Lajme
UP-ja merr masa ndaj Ardian Kastratit, e çon në Këshill të Etikës
Demokracia
12:48 | 08 Prill 2021

Share:

Universiteti i Prishtinës është distancuar nga gjuha fyese dhe denigruese e profesorit, Ardian Kastrati dhe e ka dërguar rastin në Këshillin e Etikës.

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka dërguar rastin e gjuhës fyese të profesorit Ardian Kastrati në Këshillin e Etikës, përcjell Demokracia.com.

Këshilli i Etikës është organ i pavarur i UP-së, i emëruar nga Senati, me qëllim të trajtimit në mënyrë meritore dhe sipas ligjit, çështjet e tilla brenda UP-së.

Kastrati, përmes një postimi në Facebook, edhe pse nuk ka sqaruar nëse postimi i tij ka cak ndonjë figurë të caktuar publike, ka bullizuar me peshë nëpërmjet vargjeve të Konicës.

“Në një shkrim të botuar në ‘ Gazeta Dielli’ mes tjerash gjeta këtë përshkrim satirik të Konicës (për një ish zyrtare të lartë të Stambollit) që sonte më bëri të qesh me lot:

“…një fshatarake me një bark si kadë e me këmbë si magje, me një palë duar të trasha e të pjekura, e me një fytyrë të fryrë e të kuqe si piper t’Ohrit”.”, shkroi në postim.

Njoftimi i UP-së:

Pas njoftimit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” lidhur me distancimin dhe dënimin e gjuhës denigruese, të përdorur në postimin e z. Ardian Kastrati, profesor asistent në Fakultetin Filozofik, UP-ja njofton opinionin se këtë çështje e ka dërguar për trajtim me prioritet në Këshillin e Etikës.

Këshilli i Etikës është organ i pavarur i UP-së, i emëruar nga Senati, me qëllim të trajtimit në mënyrë meritore dhe sipas ligjit, çështjet e tilla brenda UP-së.

Meqenëse puna në Universitetin e Prishtinës bazohet në vlerat themelore të arsimit të lartë, jemi të përkushtuar që mjedisi universitar të jetë i sigurt, nxitës, pa diskriminim dhe respektues i plotë i të drejtave të njeriut./Demokracia.com/

Të ngjashme