Lajme
Votimi për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë | Si e hapi Albin Kurti rrugën për rikthimin në pushtet të Listës Serbe në komunat veriore të Kosovës?
Demokracia
13:17 | 09 Mars 2024

Share:

Më 21 prill 2024, për herë të parë në historinë politike të Kosovës, votuesit e katër komunave veriore të Kosovës, të cilët me shumicë janë të komunitetit serb, do të dalin për të votuar për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë që u zgjodhën më 23 prill 2023. Në atë kohë, këto zgjedhje ishin bojkotuar prej tyre.

Kjo rrugë e re është hapur nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shkruan Demokracia.com.

Nëse 50% +1 e votuesve të këtyre komunave votojnë për shkarkimin e kryetarëve, zgjedhjet e reja për kryetar të komunave do të mbaheshin pas 45 ditësh.

Ky do të ishte një proces i ri zgjedhor, në të cilin Lista Srpska ka shprehur gatishmëri për të marrë pjesë. Në zgjedhjet e fundit lokale të mbajtura në vitin 2021, kandidatët e kësaj partie kishin fituar me rezultate të thella, me mbi 80% apo edhe gati 99%.

Mbajtja e një procesi të ri zgjedhor, pashmangshmërisht po krijon kushtet për rikthimin në pushtet të kësaj partie, e cila në shumë raste siç ka thënë edhe vetë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dirigjohet nga Beogradi.

SI E HAPI ALBIN KURTI RRUGËN PËR RIKTHIMIN NË PUSHTET TË LISTËS SERBE?

Më 11 korrik 2023, Qeveria e Kosovës ka njoftuar se ka arritur një marrëveshje për de-eskalimin e situatës në veriun e Kosovës. Në mesin e hapave të paraparë është edhe mbajtja e zgjedhjeve të reja në veriun e Kosovës. Kjo do të thotë edhe ndërprerje e parakohshme e mandatit të katër kryetarëve të komunave Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

“Qeveria e Kosovёs pёrmes njё deklarate publike mbёshtet mbajtjen e zgjedhjeve tё parakohshme nё 4 komunat nё veri tё vendit dhe atё pas stinёs sё verёs. Kosova shpreh pёrkushtimin pёr sigurimin e bazёs sё nevojshme ligjore pёr tё mundёsuar organizimin e kёtyre zgjedhjeve”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.

https://kryeministri.rks-gov.net/blog/komunikate-per-media-30/

Kurti kishte folur personalisht për këtë “rrugë ligjore” për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë të komunave veriore. Më 23 korrik 2023, ai kishte thënë për “Veçernji List” se kryetarët shqiptarë mund të largohet nga pozitat e tyre vetëm nëse 50% e votuesve janë kundër tyre.

“Neni 72 i Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale thotë se është e mundur mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme nëse 20% e elektoratit bëjnë peticion dhe më pas mbahet votimi. Nëse më shumë se 50% e votuesve votojnë kundër atij kryetari, praktikisht i merret mandati. Duhet të ecim ligjërisht drejt zgjedhjeve të reja të parakohshme”, kishte deklaruar Kurti.

Vetëm pak kohë më vonë, në shtator të vitit 2023, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me anë të Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal, që është nën varësinë e tij të drejtpërdrejtë, nxori Udhëzimin Administrativ 02/2023 për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni.

LISTA SERBE ORGANIZON PETICIONIN

Pas krijimit të bazës ligjore, ndonëse me shumë pikëpyetje nëse është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, Lista Srpska organizoi në katër komunat e veriut të Kosovës nënshkrimin e peticionit, me anë të të cilit mblodhën 20% të nënshkrimeve të votuesve, duke bërë realitet hapin e radhës – procesin e votimit për largimin e kryetarëve shqiptarë.

Ky proces zgjedhor, sipas vendimit të KQZ-së, pritet të mbahet më 21 prill 2024. Vendimi është mbështetur edhe nga dy përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje të Albin Kurtit në KQZ, Alban Krasniqi e Sami Kurteshi, të cilët kanë votuar pro dhe nuk kanë pasur asnjë kundërshtim. /Demokracia.com/

Të ngjashme