Lajme
DOKUMENT | TELEKOMI shpalli fituesit e rrjetit shpërndarës të kontratës 15 milionëshe, por vendimi sërish mund t’i prishet
Demokracia
21:27 | 25 Maj 2024

Share:

Telekomi i Kosovës ditë më parë ka shpallur tenderin për modernizimin dhe zgjerimin e rrjetave telekomunikuese optike në tërë territorin e Kosovës. Kontrata parashihet të jetë në 8 lote dhe tashmë janë rekomanduar për kontratë shumica e loteve. Por, kjo procedurë e prokurimit është pezulluar dje për shkak të një ankese, shkruan Demokracia.com.

Kontrata ka një vlerë të parashikuar prej 15 milionë eurosh bazuar në Dosjen e Tenderit.

Telekomi ka shpallur fituesit vetëm për lot 1, 2, 3, 4 e 7. Lotet 56 e 8 i ka anuluar me arsyetimin se ofertat tejkalojnë buxhetin e planifikuar.

Për lot 1 është rekomanduar kompania “Ubak” shpk, në një vlerë prej 1, 912, 225. 78 euro.

Për lot 2, kompania “Kosprod” shpk me vlerë totale të ofertës 1, 576. 995.22 euro.

Për lot 3, grupi i kompanive “El Tech Kosova Group” shpk & “22ING” shpk, në një vlerë prej 1, 786, 425. 70 euro.

Lot 4, përsëri kompania “Kosprod” shpk, me vlerë të ofertës 1, 334, 944, 87 euro.

Lot 7, “Ukab” shpk me vlerë 1, 354, 826. 08 euro.

Megjithëkëtë, ky aktivitet i prokurimit është pezulluar tash deri në shqyrtimin e ankesës.

Kundër njoftimit për dhënie të kontratës kanë parashtruar ankesë grupi i kompanive kompania “Sky- Group” shpk &  “Arda Group Construction” shpk & “Posse” shpk. Deri në shqyrtimin e kësaj ankese, ky tender do të jetë i pezulluar. Telekomi nuk e ka ngarkuar dokumentin e ankesës në e- prokurim, por veç formularin e pezullimit.

Me këtë kontratë, e cila do të implementohet për tri vite, Telekomi synon të realizojë shtrirje të rrjetit telekomunikues përmes mediumit optik në të gjithë vendin.

“Telekomi i Kosovës synon të zgjerojë dhe modernizojë rrjetin telekomunikues pasiv primar dhe sekondar përmes mediumit optik; si dhe ndërlidhjen e rrjetave mes vete (rrjetit ajror dhe tokësor)”, thuhet në përshkrimin e tenderit në E-prokurim.

Projekti parasheh që të shtrijë edhe rrjetin e brendshëm, brenda objekteve të banimit.

Gjithashtu, përmes kësaj kërkese, klientët ekzistues që shërbehen përmes mediumit të bakrit do të migrohen në medium optik. Ky projekt do të përfshijë edhe shtrirjen e rrjetit të brendshëm, brenda objekteve të banimit, deri te klienti”, thuhet në njoftim, përcjell Demokracia.com.

Telekomi i Kosovës ditë më parë ka nënshkruar kontratë me Digitalb për blerjen e programeve të këtij operatori. Kohëzgjatja e kësaj kontrate do të jetë 2-vjeçare, ndërsa pagesa do të bëhet në bazë të dakordimit me çmimin e abonimit. Por, siç shihet, Telekomi nuk ka rrjet shpërndarës për ta çuar transmetimin te klientët e tij potencialë.

Shuma e kësaj kontrate për “furnizim me programe të Digitalb” kap shifrën 1 milion e 300 mijë euro.

Kohëzgjatja e kësaj kontrate do të jetë 2-vjeçare, ndërsa pagesa do të bëhet në bazë të dakordimit me çmimin abonues.

Sipas dosjes së tenderit, përzgjedhja e kanaleve përfundimtare do të bëhet nga Telekomi gjatë fazës së negociatave, ku po ashtu do të merren për bazë edhe kërkesat e Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM). Përveç kanaleve të rregullta televizive, sipas dosjes së tenderit, parashihet që pjesë e marrëveshjes të jetë edhe opsioni “VOD-kontent”, në të cilën transmetohen filma, dokumentarë, emisione dhe përmbajtje tjetër premium. “Kanalet e filmave duhet të jenë të titruara në shqip ose mundësisht të sinkronizuara në gjuhën shqipe dhe të ketë mundësi që të bëhet zgjedhja e gjuhës origjinal apo e sinkronizuar në gjuhën shqipe. Të ofrohen edhe kanale ndërkombëtare dhe premium sipas mundësive që ka Digitalb”, thuhet në dosje.

Një detaj interesant i draft-kontratës është se është parashikuar që në rast se Digitalb humb të drejtën e transmetimit të ndonjë kanali, Telekomi i Kosovës pajtohet plotësisht me zëvendësimin e atij kanali me një kanal tjetër të së njëjtës cilësi ose me cilësi më të lartë. Në të kundërtën, sipas draft-kontratës, lejohet zbatimi i reduktimit me 3% të çmimit për abonent.

DigitAlb kishte arritur marrëveshje për transmetimin e kanaleve të tyre në rrjetin kabllor të Kosovës në maj të vitit 2022, duke lidhur kontratë me operatorin Kujtesa, por ankesa të shumta ishin paraqitur në KPM.

KPM kishte pranuar një ankesë nga një distributor filmash kroat, i cili kishte kërkuar ndërprejen e transmetimit të disa prej kanaleve në territorin e Kosovës. Digitalb dhe Kujtesa nuk depozituan dëshmi për ta hedhur poshtë ankesën dhe kësisoj KPM urdhëroi ndalimin e transmetimit të programeve të DigitAlb. /Demokracia.com/

Të ngjashme