Lajme
Zgjedhjet në Maqedoni të Veriut | Deri në orën 13:00 votuan mbi 300 mijë qytetarë
Demokracia
15:18 | 08 Maj 2024

Share:

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) njoftoi se deri në orën 13:00 në zgjedhjet presidenciale kanë votuar 302 mijë e 158 qytetarë apo 23.95 për qind nga rreth 1.8 milion qytetarë me të drejtë vote, ndërsa në zgjedhjet parlamentare 312 mijë qytetarë apo 25.84 për qind e trupit elektoral.

“Nga gjithsej 1.261.526 votues të regjistruar kanë votuar 302.158 ose 23,95%. Aktualisht, dalja më e madhe për zgjedhjet presidenciale është në Kriva Pallankë me 46,44%. Pjesëmarrja më e ulët në zgjedhjet presidenciale u regjistrua në Likovë me 3,28%”, thuhet në njoftimin e KSHZ-së.

“Deri në orën 13:00 janë marrë të dhënat për pjesëmarrjen e votuesve për zgjedhjet parlamentare nga 2348 vendvotime. Nga gjithsej 1.207.922 votues të regjistruar në këto vendvotime, votuan 312.070 ose 25.84%. Aktualisht dalja më e lartë për zgjedhjet parlamentare është në Krivogastan me 48,65%, ndërsa pjesëmarrja më e ulët në Mavrovë dhe Rostushë me 11,91%”.

Kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Novakovski, njoftoi më herët se në zgjedhjet presidenciale deri në orën 11:00 votuan 12.87 për qind e qytetarëve, ndërsa në zgjedhjet parlamentare 13,69 për qind. E pjesëmarrja në votimet presidenciale është më e ulët nga ajo në zgjedhjet parlamentare, në veçanti në rajonet perëndimore të vendit të banuara kryesisht nga shqiptarët.

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut u janë drejtuar të mërkurën kutive të votimit për t’i zgjedhur presidentin dhe parlamentin e ri të vendit, derisa deri tani nuk është raportuar për asnjë parregullsi në procesin e dyfishtë zgjedhor.

Në garën presidenciale janë dy kandidatë, fituesja e rundit të parë, kandidatja e VMRO-DPMNE-së në opozitë, Gordana Silanovska-Davkova, dhe kryetari aktual i shtetit, Stevo Pendarovski, i cili mbështetet nga Lidhja Social Demokrate (LSDM) në pushtet. E vota e shqiptarëve në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale do të jetë vendimtare për presidentin e ri të vendit, transmeton albanianpost.

Ndryshe, beteja kryesore në garën për 120 ulëset e parlamentit, ku marrin pjesë 17 lista të deputetëve, zhvillohet mes VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së në kampin maqedonas, ndërsa në kampin shqiptar mes Frontit Evropian të drejtuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dhe koalicionit opozitar shqiptar VLEN, i cili mbështet nga kryeministri i Kosovës.

Të ngjashme