Lajme
D+: Rënia e kulmit të objektit të Komunës së Prishtinës – alarm për luftimin e korrupsionit në prokurim publik
Demokracia
15:27 | 08 Maj 2024

Share:

Organizata e cila merret me monitorimin e prokurimit publik Democracy Plus ka mbajtur një konferencë për media  ku ka prezantuar gjetjet e raportit “Rënia e kulmit të objektit të Komunës së Prishtinës – alarm për luftimin e korrupsionit në prokurim publik”, raporton Demorkacia.com.

Gjatë prezantimit u theksua mungesa e kulturës ndëshkuese ndaj kompanive që falsifikojnë, keqpërdorin apo mashtrojnë në prokurim publik. Si rast është përmendur kompania NBT-ING Sh.P.K., e cila kishte fituar kontratën e Komunës së Prishtinës për rikonstruktim të kulmit të objektit të komunës, pavarësisht se pronari i kësaj kompanie ka qenë i dënuar nga gjykata në dy raste të ndryshme. Kjo ishte e mundur sepse kompanisë, si person juridik, nuk ju ndalua pjesëmarrja në prokurim publik.

Më poshtë mund ta hulumtimin e plotë:

Me datën 18 janar 2024, si pasojë e punimeve të dobëta, erërat rrëzuan kulmin e objektit të ri të Komunës së Prishtinës, duke shkaktuar dëme materiale dhe lëndime në njerëz.

Kjo ngjarjeshpërfaqi pasojat që shkaktohen nga mungesa e sanksionimit të kompanive të cilat në vazhdimësi shkelin Ligjin e Prokurimit Publik (LPP). Kjo analizë e shkurtër ka për qëllim të shpalosë raste të caktuara të mashtrimeve në prokurim publik e të cilat nuk janë sanksionuar nga organet përgjegjëse për to. Po ashtu, analiza dëshmon që edhe kur kompanitë apo pronarëte tyre janë dënuar nga gjykatat për mashtrime në prokurim publik, dënimet kanë qenë shumë të buta gjë që nuk ka ndikuar në dekurajimin e kompanisë për të vazhduar me mashtrime të njëjta. Në fund analiza ofron disa rekomandime për institucionet relevante me qëllim përmirësimin e sistemit dhe rritjes së integritetit në prokurimin publik.

NBT-ING Sh.P.K dhe historia e mashtrimeve në kontrata

Publike Komuna e Prishtinës, në janar të vitit 2023 ndau 700,000.002  euro për rikonstruktimin e kulmit të objektit të ri të komunës. Me kontratë u shpërblye kompania NBT-ING Sh.P.K., e cila ofertoi me 386,096.29 euro, apo rreth 313,903.71 euro më e ulët se sa vlera e parashikuar për këtë aktivitet.

Kompania që u shpall fituese e kontratës dhe zhvilloi punimet në kulmin e objektit të komunës, ka një histori mashtrimi në prokurim publik.

Siç do të trajtohet në vazhdim, pronari i kompanisë NBT-ING Sh.P.K. në dy raste të ndryshme ishte dënuar nga gjykata për falsifikim dhe mashtrim në tenderë publik, por që kompania asnjëherë nuk ishte ndaluar që të merrte pjesë në aktivitete të prokurimit publik.

RASTI I PARË – Kompania NBT-ING Sh.P.K., në vitin 2018 kishte ofertuar me dokumente të falsifikuara në tenderin për ‘’Ndërtimin e rrugës Mushtisht-Vërbeshticë-Shtërpc’’, në vlerë të parashikuar prej 1,000,000.00 euro, të iniciuar nga Komuna e Suharekës

Për këtë mashtrim, Gjykata Themelore në Prizren – Dega Suharekë, me aktgjykimin nr. 341/2019 të datës 29.06.2021, e kishte shpallur fajtor pronarin e kompanisë, për veprën penale falsifikim i dokumenteve dhe i shqiptoi gjobë prej 900.00 euro.

RASTI I DYTË – Kompania NTB-ING Sh.P.K., vazhdoi të fitojë kontrata publike, siç ishte tenderi ‘’Renovimi i objektit të Prokurorisë Speciale’’, me vlerë të parashikuar 999,800.00 euro.

