Lajme
“U shokova, lutesha të mos ishte njeri”, flet peshkatari që gjeti trupin e pajetë të 9-vjeçares në lumin Buna
Demokracia
10:40 | 06 Maj 2024

Share:

Qyteti i Shkodrës gjatë ditës së djeshme është tronditur nga një ngjarje e rëndë, ku Alma Arazi bashkë me tre fëmijët e saj dyshohet se janë mbytur në lumin Buna.

Trupi i pajetë i 9-vjeçares u gjet dje nga një peshkatar që po qëndronte në atë zonë në orët e para të mëngjesit me varkën e tij.

Për mediat në Shqipëri, peshkatari ka ndarë detajet nga momenti kur ka hasur në trupin e viktimës, duke u shprehur se fillimisht shpresonte që të jetë kukull dhe jo trup njeriu.

“Isha duke zënë peshk, por ishte errësirë dhe ndeza dritën e telefonit për të parë se mos ndoshta helika… por më bëri të dyshoj diçka, te rreth një metër ujë. Mu duk a kukull, a njeri. Për momentin u shokova se më vajti mendja për njeri. Mora policinë në telefon, dhe pasi erdhën i çova te vendi atje. Pasi policët e nxorën, u konstatua se ishte njeri. U shokova, thoja inshalla nuk është njeri. Ishte diçka që nuk e kisha dëgjuar as në lajme, a është mbyt njeri a jo…”, ka thënë ai.

Pasi njoftoi Policinë, u konfirmua se trupi i përkiste 9-vjeçares, e cila prej pak ditësh rezultonte e zhdukur së bashku me të ëmën dhe motrën e vëllain, 6 dhe 3 vjeç.

Kujtojmë se polumbarët e RENEA-s kanë rinisur sot kërkimet për gjetjen e trupave të gruas bashkë me dy fëmijët e saj, të cilët dyshohet se janë mbytur në lumin Buna në Shkodër, transmeton Repoteri.net.

Po ashtu pritet që të ketë një mobilizim total me trupa shtesë nga Forcat e Armatosura në kuadër të kërkimeve intensive për gjetjen e trupave.

Ndryshe, e gjithë kjo tragjedi dyshohet se ka ndodhur si pasojë e dhunës së ushtruar nga bashkëshorti i gruas, Ergys Arazi, i cili është arrestuar nga Policia e Shtetit.

Alma Arazi dyshohet se bashkë me vajzat 9 dhe 6-vjeçare, si dhe djalin 3-vjeçar janë mbytur në lum.

Gjatë ditës së djeshme, një peshkatar ka hasur në trupin e pajetë të 9-vjeçares, teksa nuk ka shenja për gjetjen e viktimave tjera.

Në momentin e arrestimit Ergys Arazi nuk ka dhënë shpjegime. Dyshohet se ngjarja ka ndodhur që të enjten, në datën 2 Maj. Një ditë më pas, të premten, Ergys Arazi bëri denoncim në polici, ku deklaroi se gruaja dhe 3 fëmijët janë larguar nga banesa, por pa dhënë detaje për ndonjë sherr të mundshëm.

“Gjatë kontrolleve, rreth orës 22:00 të datës 04.05.2024, në ujërat e lumit Buna, në fshatin Darragjat, u gjet trupi i pajetë i vajzës 9-vjeçare të shtetasve Erdgys Arazi dhe Alma Arazi, e cila dyshohet se është vetëmbytur si pasojë e dhunës nga babai i saj”, njoftoi policia.

Policia ka njoftuar se në trupin e 9-vjeçares, e cila u gjet e pajetë në lumin Buna nuk janë konstatuar shenja dhune.

Të ngjashme