Lajme
“Fondi Sovran” askund, AKP- ja ka hapur ofertë për qiranë e 233 aseteve
Demokracia
14:05 | 27 Maj 2024

Share:

Ligji për Fondin Sovran është miratuar në dhjetor të këtij viti në Kuvendin e Kosovës, i sponsorizuar nga Qeveria e Albin Kurtit. Krijimi i Fondit Sovran ka qenë premtim elektoral i partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje. Ky premtim pas marrjes së pushtetit është futur edhe në programin qeverisës katërvjeçar. Qeveria, me krijimin e Fondit Sovran, ka paraparë shuarjen e Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe futjen e aseteve të AKP-së në këtë fond. Por, kjo metodë e vlerësuar si komuniste është larg realizmit, shkruan Demokracia.com.

Agjencia Kosovare e Privatizimit ka hapur shpalljen publike për qiradhënien e 233 aseteve atraktive që gjenden në pesë rajonet e Kosovës. Në rajonin e Prishtinës ofrohen për qiradhënie 28 asete, në rajonin e Pejës 98 asete, në rajonin e Prizrenit 76 asete, në rajonin e Gjilanit 16 asete dhe 15 asete lëshohen me qira në rajonin e Mitrovicës. Asetet e Ndërmarrjeve Shoqërore që ofrohen për qiradhënie janë të kategorive të ndryshme duke filluar prej objekteve afariste, zyrave, depove e lokaleve e deri tek ngastrat kadastrale si toka bujqësore.

Shpallja publike është e hapur që nga dita e sotme, ndërsa dorëzimi do të bëhet më 07.06.2024.

“Ky është një rast i volitshëm për ndërmarrësit e rinj që të funksionalizojnë kompanitë e tyre në asetet që janë shpallur me qira nga AKP, pasi që ofrohen për shfrytëzim asete mjaft atraktive në të gjitha rajonet e Kosovës. Periudha e qiradhënies është për 1 vit me mundësi vazhdimi. Gjithashtu parashihet edhe ndërprerja e saj në rast të privatizimit. Për shfrytëzim komercial aplikohet qiraja mujore, kurse për shfrytëzim bujqësor aplikohet qiraja vjetore (sezonale). Ofertat bëhen në mënyrë individuale për secilën njësi veç e veç dhe me zarf të mbyllur (një zarf – një ofertë për një njësi), dorëzohen në Zyrat Rajonale respektive, ashtu siç është e cekur në shpallje”, ka njoftuar AKP-ja, raporton Demorkacia.com.

Çka është Fondi Sovran?

Nëpërmjet Ligjit për Fondin Sovran, e gjithë pasuria më e rëndësishme publike e Kosovës pritet t’i bartet këtij Fondi.

Fondi Sovran do të marrë përsipër ndërmarrjet publike të natyrës komerciale si Trepça, Korporata Energjetike e Kosovës, Posta, Telekomi, Hekurudhat Infrakos dhe Hekurudhat Trainkos, si dhe asetet me potencial zhvillimor që tani administrohen nga Agjencia e Privatizimit.

Fondi Sovran do të menaxhojë me këto ndërmarrje duke rritur vlerën, performancën dhe kthimin në investimet që do të bëhen.

Për Qeverinë e Kosovës, Ligji për Fondin Sovran është një nga reformat më të mëdha për zhvillim ekonomik të vendit.

Sipas Qeverisë, Fondi Sovran do të jetë një mekanizëm i ri dhe efektiv për orientimin e investimeve, përmirësimin e qeverisjes korporative, ngritjen e konkurrueshmërisë dhe cilësisë, rritjen e shkathtësive dhe të punësimit, si dhe eliminimin e keqpërdorimit dhe korrupsionit në sektorin e ndërmarrjeve publike.

Fondi në Kushtetuese

Por, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e kanë dërguar për vlerësim këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese.

Të dyja këto parti e konsiderojnë këtë ligj diskriminues dhe në kundërshtim me parimin e ekonomisë së lirë të tregut.

