Lajme
Letra e PDK-së për Kurtin e opozitën- A po shpërndahet Kuvendi javën e ardhshme?
Demokracia
22:42 | 25 Maj 2024

Share:

Opozita në Kuvendin e Kosovës nuk po mund të “takohen” në të njejtën rrugë.

PDK po kërkon shpërndarjen e Kuvendit, e në anën tjetër LDK e AAK po kërkojnë njëherë dorëheqjen e kryeministrit Albin Kurti. Ky i fundit nuk po e pranon dorëheqjen, por ka propozuar stinët për mbajtjen e zgjedhjeve.

I pari i PDK-së, Memli Krasniqi u ka dërguar letër Kurtit, Abdixhikut e Haradinajt. Përmes kësaj letre PDK-ja ka propozuar datën 29 maj për shpërndarjen e Kuvendit, derisa datën 30 qershor dhe 7 korrik si opsione për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohëshme.

Për këto propozime LDK- ja i tha jo kësaj letre.

Ndërsa si duket AAK-ja po e “analizon” ende letrën e Memli Krasniqit, pasi deri tani nuk kanë bërë ndonjë reagim.

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, thotë se nuk do të pranojnë shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës pa dakordimin e përbashkët të opozitës.

“Java e ardhshme, nëse lidhet me datat e mundësisë së mbajtjes së zgjedhjeve në 30 qershor ose 7 korrik është java e fundit e mundshme për të ndodhë një proces për shpërndarjen e Kuvendit. Por aktualisht ne kemi shpërndarë këtë informatë edhe me PDK-në, se Grupi Parlamentar i LVV-së dhe pozita nuk pranojnë të hyjnë në proces të votimit nëse nuk ka dakordim me dy partitë të tjera opozitare. Ne nuk mundemi vetëm me një kërkesë të partisë opozitare të shpërndajmë Kuvendin. Për ne është paradoksale edhe që nuk është një nismë që mund të jetë e garantuar që do të ketë sukses. Prandaj, pa e pasur konfirmimin ose çelësin për shpërndarje të Kuvendit e kanë në dorë edhe dy partitë të tjera opozitare. Ato nuk kanë treguar interesim apo kanë refuzuar idenë, atëherë mbetet që mos të ketë asgjë të jashtëzakonshme javën tjetër. Mandati do të vazhdojë ashtu siç është paraparë me Kushtetutë deri në fund të mandatit katërvjeçar”, tha Kusari-Lila.

 

Të ngjashme