Në këtë aktivitet të prokurimit i zhvilluar në vitin 2020, kjo kompani mashtroi sërish duke ofertuar me dokumente të falsifikuara. Për këtë rast, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, me aktgjykimin nr. 450/2021 të datës 10.10.2022, e kishte shpallur fajtor pronarin e NTBING Sh.P.K. për keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik, duke e gjobitur me 2,000.00 euro dhe dënuar me një vit burgim. Ky aktgjykim u vërtetua edhe nga Gjykata e Apelit me vendimin nr.602/2022, i datës 12.01.2023.

Pra, pavarësisht dy rasteve të dënimit me vendim nga gjykatat kompetente në vitin 2018 dhe 2020 për mashtrim në prokurim publik, kompania NTB-ING Sh.P.K prap ofertoi dhe fitoi tenderin nga Komuna e Prishtinës në vitin 2023 për rikonstruktimin e kulmit të objektit të ri të komunës. Kjo për shkak se autoritetet kontraktuese (Komuna e Suharekës në rastin e parë dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës në rastin e dytë) nuk kishin bërë kërkesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik (OShP) për diskualifikimin e kompanisë përkatëse dhe rrjedhimisht eliminimin e saj nga mundësia për të konkuruar prap në tenderë publik.\

‘’Lista e Zezë’’ si mekanizëm i pashfrytëzuar në luftimin e mashtrimeve në prokurim publik

Në rastet kur kompanitë që synojnë të marrin kontrata publike, ofertojnë me dokumente të falsifikuara apo deklarojnë të dhëna të rreme, institucionet publike janë përgjegjëse që të aplikojnë mekanizmat ligjor që sigurojnë ndëshkimin e tyre.

Një nga mekanizmat më efikas i cili mund të aplikohet në rastet kur kompanitë ofertojnë me dokumente të falsifikuara apo deklarojnë të dhëna të rreme, është diskualifikimi i tyre nga pjesëmarrja në tenderime publike, apo siç njihet ‘’Lista e Zezë’’. Përparësia kryesore e këtij mjeti të paraparë me LPP, është shpejtësia me të cilën mund të merret vendimi për përfshirjen e kompanisë në “Listën e Zezë” sepse OShP pa vendim të gjykatës mund të vendosë për diskualifikimin e kompanive për një periudhë deri në një (1) vit, duke u bazuar në një kërkesë të institucionit publik (autoritetit kontraktues).

Ndonëse gjykatat vërtetuan dy herë se kompania NBT-ING Sh.P.K. falsifikoi dokumente, Komuna e

Suharekës dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës si autoritete kontraktuese, nuk paraqitën kërkesën për

diskualifikimin e kompanisë, përkundër faktit se ndërmarrja e një veprimi të tillë ishte përgjegjësi ekskluzive e tyre. Në fakt, një kërkesë të tillë, këto dy institucione është dashur ta bëjnë në momentin e paraqitjes së dyshimit për falsifikim të dokumenteve.

Nëse i referohemi rasteve të diskualifikimit në tri vitet e fundit (nga 1 janari i vitit 2021 deri më 1 janar 2024), OShP diskualifikoi 36 kompani  nga pjesëmarrja në prokurim publik. Ky numër është i vogël për faktin se bëhet fjalë për një periudhë tri vjeçare, gjatë të cilës janë dhënë rreth 30 mijë kontrata publike7

‘’Lista e Zezë’’ është mekanizmi i vetëm ligjor ekzistues që i mundëson autoriteteve kontraktuese një rol proaktiv në ruajtjen e integritetit të prokurimit publik. Në anën tjetër, diskualifikimi i vetëm 36 kompanive gjatë periudhës tri (3) vjeçare, shpërfaq përdorim shumë të ulët të këtij mekanizmi.

