti me ata të një shteti tjetër është pëcaktues i qartë i nivelit të marrëdhënieve mes atyre dy shteteve.

Kjo mund të thuhet me saktësi të madhe edhe për raportet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shkruan Demokracia.com.

Politika konfliktuale dhe përplasëse e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, po përcakton edhe sjelljen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në angazhimin e saj për forcimin e Republikës së Kosovës.

Kjo tashmë është pranuar publikisht nga Departamenti Amerikan i Shtetit të SHBA-së kur alarmoi më 1 shkurt 2024 se “pasoja e këtij dhe veprimeve të ngjashme të njëanshme i kufizon mundësitë e Shteteve të Bashkuara si avokate e Kosovës në arenën ndërkombëtare”.

Demokracia.com sjell dallimin e madh në përmbajtjen e dy letrave të fundit që Sekretari Amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, i ka dërguar për Serbinë dhe Kosovën, më 15 dhe 17 shkurt 2024.

15 SHKURT 2024 – BLINKEN PËR SERBINË: SHBA VLERËSOJNË PARTNERITETIN TONË STRATEGJIK

Në mesazhin e tij drejtuar popullit të Serbisë në Ditën e Shtetësisë (15.02.2024), Sekretari Amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, ka përzgjedhur fjalë me domëthënie dhe dobi të madhe.

Qysh në fillim bie në sy vlerësimi amerikan për Serbinë për “partneritetin tonë strategjik”.

“Shtetet e Bashkuara vlerësojnë partneritetin tonë strategjik me Serbinë. Ne mezi presim të forcojmë lidhjet tona dypalëshe dhe të nxisim një të ardhme më të qëndrueshme, të sigurt dhe më të begatë për popullin serb dhe amerikan”. 

Në vazhdim të urimit të Sekretarit Blinken thuhet se “Shtetet e Bashkuara presin me padurim bashkëpunimin e mëtejshëm në fushën ekonomike, sigurisë së energjisë dhe mbrojtjes së Serbisë”.

17 SHKURT 2024 – BLINKEN PËR KOSOVËN: SHBA VLERËSOJNË PARTNERITETIN TONË TË QËNDRUESHËM

Mesazhe më të vakëta ka dërguar Sekretari Blinken në urimin e tij për 16-të vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Qysh në fillim të këtij urimi, përcaktohet edhe raporti mes Shteteve të Bashkuara dhe Republikës së Kosovës. Fjalë kyçe e këtij urimi është vlerësimi i SHBA-së për “partneritetin tonë të qëndrueshëm”.

“Shtetet e Bashkuara vlerësojnë partneritetin tonë të qëndrueshëm, të rrënjosur në mirëkuptimin reciprok, vlerat e përbashkëta dhe miqësinë mes njerëzve tanë. Ndërsa vazhdoni të bëni përparim në forcimin e institucioneve demokratike dhe promovimin e sundimit të ligjit, ne do të vazhdojmë të mbështesim një Kosovë multietnike që avancon një rajon më të sigurt dhe më të begatë”, thuhet ndër tjerash në mesazhin e urimit të Sekretarit Blinken, që mban datën 17 shkurt 2024.

Blinken nuk ka përmendur diçka konkrete për bashkëpunimin SHBA – Kosovë, por ka shprehur besimin se e ardhmja e Kosovës është në Evropë dhe në institucionet euroatlantike.

“Shtetet e Bashkuara besojnë se e ardhmja e Kosovës është në Evropë dhe në institucionet euroatlantike. Ne mbështesim aspiratat e përcaktuara në deklaratën tuaj të pavarësisë dhe Kushtetutës për të “kontribuuar në stabilitetin e rajonit dhe të gjithë Evropës, duke krijuar marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit”, thuhet në vazhdim të urimit të Blinken.

Politikat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të pakoordinuara me aleatët e shtetit të Kosovës, sidomos me SHBA-në, po sjellin pasoja të pariparueshme për Republikën e Kosovës dhe konsolidimin e saj në arenën ndërkombëtare.

Më 8 shkurt 2024, në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për herë të parë vendimet e shtetit të Kosovës nuk janë mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Franca, Japonia e shtete të tjera që kanë njohur pavarësinë e Kosovës, të cilat thanë hapur se nuk mbështesin vendimet e njëanshme të shtetit të Kosovës, siç ishte rasti me rregulloren e BQK-së për kufizimin e përdorimit të valutave të huaja, përfshirë dinarin serb. /Demokracia.com/

Lexo më shumë për këtë temë:

Nga SHBA vjen lajmi që shqiptarët s’do të donin ta lexonin kurrë| Për shkak të Albin Kurtit raportet SHBA – Kosovë janë lëkundur

Humbja e aleatëve | Lojërat e rrezikshme të Albin Kurtit në kurriz të shtetit të Kosovës

Të ngjashme