Sipas PDK-së, 11 nene të këtij Ligji janë në mospërputhje me shtatë nene të Kushtetutës së Kosovës.

Në mospërputhje me Kushtetutën e Kosovës, sipas PDK-së, është edhe neni që flet për rolin investues të Fondit Sovran, si dhe krijimin e ndërmarrjeve, që njihen si ndërmarrje private që do t’i mbështesë Fondi.

Në këtë mënyrë, PDK-ja konsideron se krijohen monopole në treg pasi Fondi Sovran do të zgjedhë dy ndërmarrje private, sipas dëshirës së tij, pa kushte e pa kritere.

Neni 31 i këtij ligji, i cili po kontestohet nga PDK-ja ka të bëjë me investimet brenda vendit.

Ky nen i këtij ligji i mundëson Fondit të investojë njëkohësisht dhe për kohë të konsiderueshme në së paku dy shoqëri private të sektorit, por mund të zvogëlojë ose të tërheqë kapitalin nga shoqëria që nuk performon mirë.

Ndërkaq, në nenin 32, Ligji për Fondin Sovran mund t’i japë përparësi investimit në sipërmarrje kampione.

Sipas këtij neni, si sipërmarrje kampione mund të certifikohet një kompani, e cila është themeluar si shoqëri aksionare, ka selinë, shumicën e kapitalit dhe veprimtarinë kryesore në Kosovë.

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GSJP) në një hulumtim që i ka bërë Projektligjit për Fondin Sovran, kundërshton autorizimet aktuale të Fondit Sovran që të bëjë investime në kompanitë private ku shteti bëhet pjesëmarrës në ekonomi.

Në këtë mënyrë, sipas GSJP-së ‘i vjen fundi ekonomisë së tregut’.

“Eksploatimi i kësaj gjendjeje përmes Fondit Sovran – ndër të tjera – si shoqëri aksionare që investon në kompani të brendshme private dhe komplementohet (plotësohet) nga skema e sipërmarrjeve kampionë, është e destinuar të vë vulën e fundit mbi tregun e lirë, edhe ashtu fragjil në Kosovë”, thuhet në hulumtimin e kësaj organizate.

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) në një reagim të bërë më 22 dhjetor, ka thënë se edhe pse themelimi i një Fondi Sovran mund të duket si një mënyrë për të mbështetur ekonominë, është i dukshëm diskriminimi ndaj ndërmarrjeve private.

Sipas tyre, të gjitha ndërmarrjet, pavarësisht nga struktura e tyre, kanë një rol të rëndësishëm në ekonominë e Kosovës dhe duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë.

Ky parim mes tjerash, sipas OEAK-ut, është i ngulitur edhe në aktin më të lartë juridik të vendit, si bazë e rregullimit ekonomik.

Duke analizuar dispozitat e këtij ligji, OEAK-u thotë se ka vërejtur se nevojitet një qartësim më i saktë i disa dispozitave, për të shmangur interpretimet e dyanshme.

Në të njëjtën kohë, Oda Amerikane konkludon se dispozita të caktuara janë në kundërshtim me dispozitat e akteve të tjera ligjore.

Projektligji ka përcaktuar edhe disa kushte të bartjes së aseteve në pronësi të Fondit.

Për t’u bartur një aset në pronësi të Fondit Sovran, njëra nga kushtet që përcakton projektligji është që aseti duhet të jetë i komercializueshëm dhe të premtojë fitim brenda një periudhe të arsyeshme.

Ndërkaq, nëse është ndërmarrje, duhet të ketë strukturë të qëndrueshme dhe plan biznesi të qartë.

Nga ana tjetër, në Agjencinë Kosovare të Privatizimit patën thënë se kanë nisur evidentimin e aseteve që do t’i barten Fondit Sovran.

Sipas AKP-së, janë evidentuar gjithsej 2.448 asete, përfshirë: miniera, ndërtesa administrative e lokale, fabrika, hotele, ferma, depo të ndryshme, pika të karburanteve, qendra rehabilituese, zyra, toka bujqësore të të gjitha kategorive e të tjera. /Demokracia.com/

Të ngjashme