Shqiptimi i sanksioneve të buta nga gjykatat

Përveç ‘’Listës së Zezë’’ si instrument për luftimin e mashtrimit në prokurim publik, tjetër instrument është sanksionimi penal që shqiptohet nga gjykata, duke u bazuar në Kodin Penal të Republikës së Kosovës i cili ka paraparë si vepra penale falsifikimin, mashtrimin dhe keqpërdorimin në prokurim publik. Për dallim nga instrumenti i parë (Lista e Zezë), të cilën e inicion institucioni si autoritet kontraktues, në fillimin e hetimeve për vepra penale në prokurim publik në këtë rast e bënë prokuroria sipas detyrës zyrtare. Problemi që lidhet me instrumentin e dytë ka të bëjë me sanksionet e buta për kompanitë ndaj të cilave vërtetohet vepra e mashtrimit në prokurim publik. Pra, gjykatat po shqiptojnë sanksione të buta të cilat nuk po rezultojnë në përmirësimin e gjendjes në terren pavarësisht përcaktimeve të Kodit Penal. Këtë e dëshmojnë vendimet e gjykatave ndaj veprimeve të kompanisë NBT-ING Sh.P.K.

Pavarësisht se Kodi Penal në fuqi në vitin 2018 kishte paraparë dënim me gjobë ose me burgim deri në tre (3) vite8, për këdo që falsifikon një dokument, pronari i kompanisë NBT-ING Sh.P.K., në rastin e parë është dënuar me vetëm 900.00 euro gjobë. Në rastin e dytë, edhe pse Kodi Penal i ri i miratuar në vitin 2019, vetëm sa ka rritur masën e sanksionimit me burg për raste të tilla, pronari i kompanisë u dënua me 2,000.00 euro gjobë dhe një (1) vit burgim. Vlen të ceket se sipas Kodit

Penal të miratuar në vitin 2019, për rastet e falsifikimit ka paraparë dënim me gjobë dhe me burgim deri në katër (4) vite për këdo që përpilon dokument të falsifikuar apo ndryshon dokumentin origjinal me qëllim të shfrytëzimit të atij dokumenti si origjinal, dhe dënim me gjobë ose me burgim deri në (5) vite për këdo që kryen veprën e mashtrimit dhe keqpërdorimit në prokurim publik.

Dënime të tilla nuk janë në proporcion me nivelin e rrezikut që shkaktojnë veprimet mashtruese të kompanive. Madje, këto dënime përveç se shpërfaqin mospërputhjen e thellë në mes të peshës së shkeljes dhe ndëshkimit, ato edhe inkurajojnë kryerjen e veprimeve të njëjta në të ardhmen, siç edhe është rasti i kompanisë e cila u shpërblye me kontratën për rikonstruktimin e kulmit të objektit të Komunës së Prishtinës.

Mangësitë e Ligjit për Prokurimin Publik

Përveç mosveprimit të institucioneve në përputhje me të drejtat dhe përgjegjësitë trajtuar më lartë, problem tjetër është edhe ekzistimi i zbrazëtirave në kornizën ligjore, të cilat u mundësojnë kompanive të papërgjegjshme që të vazhdojnë të fitojnë kontrata publike.

Në parim, LPP ndalon nga pjesëmarrja në aktivitete të prokurimit ose në ekzekutimin e një kontrate atë kompani nëse ndonjë drejtues, menaxher apo drejtor i kompanisë, është shpallur fajtor nga një gjykatë kompetente në dhjetë vitet e kaluara11. Mirëpo, kjo dispozitë e ligjit, sipas interpretimit të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP)12, përfshinë vetëm drejtuesit, menaxherët ose drejtorët aktualisht të punësuar në kompani, ndërsa përjashton ish-drejtuesit, menaxherët apo drejtorët që më herët kanë mbajtur këto pozita, të cilët kanë kryer vepra penale për të sjellë përfitim për kompaninë.

Duke qenë se kjo dispozitë, sipas interpretimit të KRPP-së, vlen vetëm për stafin aktual dhe nuk përfshinë drejtuesit, menaxherët apo drejtorët që në të kaluarën mund të kenë kryer vepra penale në kuadër të kompanisë, i hap rrugë kompanisë të mos ketë pengesa në funksionim duke bërë ndryshimet në ekipin e kompanisë, më saktësisht vetëm të ndërroj pronarin, menaxherin apo drejtorin.

Të ngjashme